Ndizen qirinj në nderim të ish-sekretares Albright
Qytetarë dhe politikanë, mbrëmjen e 25 marsit ndezën qirinj pranë bustit të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila vlerësohet si një prej personave që ka shtyrë përpara vendimin që aleanca e NATO-s të ndërhynte në Kosovë, që i dha fund luftës më 1999.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-ja është mirënjohëse për respektin që populli i Kosovës ka ndaj ish-sekretares Albright.
"Mendoj se Kosova është një prej trashëgimeve të saj më të mëdha. Jemi të prekur nga mbështetja dhe nderimi për sekreten Albirght, dhe vlerësojmë gjestin e mbrëmjes së sotme, por edhe gjeste të tjera që prej dje për njohjen e kontributit të saj për paqe, sigurinë dhe stabilitetin këtu në Kosovë", tha ai.
Madeleine Albright, gjatë një interviste dhënë për Radion Evropa e Lirë më 2009, kishte deklaruar se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte bërë "në emër të lirisë".
Krerët shtetërorë të Kosovës kanë thënë se ish-sekretarja Albright ishte "mike e madhe e Kosovës" deri në fund të jetës së saj.
Për kontributin e ish-sekretares Albright dhënë për çlirimin e Kosovës, në Prishtinë, më 2019 u zbulua busti dedikuar saj.
Më 2019, Kosova e kishte dekoruar ish-sekretaren Albright me Urdhrin e Lirisë.
Madeleine Albright ishte gruaja e parë e emëruar sekretare e Shtetit. Ajo në këtë post kishte shërbyer nga viti 1997 deri më 2001, në administratën e ish-presdientit, Bill Clinton.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur 25 marsin ditë zie kombëtare për nder të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.