Qytetarët në Maqedoninë e Veriut, në procedurën para Gjykatës Administrative, mund të kërkojnë që organet kompetente të obligohen t’i miratojnë të gjitha dokumentet e nevojshme nga Ligji për cilësinë e ajrit ambiental dhe ta padisin në procedurë administrative nëse shëndeti i tyre është i rrezikuar.
Kështu ka vendosur Gjykata Supreme në një seancë publike, gjatë javës, ku gjyqtarët diskutuan në lidhje me iniciativën e paraqitur nga Shoqata e Avokatëve nga Ohri, nëse shteti siguron ose jo kushte për realizimin e të drejtës së qytetarëve për një mjedis të shëndetshëm.
SHIKONI EDHE: Shkupi me shifra katërfish më të larta të ndotjes së ajrit sesa normat e lejuaraNë vendimin parimor thuhet se “konform rregullativës kombëtare dhe ndërkombëtare, shteti është i detyruar të sigurojë një mjedis të shëndetshëm, përfshirë të drejtën për ajër të pastër, si një të drejtë individuale të qytetarëve, të cilët si palë në procedurë administrative mund të kërkojnë që organet kompetente të obligohen të miratojnë dokumentet themelore të planifikimit nga neni 23 i Ligjit për cilësinë e ajrit ambiental, si akte të përgjithshme”.
“Për realizimin e të drejtës për mjedis të shëndetshëm zbatohen dispozitat e Ligjit për mosmarrëveshjet administrative, të cilat sigurojnë mbrojtje gjyqësore nga aktet dhe veprimet e paligjshme, me të cilat cenohen të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë, kur kjo mbrojtje konkrete gjyqësore nuk është parashikuar nga Kushtetutë dhe ligjet e tjera”, thuhet në qëndrimin parimor.
Ky qëndrim i Gjykatës Supreme u mor pasi Gjykata Administrative disa herë ka refuzuar paditë e qytetarëve se Maqedonia e Veriut nuk merr masa për mbrojtjen e mjedisit. Me këtë qëndrim parimor, ngarkohet Gjykata Administrative që të veprojë ndryshe nga praktika e deritashme.
Iniciativa para Gjykatës Supreme për përcaktimin e mendimit parimor juridik më 2023 ishte paraqitur nga Shoqata e Avokatëve "Goxho Kiçeec dhe Novakovski" nga Ohri.
Edhe më parë ka pasur padi nga qytetarë që ishin refuzuar disa herë nga Gjykata Administrative, e cila qe deklaruar si jokompetente, në mënyrë që në fund lënda të përfundojë në Gjykatën Supreme.
Ademi: Mjedisi i shëndetshëm është detyrim i shtetit
Para miratimit të mendimit parimor juridik, kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, theksoi se qasja në një mjedis të shëndetshëm është një e drejtë themelore e njeriut e garantuar me Kushtetutën e shtetit dhe është e ndërlidhur me përmirësimin e shëndetit të qytetarëve.
“Çdokush është i obliguar të përmirësojë dhe mbrojë mjedisin dhe natyrën. Detyrë e shtetit është t’u sigurojë qytetarëve një mjedis të shëndetshëm. Në Ligjin për mjedisin, masat dhe aktivitetet për mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit janë të definura si interes publik. Ligjvënësi ka siguruar mbrojtje gjyqësore për të drejtën e garantuar me Kushtetutë”, theksoi Ademi.
Profesori i Fakultetit Juridik, Borçe Davitkovski, tha se pushteti gjyqësor duhet të jetë korrigjues i pushtetit ekzekutiv. Ai, duke iu referuar statistikave, tha se nga 10 foshnje të lindura, një vdes për shkak të ajrit të ndotur.
"Edhe në Universitetin ‘Kirili dhe Metodi’ (UKIM), në kampus, kishim një matës të ndotjes dhe ai tashmë nuk funksionon. Institucionet janë të obliguara t’u ofrojnë qytetarëve të dhëna të sakta dhe në kohë për ajrin në mjedisin ku jetojnë. Që secili të mund të kërkojë të drejtën e tij. Kjo nuk respektohet edhe pse është pjesë e legjislacionit tonë”, tha Davitkovski.
SHIKONI EDHE: Derisa foshnjat vdesin, në Maqedoninë e V. s’ka masa e as para kundër ndotjes së ajritAi çmon se organet publike nuk duan të mbajnë llogari për këtë mbrojtje kushtetuese të të drejtave të njeriut të qytetarëve. Për më tepër, ai tha se nëse merren parasysh të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik se në nivel vjetor nga ajri i ndotur vdesin deri në 5.000 qytetarë, kjo do të thotë se gjatë 30 vjetëve të kaluar, një e dhjeta e banorëve të Maqedonisë së Veriut kanë humbur jetën dhe askush nuk ka reaguar e as ka dhënë përgjegjësi për këtë.
“Mendoj se në këtë mënyrë, nëse gjykata hyn në kontest, për shkak se fjala është për një interes publik, gjykata do të veprojë si në mënyrë parandaluese ashtu edhe dënuese për t’i detyruar organet publike se dikush mban llogari për qytetarët, sepse nuk kanë mbrojtje tjetër gjyqësore dhe duhet t’i vendosin në shtyllën e turpit organet publike që nuk kanë vepruar sipas kompetencave të tyre”, shpjegoi Davitkovski.
- Largimi i mjegullës nuk e uli nivelin e lartë të ndotjes në Shkup
- Lufta kundër ndotjes së ajrit me qasje shpërfillëse
Të dhënat zyrtare nga monitorimi shtetëror çdo vit tregojnë se qytetet si Shkupi, Manastiri dhe Tetova kanë përqendrime të larta të grimcave PM2.5 dhe PM10, veçanërisht gjatë muajve të dimrit.
Sipas të dhënave të prezantuara nga kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, të marra nga gjykatat ku janë zhvilluar procedura për vepra penale kundër mjedisit, në katër vjetët e fundit gjykatat kanë dhënë 242 vendime të formës së prerë, me të cilat janë dënuar 280 persona. Dënimet kanë të bëjnë me gjoba, burgim ose sanksione alternative. Shumica e veprave penale janë kryer me qëllim, kurse disa nga pakujdesia, tha Ademi.
SHIKONI EDHE: Mungesa e masave dhe ulja e fondeve e bën të pashmangshme ndotjen e ajrit
Shkas vendimi i Gjykatës Evropiane kundër Zvicrës
Padia në Gjykatën Administrative e Shoqatës së Avokatëve nga Ohri është ngritur sipas shembullit të disa shtetaseve të Zvicrës, të cilat paditën shtetin para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) se ka shkelur ligjet dhe nuk i ka mbrojtur qytetarët nga efektet e ndryshimeve klimatike.
Në prill të këtij viti, Gjykata më e lartë Evropiane vendosi në favor të tyre, duke konstatuar se Zvicra nuk e ngadalëson ndikimin e ngrohjes globale.
Atëherë, mediat botërore patën shkruar se kjo është hera e parë që një gjykatë ndërkombëtare konstaton se qeveritë janë ligjërisht të detyruara t’i përmbushin objektivat e tyre klimatike në përputhje me ligjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Gjykata Evropiane vendosi se Zvicra ka “mangësi kritike” në planet e saj për reduktimin e emetimeve të gazrave serrë dhe theksoi se vendi nuk i ka përmbushur objektivat për emetimet.
"Autoritetet zvicerane nuk vepruan në kohë dhe siç duhet për dizajnimin dhe zbatimin e ligjeve relevante”, tha gjykata në vendimin e saj të 9 prillit të këtij viti.