Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, të shtunën (15 janar) ka filluar debati për zgjedhjen e qeverisë së re, që do të zgjasë deri të dielën në mesnatë kur edhe pritet të votohet kabineti i ri qeverisës që do të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski, kryetar i Lidhjes Social Demokrate.
Në fjalimin para deputetëve, Kovaçevski tha se qeveria që ai do të udhëheqë ka një plan të qartë dhe të zbatueshëm për përballje me sfidat me të cilat po përballet Maqedonia e Veriut, si kriza energjetike dhe pasojat e saj mbi standardin e jetesës së qytetarëve.
“Përballja me pasojat e pandemisë së koronavirusit dhe me krizën energjetike janë sfidat më të mëdha për rimëkëmbjen e ekonomisë vendore. Qeveria në fillim të mandatit do të hartojë një plan për të mbështetur popullsinë dhe ekonominë për ta kapërcyer me sa më pak pasoja krizën energjetike”, tha Kovecvski duke prezantuar programin e punës së qeverisë.
Ai në fjalimin e tij hodhi poshtë kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat sipas tij, nuk janë zgjidhje për problemet me të cilat po përballet Maqedonia e Veriut.
“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë zgjidhje, sepse qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet e shpeshta. Si shumicë e re parlamentare e morëm mesazhin nga qytetarët se duhet të punojmë më shumë që të kemi rezultate. Ne kemi mundësinë që për këto dy vite e gjysmë të përkushtohemi në problemet reale të qytetarëve”, ka theksuar Kovaçevski.
Sa i përket kontestit me Bullgarinë, Kovaçevski tha se “dy popujt duan miqësi ndërsa për të kaluarën mes dy vendeve duhet të vendosin historianët dhe jo politika. Për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar, nuk duhet të bisedohet pasi janë çështje që i përkasin popujve”.
Alekandar Nikollovski nga VMRO DPMNE-ja opozitare tha se “qeveria për të cilët po diskutohet në Kuvend, nuk ka legjitimitet pasi nuk është zgjedhur nga populli, por Kovaçevski është caktuar si mandatar nga Zoran Zaev”.
Sipas Nikollovskit, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza e rëndë ekonomike dhe paqëndrueshmëria politike në të cilën ndodhet vendi.
“Mesazhi i opozitës në këtë seancë është se kemi nevojë të ballafaqohemi me popullin në zgjedhje parlamentare. Pa zgjedhje nuk ka qeveri me legjitimitet të plotë politik. Kjo është një qeveri e personazheve të vjetër që drejtojnë të njëjtat dikastere. Kjo qeveri nuk mund të miratojë një politikë të ndryshme dhe të mirë. Ne përballemi me të njëjtat politika dhe me të njëjtat probleme”, u shpreh Nikolloski.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në debat për Qeverinë e re
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të shtunën dhe të dielën do të zhvillohet debati për zgjedhjen e Qeverisë së re, e cila do të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski, kryetar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM).
Sipas Kushtetutës, debati parlamentar për zgjedhjen e Qeverisë së re zgjat dy ditë, ndërsa votohet në mesnatë. Qeveria zgjidhet me së paku 61 vota nga 120 deputetë sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Qeverinë e re e përbëjnë Lidhja Social Demokrate dhe tri parti tjera politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH).
SHIKONI EDHE: Dimitar Kovaçevski mandatohet për kryeministër të Maqedonisë së VeriutKabineti i ri qeveritar do të ketë 21 anëtarë; 17 ministra dhe 4 zëvendëskryeministra.
Lidhja Social Demokrate do të ketë 12 anëtarë të Qeverisë, gjashtë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe tre partia Alternativa.
Ministrat nga radhët e LSDM-së
Sllavica Gërkovska, zv.kryeministre për luftimin e korrupsionit
Bojan Mariçiq, zv.kryeministër për çështje evropiane
Fatmir Bytyçi, zv.kryeministër për çështje ekonimike
Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme
Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes
Nikolla Tupançevski, ministër i Drejtësisë
Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve
Lupço Nikollovski, ministër i Bujqësisë
Jovana Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale
Goran Milevski, ministër i Pushtetit Lokal
Bisera Kostadinovska, ministre e Kulturës
Ministrat nga radhët e BDI-së
Artan Grubi, zëvendëskryemintër i parë dhe Ministër i Sistemit Politik
Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme
Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës
Fatmir Besimi, ministër i FInancave
Naser Nuredini, ministër i Ambientit Jetësor
Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë
Ministrat nga radhët e Alternativës
Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë
Admirim Aliti, ministër i Administratës dhe Shoqërisë Informatike
Xhemail Çupi, ministër pa resor, i angazhuar për diasporën
SHIKONI EDHE: Ndarja e ministrive mes partive, reagime në prizmin etnikPrioritetet e Qeverisë së re
I mandatuari për kryeministër, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se puna e Qeverisë së re do të përqendrohet në tri prioritete, përballjen me krizën energjetike, pandeminë e koronavirusit, rritjen e standardit jetësor të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe realizimin e investimeve strategjike.
