Kryeministrat drejt ballafaqimit në gjykatë

Ramush Haradinaj dhe Edi Rama - Durrës, 2018.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama ka dorëzuar padi kundër kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Civile me datë 15.01.2020 ka pranuar padinë nga paditësi E.R kundër të paditurit R.H për kompensim dëmi për shkak të deklaratës shpifëse të supozuar nga paditësi”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Mirlinda Gashi, zyrtare për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, të mërkurën në mbrëmje, tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në bazë të raportimeve në media, ka deponuar padi kundër tij në gjykatë.

"Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore", shkroi Haradinaj në Facebook.

Haradinaj ka theksuar se "padia e kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë".

"Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë", shkroi Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me atë se cila është baza e padisë ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, si dhe a mund të krijojë kjo padi efekte në marrëdhëniet ndërshtetërore Kosovë-Shqipëri.

Këshilltari i kryeministrit Edi Rama dhe njëherësh edhe Drejtor i Komunikimit i Qeverisë së Shqipërisë, Endri Fuga, ka dhënë këtë përgjigje:

“Nuk kemi asnjë koment për këtë, ashtu siç nuk kemi bërë komente për asnjë nga shumë çështjet e hapura për shpifje me ish-kryeministrin Sali Berisha apo të tjerë”, ka thënë Fuga.

Të mërkurën, ueb-faqja Betimi për Drejtësi tha se ka siguruar padinë e Ramës, e cila është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se e ky institute e ka siguruar një kopje të padisë, të cilën e ka paraqitur kryeministri i Shqipërisë, Rama, ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Haradinajt.

“Kontesti i padisë kryesisht ndërlidhet me pretendimet për deklaratat shpifëse, që kanë pasur për kontekst përgatitjet për procesin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe që në bazë të disa adresimeve që kryeminsitri Haradinaj i ka bërë kryesisht në emisionet televizive ‘360 shkallë’ dhe në ‘Pressing” në njëfarë mënyre e ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për tradhëti, lidhur me idenë për shkëmbim të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha Miftaraj.

Ai shtoi se padia e kryeministrit Edi Rama bazohet në faktin se ai nuk ka kompetenca që të kryej një vepër të tillë sikurse shkëmbimi i territoreve të Kosovë dhe të ndonjë shteti tjetër, pasi që për një vendim të tillë ose çfardo marrëveshje ndërkombëtare eventuale është kompetent Kuvendi i Kosovës.

Miftaraj ka shtuar se ky është ndër rastet e rralla kur kryeministri i një shteti ngreh padi për shpifje ndaj një kryeministër të një shteti tjetër.

Megjithatë, sipas tij, kryeministri i Kosovës, në këtë rast, ai në detyrë, Ramush Haradinaj, në bazë të Kushtetutës e udhëheqë edhe politikën e jashtme dhe ka për detyrë dhe obligim kushtetues ta mbrojë territorin dhe integritetin e Kosovës, qoftë edhe përmes deklaratave apo qoftë përmes prononcimeve karshi kryeministrave të shteteve të tjerë.

Your browser doesn’t support HTML5

Beteja Rama- Haradinaj: Tradhti, turp apo e drejtë?

Por, njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se praktikat për të bërë akuza të mëdha nga ana e politikanëve në Kosovë dhe Shqipëri, posaçërisht për çështje të tradhtisë apo cenimit të territorit të vendit, janë bërë të shpeshta.

Ato sipas tij, janë tejet të dëmshme në rast se nuk argumentohen me fakte. Rrjedhimisht, sipas tij, padia që ka ngritur Rama ndaj Haradinajt, duhet të shërbejë si leksion i mirë.

“Veprimin e kryeministrit Rama e shoh si jashtëzakonisht pozitiv në përmirësimin e kualitetit të diskursit publik, sepse mund të shpërbej si një precedent për politikanët tjerë që të jenë shumë të kujdesshëm kur të bëjnë akuza publike. Unë mendoj që kjo është rruga më e duhur, pra, rruga institucionale dhe ligjore, sepse në fakt, kryeministri në largim, Haradinaj, do të duhej që publikisht t’i dëshmojë ato akuza”, tha Muhaxhiri.

