Ndërlidhjet

Shkup: Kuvendi jofunksional, mbi 80 projektligje presin miratimin


Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut kanë nisur pushimet e verës, por puna e tyre bazuar në raportin mbi seancat e mbajtura nuk ka qenë efikase.

Sipas një raporti të publikuar nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, që nga konstituimi i kësaj përbërjeje parlamentare, më 4 gusht 2020, janë mbajtur 83 seanca; 54 kanë përfunduar, ndërsa 29 janë bllokuar dhe ende nuk kanë marrë epilog.

Për miratim po presin 83 projektligje nga lëmi të ndryshme, si arsim, shëndetësi, ekonomi, projektligji për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, emërimi i kuadrove nëpër institucione të ndryshme e propozime tjera.

Mungesa e efikasitetit të punës së Kuvendit ka të bëjë me shumicën parlamentare prej 63 deputetësh nga 120 sa numëron gjithsej institucioni ligjvënës.

Deputetët e opozitës, në momentin që nis seanca, largohen nga salla për të mos siguruar numrat prej 61 deputetësh për fillimin e saj, apo braktisin punimet në momentin kur projektligjet vihen për votim.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, për shkak të mungesës së kuorumit i ka kërcënuar deputetët se do të ndërmarrë nismë për shpërndarjen e Kuvendit, nëse do të vazhdojë, siç ka thënë, sjellja e papërgjegjshme e deputetëve të popullit.

“Partitë janë ato që duhet të japin llogari për stabilitetin e shumicës, zgjerimin e saj apo shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, ka thënë Xhaferi duke akuzuar veç tjerash opozitën për bllokim të punës së Kuvendit.

Por, partia opozitare, VMRO-DPMNE, thotë se faji qëndron te shumica dhe kreu i Kuvendit, që sipas opozitës, kanë miratuar ligje dhe vendime që janë të dëmshme për interesat shtetërore, siç ishte edhe ai për miratimin e propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

Njohësit e çështjeve politike thonë se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut asnjëherë si deri më tani nuk ka qenë joefikas në miratimin e ligjeve, por edhe sa i përket debatit jocilësor pasi puna e tij më shumë është shoqëruar me përplasje e incidente sesa me debatet lidhur me përmbajtjen e ligjeve.

Mersel Bilalli, ish-deputet në tri përbërje parlamentare, thotë se fajtorë janë dy grupet politike.

“Unë mendoj se përgjegjësia qëndron te të dyja strukturat. Opozita me vetëdije bojkoton punën e Kuvendit, duke përçuar mesazhin se institucionet nuk po funksionojnë, posaçërisht Kuvendi dhe se duhet të bërë diçka, apo të mbahen zgjedhje të përkohshme".

"E dyta, partitë që janë pjesë e shumicës duhet të shtrëngojnë radhët e veta dhe të mos mundësojnë që të krijohet një atmosferë e tillë që të mbahen zgjedhje në një kohë aspak të favorshme për vendin dhe procesin euro-integrues”, vlerëson Bilalli për Radion Evropa e Lirë.

Sociologu Ali Pajaziti thotë për Radion Evropa e Lirë se “deputetët duhet të jenë të përpiktë, të ndërgjegjshëm dhe të japin llogari për punën dhe detyrat që i kryejnë”.

“Ata duhet t’i respektojnë normat e parapara dhe kodeksin në mënyrë që qytetarët të kenë një model apo rol model në përditshmërinë, ndërveprimet dhe në pozitat që i kanë në shoqëri. Shkarjet apo devijimet morale, shkeljet mbi parimet nga ana e deputetëve kanë reperkusione të shumta, kanë pasoja në formësimin e mendësisë joparimor nga e cila vuajmë gjatë këtyre 30 vjetëve të tranzicionit. Gabimet e politikës së lartë pasqyrohen tek ajo e niveleve më të ulëta dhe kështu shkojmë drejt humnerës si shoqëri”, vlerëson Pajaziti.

Marko Trashanovski nga Instituti për Demokraci, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata mund të kapërcehet me masa ndëshkuese, qoftë në shkurtim të pagave për deputetët e parregullt apo edhe në ndryshimin e modelit zgjedhor.

“Kuvendi tani një kohë të gjatë, më shumë se një vit, nuk është duke punuar, deputetët nuk janë në krye e detyrës, kemi keqpërdorime të shumta nga ana e tyre pasi prioritet kanë të ardhurat, e jo atë për të cilët i kanë zgjedhur. Përfundimisht mendoj se duhet ndryshimi i modelit zgjedhor në lista të hapura".

"Në këtë rast, deputetët që nuk do të vinin në seanca, sikurse tani, pra ata që nuk e vlerësojnë rolin e dhënë nga qytetarët, nuk do të mund të llogarisnin edhe në një mandat në zgjedhjet e ardhshme pasi qytetarët do të vlerësojnë se kush me të vërtetë e meriton të jetë në Parlament dhe kush është i dinjitetshëm për atë pozicion”, konsideron Trashanovski.

Por, ish-deputeti Mersel Bilalli thotë se edhe në modelin me lista të hapura sërish mund të ketë deputetë që nuk janë të rregullt për shkak të lidhjeve të afërta me kreun e partisë andaj, sipas Bilallit modeli më i mirë do të ishte ai i shumicës.

“Me listat e hapura personat e ndershëm sërish do të mbesnin nën hije, prandaj më mirë do të ishte të kishim sistemin që ishte në zgjedhjet e para, pra modelin e shumicës. Do të ishte më efikas pasi qytetarët do të përballeshin drejtpërsëdrejti me të zgjedhurin e tyre. Kjo do të neutralizonte forcën e liderëve të partisë, të cilat po monopolizojnë procesin e krijimit të politikave jashtë mënyrës profesionale”, thotë Bilalli.

Në Rregulloren e punës së Kuvendit janë të përcaktuara qartë të drejtat dhe detyrat e deputetëve. Rregullorja thekson se deputeti, i cili pengohet të marrë pjesë në seancën e Kuvendit, është i obliguar që ta njoftojë kryetarin e Kuvendit para fillimit të seancës.

“Deputetit që mungon të paktën tri herë radhazi në seancat e Kuvendit, dhe nuk e ka njoftuar kryetarin e Kuvendit, i hiqet 5% e pagës për çdo ditë mungesë...”, thuhet në nenin 31 të Rregullores.
Bilalli thotë se sanksionet financiare mund të japin efekt, por gjobat sipas tij, duhet të rriten, pasi ajo çfarë parasheh Rregullorja, është e papërfillshme.

Paga e një deputeti të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut arrin në 1.200 euro, por ajo mund të arrijë vlerë dy herë më të lartë nëse i shtohen shpenzimet e rrugës, mëditjet për çdo seancë, udhëtimet jashtë shtetit dhe angazhimi në komisionet e Kuvendit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG