Shqipëria dhe Mali i Zi në mbledhjen e përbashkët kanë arritur dhjetë marrëveshje, përfshirë edhe atë për ndërtimin e urës mbi lumin Buna.
Pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, në konferencën për media kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se projekti mbi Bunë do të kushtojë më shtrenjtë sesa ishte menduar fillimisht, përkatësisht ishte menduar se do të kushtonte 9 milionë euro.
“Projekti do të kushtojë rreth 20 milionë euro, nëse ndahet mes dy shteteve nuk është shumë. Pala shqiptare e ka gati projektin e vetë, ndërsa ne duhet ende të punojmë. Është me rëndësi të fillohet sa më shpejt ndërtimi i saj dhe kjo do të sjellë jetësim të krejt kësaj zone”, tha Abazoviq.
"Marrëveshja është që ta paguajmë 50 për qind me 50 për qind. Shpejt do të hapim tenderin që të gjejmë ofertuesin më të mirë. Për tre vjet, një projekt të tillë mund ta paguajë administrata vendore dhe jo më ajo shtetërore”, shtoi ai.
Kjo urë do të lidhë Ulqinin, komunë në jug të Malit të Zi, me Velipojën në Shqipëri. Aktualisht, distanca mes këtyre dy vendeve është 70 kilometra dhe ndërtimi i urës do ta shkurtojë rrugën në vetëm disa sosh.
SHIKONI EDHE: Ura që do t'i lidhë Malin e Zi dhe ShqipërinëKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se vonesat në nisjen e këtij projekti të rëndësishëm për dy vendet vjen për shkak të moskoordinimit dhe mungesës së bashkëpunimit, që sipas tij, vihet re në përgjithësi në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ura do të jetë e gjatë rreth 310 metra dhe e gjerë 17 metra, si dhe do të përfshijë trotuare dhe shtigje për biçikleta.
Projekti ishte prezantuar nga Rama dhe Abazoviq, gjatë një takimi të mbajtur në Ohër në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”, në qershor të vitit të kaluar.
Your browser doesn’t support HTML5
Përveç marrëveshjes për ndërtimin e urës, janë nënshkruar edhe nëntë marrëveshje dhe memorandume në disa fusha me interes të përbashkët që kanë të bëjnë me: energjinë, peshkimin, mbrojtjen e bimëve, mbrojtjen sociale, sportin, kulturën dhe median, në fushën e mbrojtjes dhe shëndetësisë.
Dy kryeministrat: Kosova dhe Serbia të pranojnë propozimin evropian
Dy kryeministrat iu përgjigjën edhe pyetjeve të gazetarëve për takimin që mbahet në Bruksel më 27 shkurt mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Duke vlerësuar rëndësinë e takimit, Abazoviq tha se bashkëpunimi është çelësi i një situate të qetë në Ballkan.
“Është shumë e rëndësishme të ketë përparim në dialiog mes Kosovës dhe Serbisë. Plani franko-gjerman [propozimi evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi] është shumë i mirë dhe do të sjellë normalizim të marrëdhënieve në rajon. Gjithkush humb nëse ruhet kjo status-quo”, tha kryeministri i Malit të Zi.
SHIKONI EDHE: BE: Kosova dhe Serbia, të gatshme të vazhdojnë me zbatimin e MarrëveshjesKryeministrit shqiptar, Edi Rama, theksoi se mospranimi i këtij propozimi do të sillte pasoja të mëdha.
“Ne nuk jemi superfuqi [Shqipëria dhe Mali i Zi] kështu që nuk na takon ne t’iu themi shteteve të tjera çfarë duhet të bëjnë. Janë ata që dialogojnë dhe vendosin, dhe që marrin kostot për vendime të gabuara. Nuk ka absolutisht asnjë rrugë tjetër. Çdo rrugë tjetër është iluzion që i krijohet popullit për politikë, për vota, për luftë të brendshme por nuk ka lidhje me të ardhmen”, tha Rama.
Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar propozimin evropian – që njihet edhe si propozimi franko-gjerman – vitin e kaluar dhe palët janë deklaruar se e pranojnë të njëjtin.
Dënimi i sulmit ndaj profesorit shqiptar
Në konferencën për media, Rama foli edhe për ngjarjen që ndodhi në janar të këtij viti në kufirin mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, kur profesori shqiptar Petraq Milo, u sulmua nga policia malazeze.
“Falënderojë Abazoviqin që në sekondën e parë të daljes së videos i ka telefonuar profesorit së bashku me ministrin e Brendshëm [të Malit të Zi] dhe i ka shprehur ndjesën dhe janë marrë masat për personat në fjalë. Janë raste që ndodhin, por që shërbejnë si burim frymëzimi për të gjithë ‘patriotët’ e rajonit tonë, që mezi i presin të ndezin flakën e nacionalizmit, ndaj na duhet më shumë bashkëpunim”, tha Rama.
Ndërsa Abazoviç tha se nuk dëshiron që kjo ngjarje të politizohet ftoi profesorin Petraq Milo të vizitojë sërish Malin e Zi. Ai tha se personat përgjegjës do të dënohen.
SHIKONI EDHE:
Arrestohen dy policë në Mal të Zi lidhur me keqtrajtimin e shtetasit shqiptarAbazoviq për incidentin në kufi: Ka edhe një anë tjetër të medaljesReagime në Mal të Zi pas sulmit të Policisë ndaj një shtetasi shqiptarPas publikimit të videove ku shihej profesori Milo duke u keqtrajtuar nga policë malazezë në pikën kufitare në Sukobinë, autoritetet në Mal të Zi arrestuan më 22 shkurt dy policë, që dyshohen për veprën penale të keqtrajtimit, që nënkupton përdorim të tepruar të forcës".
Samiti i ri i Ballkanit të Hapur, në Mal të Zi
Gjatë konferencës, Rama dhe Abazoviq po ashtu njoftuan se samiti i radhës i nismës rajonale, Ballkani i Hapur, do të mbahet në Mal të Zi.
“Kjo ishte dëshirë e Dritanit. Mos u përpiqni të shihni pas kësaj nisme as rusë, as kinezë dhe madje as gjermanë. Është nismë e jona për të zbatuar parimet dhe objektivat e procesit të Berlinit”, tha Rama.
Abazoviq tha se ai është pro kësaj nisme, që sipas tij, ka jetësuar Procesin e Berlinit.
“Do të ishte mirë që nëse rrethanat politike do të krijojnë mundësinë, të gjitha vendet e rajonit të bëhen pjesë e kësaj nisme, që sjell më shumë paqe e stabilitet”, theksoi ai.
Në nismën “Ballkani I Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina e kanë refuzuar.
Ndërkohë në fillim të vjeshtës Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë, pasi Shqipëria ka marrë kryesimin e këtij procesi.
Në takimin e mbajtur në Berlin më 3 nëntor të 2022 u firmosën tre marrëveshje mes liderëve të Ballkanit Perëndimor: marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor, marrëveshja mbi njohjen e diplomave të arsimit të lartë, marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Evropën Qendrore.
Ndryshe, Qeveria e Shqipërisë ka zhvilluar mbledhje të përbashkëta edhe me Qeverinë e Kosovës dhe atë të Maqedonisë së Veriut.
Me Kosovën janë zhvilluar tetë mbledhje të përbashkëta dhe janë nënshkruar rreth 130 marrëveshje.