Në anën tjetër, disa qytetarë të Prishtinës, e shohin me brengosje ngritjen e padisë që e ka bërë kryeministri i Shqipërisë, Rama kundër kryeministrit në detyrë të Kosovës, Haradinajt.

Shpresa Zogaj thotë se kontradiktat ndërmjet liderëve institucional të Shqipërisë dhe Kosovës po dalin në pah në kohërat më të vështira për Kosovën.

“Edi Rama si kryeministër i shtetit shqiptar, i shtetit tonë amë, ta bëjë këtë, unë nuk po mundem ta kuptoj. Për shkaqet, nuk jam e sigurtë. Se a ka thënë apo nuk ka thënë Haradinaj diçka, unë nuk e di këtë dhe fjalët e tyre përbrenda. Por më vjen shumë keq sepse kanë për t’u keqësuar marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri. Këto janë konspiracione të tyre. Se si do të dalë, nuk e di”, u shpreh Zogaj.

Esat Uka, shprehet kundër shpifjes dhe deklaratave të pabaza, e sidomos nga personat që bartin përgjegjësi shtetërore dhe institucionale. Rasti konkret, sipas tij, është mjaft i ndjeshëm dhe ngritjen e padisë kundër Haradinajt, ai nuk e sheh si veprimin më të duhur të Ramës.

“Mund të them se është thikë me dy tehe, sepse po vjen padia nga personi që udhëheq me vendin që ne si kosovarë e konsiderojmë si ‘nënë’. Më e keqja është se kjo po ndodhë pikërisht pas vizitës së (presidentit të Serbisë, Aleksandar) Vuçiqit në Shqipëri. Më shumë më është dukur kjo si paditje e influencuar mbase, nga njerëz që nuk ia duan të mirën as Kosovës e as Shqipërisë”, tha Uka.

Ehat Miftaraj ka theksuar që është e rëndësishme që pavarësisht mospajtimeve që mund t’i kenë dy liderët institucionalë, të Shqipërisë dhe Kosovës, kjo situatë të mos reflektohet ndërmjet qytetarëve të të dyja vendeve.

“Populli i këtyre dy vendeve, nuk duhet të bie pre e politikave ditore të të dy kryeministrave, që fatkeqësisht, më shumë mund të konsiderohen si ego personale të dy kryeministrave, se sa që kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesave të dy shteteve”, ka vlerësuar Miftaraj.

Mendim të ngjashëm shpreh edhe analisti Artan Muhaxhiri. Megjithatë, sipas tij, qytetarët e të dy vendeve janë të vetëdijshëm për situatat që krijojnë përplasjet eventuale të liderëve institucionalë të të dyja vendeve.

“Unë mendoj që edhe qytetarët e Kosovës, por edhe ata të Shqipërisë, janë të vetëdijshëm që ky është një personalizim i raporteve të dy liderëve shtetëror. Prandaj, edhe ata nuk po e bëjnë këtë në emër të institucioneve, të cilat i përfaqësojnë, por në emërat e tyre personal”, u shpreh Muhaxhiri.

Ideja për shkëmbimin apo korrigjimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë është përmendur për herë të parë në gusht të vitit 2018 nga Thaçi dhe Vuçiq, si mundësi për zgjidhjen e problemeve midis dy vendeve.

Ideja ka nxitur reagime për dhe kundër, si brenda Kosovës dhe Serbisë, ashtu edhe te komuniteti ndërkombëtar.

Haradinaj, pas shpërfaqjes së kësaj ideje, është shprehur në favor të ruajtjes së kufijve aktualë të Kosovës dhe ka thënë se "nuk duhet të ketë kreativitet të ri në dizajnim e tyre".

Rama, ndërkaq, u ka bërë jehonë deklaratave të zyrtarëve të atëhershëm të Komisionit Evropian se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë "nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e përgjithshëm të rajonit, por duhet t'i kontribuojë stabilitetit në rajon”.