“Prioriteti kryesor i punës së Qeverisë së re ka të bëjë me përballjen me krizën energjetike në Maqedoninë e Veriut, e cila është edhe krizë evropiane. Prioriteti i dytë është ngritja e standardit të jetesës së qytetarëve dhe kompanive në kushtet e krizës ekonomike, e cila vjen nga kriza energjetike. Dhe, si prioritet të tretë kemi përmbushjen e objektivave për sa i përket projekteve të mëdha infrastrukturore të miratuara në buxhetin e vitit 2022, si zgjidhje ligjore, të cilat janë miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në dhjetor”, pati deklaruar kandidati për kryeministër, Dimitar Kovaçevski, pas marrjes së mandatit nga presidenti, Stevo Pendarovski.
Ai, gjithashtu, si prioritet të punës së Qeverisë ka përmendur edhe çështjen e integrimit evropian dhe zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.
SHIKONI EDHE: Trifonov: Do t’i heqim veton Shkupit nëse SHBA-ja i heq vizat“Një nga prioritetet e Qeverisë do të jetë edhe zgjidhja e pranueshme e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, duke ruajtur vlerat evropiane, si dhe dinjitetin e të dyja vendeve, për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian, respektivisht heqjen e vetos për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me BE-në”, ka deklaruar Kovaçevski.
Si erdhi deri te ndërrimi i kryeministrit?
Para se të mandatohet për kryeministër, Dimitar Kovaçevski ka qenë zëvendësministër i Financave dhe kuadër shumëvjeçar i Lidhjes Social Demokrate, ndërsa ka drejtuar edhe disa kompani të mëdha në Maqedoninë e Veriut.
Ai në postin e kreut të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut do të zëvendësojë ish-kryeministrin Zoran Zaev, i cili dha dorëheqjen për shkak të disfatës së LSDM-së në zgjedhjet lokale, që u mbajtën më 31 tetor të vitit 2021.
SHIKONI EDHE: Zaev largohet - për disa si hero e për disa si tradhtarZaevi ka drejtuar Qeverinë e Maqedonisë së Veriut që nga viti 2017, kur largoi nga pushteti ish-kryeministrin Nikolla Gruevski.
Përveç nga posti i kryeministrit, Zoran Zaevu largua edhe nga posti i kryetarit të LSDM-së. Ai, edhe pse dha dorëheqje më 31 tetor, kjo u konstatua nga Kuvendi më 23 dhjetor, pasi kishte arritur të sigurojë shumicën parlamentare për LSDM-në, meqë pas largimit nga Qeveria të lëvizjes Besa, shumica parlamentare kishte mbetur me 60 deputetë aq sa kishte edhe opozita.
Qeveria e re, bazuar në deklarimet e zyrtarëve të saj pritet të vazhdoj me punë deri në përfundim të mandatit të përbërjen aktuale parlamentare në vitin 2024.
Opozita, e cila përbëhet nga VMRO DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët pritet të votojnë kundër qeverisë apo të bojkotojnë aktin e votimit.
Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare
VMRO DPMNE-ja konsideron se Dimitar Kovaçevski nuk ka legjitimitet as për të drejtuar Qeverinë, meqë sipas kësaj partia, ai nuk ke ka marrë mandatin nga populli në zgjedhje, por nga Zoran Zaevi.
“Kovaçevski nuk ka legjitimitet as për të drejtuar qeverinë e as për të negociuar dhe udhëhequr procesin në kontestin me Bullgarinë sepse legjitimitetin nuk i ka dhënë populli, por e mori nga Zoran Zaevi, i cili e solli Republikën e Maqedonisë në këtë pozitë katastrofale. Popullit maqedonas nuk i duhen deklarata false optimiste, por i nevojitet gatishmëri diplomatike, kapacitet dhe vendosmëri në negociata, gjë që LSDM-ja nuk i ka”, vlerëson VMRo DPMNE-ja që drejtohet nga Hristijan Mickoski.
Aleanca për Shqiptarët konsideron se zgjidha e vetme për të dalë nga gjendja e rëndë ekonomike dhe paqëndrueshmëria politike janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat sipas ASH-së duhet të mbahen sa më parë që të jetë e mundur.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare kërkohen edhe nga Lëvizja Besa, e cila deri tani ishte pjesë e qeverisë më LSDM-në dhe BDI-në.