Qeveria e Kosovës thotë se është duke zhvilluar dialog me serbët lokalë, përkatësisht me përfaqësuesit e tyre dhe me disa organizata të shoqërisë civile, por se ai po bëhet larg syve të publikut, me qëllim mbrojtjen e tyre nga “presionet dhe kërcënimet” e “strukturave ilegale dhe grupeve të lidhura me to”.
“Së fundmi, më saktësisht javën e kaluar, kryeministri [Albin Kurti] ka zhvilluar një takim me dhjetë serbë lokalë, udhëheqës të organizatave të shoqërisë civile në vend”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
“Pra, komunikimi dhe dialogu me serbët lokalë po ndodh, por po zhvillohet në atë mënyrë që nuk i cenon vetë ata”, tha ai, pa dhënë detaje të tjera.
Për mungesë të dialogut institucional me serbët lokalë u fol të hënën në Prishtinë gjatë publikimit të një hulumtimi me titull “Qëndrimet e komunitetit serb në Kosovë” nga organizata joqeveritare Aktiv, me seli në Mitrovicën e Veriut.
Drejtori i kësaj organizate, Midorag Milliqeviq, tha se mungesa e dialogut të tillë çoi edhe në largimin e serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës.
“Aktualisht është shumë e qartë se kemi një vakum institucional, për të cilin, në këtë moment, askush nuk mund të thotë me siguri se kur do të eliminohet dhe nëse do të mund të vendoset funksionaliteti i institucioneve në veri të Kosovës”, tha Milliqeviq.
Për shkak të insistimit të Prishtinës zyrtare që serbët në veri të Kosovës t’i regjistrojnë veturat e tyre me targa që i lëshon Kosova dhe jo Serbia, pjesëtarët e komunitetit serb u larguan nga institucionet e Kosovës në veri - përfshirë policinë, gjyqësorin dhe komunat - në fillim të nëntorit.
Largimin e tyre e mbështeti edhe Serbia, e cila u zotua se punëtorëve të dorëhequr, do t’ua kompensojë rrogat që kanë marrë nga institucionet e Kosovës.
Disa serbë që kanë folur më herët për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se kanë dhënë dorëheqje për shkak të presioneve të ndryshme brenda komunitetit.
Organizata Aktiv publikoi hulumtimin “Qëndrimet e komunitetit serb në Kosovë” për të shtatin vit radhazi.
Ajo tha se anketa e sivjetme është kryer me 540 persona nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, në periudhën qershor-gusht.
Aktiv tha se anketa është kryer në një “atmosferë të tensioneve të shtuara” dhe me “një ndjenjë në rritje se situata e sigurisë po përkeqësohet ngadalë”.
*Video nga arkivi: Intervistë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Your browser doesn’t support HTML5
Tensionet në Kosovë kanë nisur në fund të korrikut, kur disa serbë në veri kanë ngritur barrikada, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të filluar procesin e riregjistrimit të veturave.
Ato kanë shkuar duke u rritur deri javën e kaluar, kur Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur një marrëveshje, sipas së cilës, Qeveria e Kosovës është tërhequr nga vendimi për riregjistrimin e makinave, ndërsa Serbia është zotuar se nuk do të lëshojë targa të reja për serbët në veri.
Çfarë tjetër tregojnë rezultatet e hulumtimit?
Rezultatet e hulumtimit “Qëndrimet e komunitetit serb në Kosovë” tregojnë, gjithashtu, se pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë nuk janë të kënaqur me situatën aktuale politike dhe të sigurisë.
Vetëm rreth shtatë për qind e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht në pyetjen se a mendojnë se gjërat në Kosovë po shkojnë në drejtimin e duhur.
Milliqeviq, po ashtu, ka thënë se mbrojtja institucionale e të drejtave të serbëve është ngritur në nivel të bashkësisë ndërkombëtare, sepse Prishtina zyrtare “nuk bën asgjë për këtë”. Si shembull është cilësuar “fakti se kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka emëruar askënd nga radhët e komuniteteve pakicë për të qenë shef i Zyrës për Komunitete në kabinetin e tij”.
Kjo zyrë udhëhiqet nga Elizabeth Gowing nga Britania e Madhe, e cila është këshilltare e kryeministrit Kurti për komunitete.
Në Qeverinë aktuale, zëvendëskryeministre për komunitete është Emilia Rexhepi, e cila vjen nga radhët e komunitetit boshnjak.
A ka vërtet dialog me komunitetin serb?
Igor Markoviq, nga organizata Aktiv, thotë se përkundër disa paralajmërimeve të Kurtit se do të fillojë dialog të brendshëm me pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Kurti e ka përmendur dialogun e brendshëm me serbët në Kosovë qysh në fushatën zgjedhore të vitit 2019, kur ka thënë se ky dialog është “shumë më i rëndësishëm se ai që po zhvillohet me Serbinë në Bruksel”.
Markoviq thotë se edhe drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore apo lokale të Kosovës “nuk kanë motivim të mjaftueshëm” për të bashkëpunuar me komunitetet joshumicë.
- Serbët në veri: Nuk duam tjetër shtet
- Protesta e serbëve në Graçanicë: “Mbështetje për vëllezërit në veri"
Darko Dimitrijeviq, redaktor i Radio Gorazhdevcit, e cila gjendet në territorin e komunës së Pejës, thotë për Radion Evropa e Lirë se pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, aktualisht, nuk kanë ku dhe me kë t'i adresojnë problemet, me të cilat ballafaqohen.
Sipas tij, edhe në institucione të Kosovës ka gjithnjë e më pak serbë.
“Ka gjithnjë e më shumë probleme që po grumbullohen”, thotë ai.
SHIKONI EDHE: Serbët në jug të Ibrit pyesin: "Kush do të kujdeset për ne?"Branimir Stojanoviq, politikan i opozitës serbe nga Graçanica - në afërsi të Prishtinës - thotë se gjendja e komunitetit serb në Kosovë është përkeqësuar gjatë mandatit të kryeministrit Albin Kurti dhe se “asgjë nuk po zbatohet në dobi të serbëve”.
Si shembull, Stojanoviq thotë se Kurti ka insistuar në riregjistrimin e veturave duke u thirrur në Marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por, në anën tjetër, “nuk dëshiron të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, i cili parashihet po ashtu me këtë marrëveshje.
“Në thelb, nuk ka vullnet për të bërë diçka që do ta qetësonte pak situatën dhe do të krijonte kushte më të mira [për jetesë] për njerëzit e zakonshëm”, thotë Stojanoviq.
Çfarë ka kërkuar më herët sektori civil serb në Kosovë?
Përveç thirrjes drejtuar institucioneve të Kosovës për bashkëpunim më të madh me pjesëtarët e komunitetit serb, organizata joqeveritare Aktiv, më herët, i ka bërë thirrje edhe Listës Serbe që të marrë përgjegjësi dhe të marrë pjesë aktive në zgjidhjen e problemeve.
SHIKONI EDHE: Shoqëria civile serbe bën thirrje për zgjidhje paqësore të krizës në veriLista Serbe është një parti që vepron në Kosovë me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe ka marrë gati shumicën absolute të votave në zgjedhjet qendrore dhe lokale.
Mirëpo, zyrtarët e këtij subjekti politik nuk flasin gati kurrë publikisht, në Kuvend apo në Qeveri të Kosovës, për problemet e komunitetit serb.
Për këtë arsye, sektori civil i ka bërë thirrje në disa raste që të kontribuojë në paqe, përmes kanaleve institucionale.