Ndryshime në Qeverinë maqedonase

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Zgjerimi i Qeverisë me partinë Aleanca për Shqiptarët, nuk do ta forcojë shumicën parlamentare me më shumë se 70 deputetë, siç priste kryeministri Dimitar Kovaçevski, kryetar i Lidhjes Social Demokrate.

Shumicës parlamentare iu bashkuan tetë deputetë të Aleancës për Shqiptarët, por iu larguan katër të tjerë, tre deputetë të partisë Alternativa dhe një deputet i Lidhjes Demokratike.

Koalicioni qeveritar i LSDM-së, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Alternativës, deri më tani numëronte 64 deputetë në Parlamentin prej 120 ulësesh. Me hyrjen e Aleancës për Shqiptarët, shumicës iu shtuan edhe tetë deputetë, por me largimin e katër të tjerëve, shumica tani numëron 68 deputetë. Ndërkaq, jozyrtarisht mësohet se ka edhe disa deputetë tjerë që mund të mos i mbështesin ndryshimet në Qeveri.

SHIKONI EDHE: Aleanca për Shqiptarët, pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

Debati në Kuvend për emërimin e ministrave të Aleancës për Shqiptarët ka vazhduar edhe të martën dhe sipas paralajmërimeve të opozitës maqedonase, ai mund të zgjasë me ditë të tëra pasi 44 deputetët e saj nuk do të heqin dorë nga fjalimet për çdo emërim të propozuar.

Deputetët duhet të votojnë për Krenar Llogën për ministër të Drejtësisë, Fatmir Mexhitin për ministër të Shëndetësisë, Azir Aliun, ministër të Administratës Publike dhe Informatikës, si dhe disa kuadro të tjera në postet e zëvendësministrave.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se beson se shumica parlamentare i ka numrat e mjaftueshëm për votimin e ndryshimeve në Qeveri.

“Shumica parlamentare është e fortë, stabile dhe presim që ristrukturimi i Qeverisë të kalojë me më së paku 64 vota të deputetëve nga 61 sa janë të nevojshme. Ndryshimet që i kam njoftuar, nuk kanë të bëjnë me interesa personale apo kadrovike, por me interesa shtetërore. Duam të kemi një Qeveri stabile, funksionale që të shtyjmë para integrimin evropian, të mund të miratojmë vendime të rëndësishme ekonomike, si dhe të vazhdojmë me kursin e reformave në të gjitha sferat e interesit të përbashkët".

"Ishim të detyruar të ndërmarrim një hap të tillë për shkak të bllokimeve që bënte opozita, por tani pas vendimit për përfshirjen në Qeveri të Aleancës për Shqiptarët, besojmë se institucionet do të funksionojnë në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Kovaçevski.

Ai tha se ndryshimet për rritjen e shumicës parlamentare po bëhen edhe për ruajtjen e kursit evropian. Ky kurs, tha Kovaçevski, mund të rrezikohet nga opozita maqedonase, e cila sipas tij, “dëshiron izolimin e vendit” me refuzimin e ndryshimeve kushtetuese. Këto ndryshime parashohin përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës, ashtu siç kërkon marrëveshja me Sofjen për zhbllokimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

SHIKONI EDHE: Shkup: Kuvendi jofunksional, mbi 80 projektligje presin miratimin

Por, Afrim Gashi, deputet dhe kryetar i partisë Alternativa, që u largua nga Qeveria për shkak të mospajtimeve lidhur me ndarjen e posteve ministrore, tha se kryeministri Kovaçevski dhe partitë tjera “po e rrezikojnë kursin evropian”.

“Unë kam frikë sepse me këtë veprim që ka bërë Lidhja Social- Demokrate (LSDM) dhe shumica e re, mendoj se është rrezikuar shumë e ardhmja evropiane dhe do të jetë e vështirë të vijmë në një situatë që t’i votojmë ndryshimet kushtetuese, por nëse do të ketë një nismë të tillë, tri votat e Alternativës gjithmonë do të jenë në të mirë të qytetarëve”, tha Gashi.

Deputetët e VMRO DPMNE-së opozitare thonë se “qëllimi i rikonstruktimit të Qeverisë nuk është integrimi evropian, por shpëtimi i saj”.

Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski, tha se pret që të ketë zgjedhje të shpejta parlamentare.

“Nuk pres që kjo përbërje parlamentare të miratojë ndryshimet kushtetuese. Nga kjo përbërje parlamentare pres që sa më shpejt ta mbarojë mandatin dhe më pas të mbahen zgjedhje të shpejta parlamentare”, u shpreh Mickoski.

SHIKONI EDHE: Opozita maqedonase kërkon zgjedhje të parakohshme

Ndryshimet në Qeveri, respektivisht përfshirja e Aleancës për Shqiptarët bëhen menjëherë pas paralajmërimeve të opozitës maqedonase se po përgatitet për një mocion të votëbesimit të Qeverisë.

VMRO-ja shpresonte edhe në votat e Aleancës për Shqiptarët dhe të disa deputetëve tjerë të BD|I-së, por edhe të deputetëve të pakënaqur që janë në koalicion me LSDM-në.

Një përpjekje për rrëzimin e Qeverisë, VMRO DPMNE-ja e pati më 11 nëntor të vitit 2021, por ajo dështoi për vetëm një votë pasi një deputet kishte ndryshuar qëndrimin në momentin e fundit duke shpëtuar qeverinë që atë kohë drejtohej nga Zoran Zaev.