Ndërlidhjet

Shkupi me shifra katërfish më të larta të ndotjes së ajrit sesa normat e lejuara


Pamje nga Shkupi, dhjetor 2023.
Pamje nga Shkupi, dhjetor 2023.

Qytetarët në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut, Shkup, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thanë se po i vuajnë pasojat e shkallës së lartë të ndotjes gjatë këtij dhjetori.

Marko Ivanov tha se sapo ka zbritur në aeroportin e Shkupit nga Holanda është përballur me ajrin e rënduar nga ndotja.

“Në momentin që hapen dyert e aeroplanit dhe dilni në aeroportin e Shkupit ndihet ajri rëndë nga grimcat e dëmshme dhe vështirësohet frymëmarrja”, u shpreh ai.

Luan Mehmeti tha për REL-in se djali i tij 9 vjeç vuan nga inflamacioni kronik i mushkërive dhe ndotja e ajrit këtë sëmundje e rëndon edhe më shumë:

“Çfarë ajri kemi flet fakti se sa herë që shkojmë në fshat, te prindërit, gjatë fundjavave apo pushimet dimërore, djalit i ndalet kolla. Ndërsa, sapo vijmë këtu, s’pushon së ngacmuari kolla”.

Mjegulla në një rrugë në Shkup.
Mjegulla në një rrugë në Shkup.

Ndërkaq, Biljana Kovaçevska tha se nëse do të ishte në dorën e saj, do të vepronte ndaj çdo gjëje që paraqitet si ndotëse e ajrit.

“Nevojitet angazhim më i madh i autoriteteve, më shumë gjelbërim, më shumë drurë të mbjellë që të kemi ajër të pastër. Ndërtimet, së fundmi, ndalën rrymat e erës që e spastronin qytetin nga djegia e karburanteve të automjeteve dhe gjithçka që e ndot ajrin”, u shpreh ajo.

Mjekët thonë se është rritur numri i pacientëve

Kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Amë, Lilia Çollakova-Dervishova, tha për Radion Evropa e Lirë se nga ndotja e ajrit gjatë muajve të dimrit, kur shkalla e grimcave PM10 është më e lartë, më të prekur mbeten pacientët me sëmundje kronike.

“Numri i sëmundjeve malinje është afërsisht 10 për qind e të gjitha sëmundjeve, ndërkohë që këto shifra në vazhdimësi janë në rritje. Ndotja ndikon në rritjen e numrit të pacientëve që vuajnë nga astma, sëmundjet obstruktive, sëmundjet kronike jo të transmetueshme etj”, shpjegoi ajo.

Pamje nga lart e mjegullës mbi qytetin e Shkupit.
Pamje nga lart e mjegullës mbi qytetin e Shkupit.

Të dhënat e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor duke iu referuar stacioneve matëse të cilësisë së ajrit, tregojnë parametra të lartë të ndotjes së ajrit, nga 100 deri në mbi 400 mikrogramë për metër kub grimca PM, në qytetin e Shkupit si dhe në qytetet e tjera të Maqedonisë së Veriut, si Kavadari Tetova, Koçani, Strumica etj.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndotja është e rrezikshme për shëndetin nëse mesatarja e grimcave PM10 kalon 45 mikrogramë për metër kub në 24 orë, ndërsa për grimcat PM2.5 tejkalimi mesatar nuk duhet të jetë më shumë se 15 mikrogramë për metër kub.

Por, në bazë të dekretit të dikasterit të ambientit, autoritetet obligohen të ndërmarrin masa për mbrojtjen nga ndotja e ajrit nëse mesatarja e ndotjes është 150 mikrogramë për metër kub për dy ditë rresht.

Mirëpo, nga kabineti i kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në vend të aplikimit të masave për uljen e shkallës së ndotjes së ajrit, kanë akuzuar mediat për përhapjen e lajmeve të rreme për ndotjen e ajrit, pasi më të ndotura se Shkupi, sipas tyre, janë Tetova, Kavadari, Strumica etj.

“Shërbimi global monitorues ‘ËAQI’, i cili tregon të dhëna në kohë reale për cilësinë r ajrit në të gjitha qytetet e botës, tregon qartë se Shkupi nuk është qyteti më i ndotur në Maqedoni dhe as në botë”, thanë nga kabineti i Arsovskas.

Nga ana tjetër, nga organizata joqeveritare Nisma O2, e cila në fokus ka mbrojtjen e ambientit, thanë se për mungesën e seriozitetit të autoriteteve shtetërore flet dhe fakti se shumica parlamentare ka hedhur poshtë të gjitha amendamentet që kanë të bëjnë me rritjen e buxhetit për Ministrinë e Ambientit Jetësor për menaxhimin e problemeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG