Ndërlidhjet

Ndarja e ministrive mes partive, reagime në prizmin etnik


Një grua në Shkup kalon pranë flamujve të Shqipërisë, Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut. Fotografi ilustruese.
Një grua në Shkup kalon pranë flamujve të Shqipërisë, Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut. Fotografi ilustruese.

Ristrukturimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, që është në proces e sipër, pjesë e së cilës pritet të jetë edhe partia Alternativa, ka nxitur debate, por edhe gjuhë të urrejtjes në rrjetet sociale lidhur me ndarjen e ministrive mes partive politike që do të jenë pjesë e qeverisë.

Përveç partisë Alternativa, që drejtohet nga Afrim Gashi, në Qeveri bën pjesë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që drejtohet nga Ali Ahmeti.

Këto dy parti shqiptare, në Qeverinë e re që do të drejtohet nga kryetari i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), Dimitar Kovacevski, do të kenë nëntë ministri nga 16 sa numëron gjithsej Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

BDI-ja dhe Alternativa do të drejtojnë Ministrinë e Punëve të Jashtme (BDI), Financat (BDI), Ekonominë (BDI), Shëndetësinë (Alternativa), Bujqësinë (BDI), Ekologjinë (BDI), Informatikën dhe Administratën (Alternativa), Sistemin Politik (BDI) dhe Ministrinë pa resor përgjegjës për diasporën (Alternativa).

BDI-ja do të ketë edhe zëvendëskryeministrin e parë. Dy partitë do të kenë edhe tetë zëvendësministra. Alternativa do të udhëheqë rreth 50 drejtori dhe do të ketë anëtarë në borde të ndërmarrjeve të ndryshme. Ministritë tjera do të drejtohen nga LSDM-ja dhe partitë e vogla maqedonase që janë në koalicion me socialdemokratët.

I pari që ka reaguar lidhur me ndarjen e ministrive, ka qenë kryetari i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiv, duke ironizuar në Facebook, me partitë tjera maqedonase, që, sipas tij, edhe pse me numër të njëjtë të deputetëve, sikur Alternativa, “udhëheqin një ministri të dobët”.

"PLD (Partia Liberal-Demokrate) dhe RDM (Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë) kanë katër deputetë dhe vetëm një ministri (të parëndësishme). Alternativa ka 4 deputetë dhe do të ketë 3 ministri (të rëndësishme)!? Vetëm unë nuk e kuptoj maoizmin e liberalëve dhe të gjelbërve?”, ka shkruar Apasiev.

Marrëveshja për ndarjen e ministrive, në rrjetin social, Facebook, është vlerësuar si “tradhti kombëtare”, që sipas Liljana Aposit nga Shkupi, është pasojë e mosunitetit të maqedonasve.

“Mosuniteti i maqedonasve u ka dhënë atyre forcë dhe fuqi dhe nëse kështu vazhdon, do të mbetem edhe pa atdhe… kështu është kur i lejohet kësaj qeverie të ndryshojë Kushtetutën dhe të miratojë ligje për nevoja ditore… opozita bën kuorumin. Vetëm vazhdoni…Maqedoni e mjerë”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, Petre Staneski ka komentuar duke e akuzuar për marrëveshjen kryeministrin aktual, Zoran Zaev, të cilit, sipas tij, nuk i intereson gjë tjetër pos që të jetë pjesë e Qeverisë, qoftë edhe dëm të interesave shtetërore.

“Për Zaevin mjafton që ai të jetë në Qeveri dhe të tjerët të jenë pjesë e Qeverisë, BDI, Alternativa, atij i mjafton të çojë para agjendën për shpërbërjen e ish-Republikës së Maqedonisë...”, tha Staneski.

Por, Sefer Selimi, aktivist i shoqërisë civile, thotë për Radion Evropa e Lirë, se komentet e tilla nuk ndikojnë në prishjen e raporteve ndëretnike.

Ai thotë se njerëzit më tepër janë të brengosur për jetesën e tyre, sesa për atë se kush do të bëhet ministër.

“Si zakonisht, gjuha e urrejtjes më shumë është instrumentalizuar nga partitë politike për t’u shërbyer qëllimeve dhe interesave të caktuara partiake. Edhe në këtë rast kjo ka për qëllim që të destabilizojë më tepër Qeverinë sesa t’i prishë marrëdhëniet ndëretnike mes qytetarëve, të cilët në fund të ditës më shumë janë të interesuar nëse po u përmirësohet jeta e tyre sesa kush do të udhëheqë me Qeverinë, apo e kujt do të jetë, më shumë e shqiptarëve apo e maqedonasve”, thotë Selimi.

Mirjana Maleska, njohëse e raporteve ndëretnike, thotë për Radion Evropa e Lirë se reagimet në opinion se partisë Alternativa i janë dhënë shumë poste në Qeveri, nuk do ta rrezikojnë bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.

“Edhe pse e gjithë kjo mund të duket se shqiptarëve u është dhënë shumë, se u është lejuar shumë pjesëmarrja në qeverisje, apo se kanë një barrë të rëndë në vendimmarrje, megjithatë mendoj se nuk jemi në një situatë që kjo të mund të rrezikojë ekuilibrin në vend, apo të ndahemi në maqedonas dhe shqiptarë. Përkundrazi, duhet të bashkohemi, sepse ne kemi nxjerrë një mësim nga përvoja e vitit 2001. Maqedonia e Veriut është shtet i përzier dhe ndarjet e tilla janë të papranueshme nga të gjitha forcat politike”, thotë Maleska.

Aktivisti Selimi konsideron se Qeveria është e të gjithë qytetarëve, pavarësisht se kush i drejton ministritë.

“Ministrat u shërbejnë të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm një etnie të caktuar. Pra, a do të thotë kjo se ministrat, të cilët janë maqedonas apo ata të cilët gjithë këto vite kanë qenë maqedonas, iu kanë shërbyer vetëm maqedonasve? Ne nuk duhet të harrojmë se përveç përfaqësimit etnik, i cili flet për gjithëpërfshirjen e qytetarëve në Qeveri, duhet të kemi edhe përfshirje gjinore, pasi kjo është ajo ku ne çalojmë aktualisht”, thotë Selimi.

Ai mendon se debatet e këtilla për Qeverinë, që ende janë të pranishme, por jo në masë të madhe, sipas tij, dëshmojnë se këtu ende ka njerëz që postet drejtuese i shohin në prizmin e përkatësisë etnike.

Selimi dhe Maleska thonë se partitë politike duhet të mbajnë llogari për ruajtjen e raporteve të mira ndëretnike dhe këtë, sipas atyre, ato mund ta bëjnë vetëm duke vendosur në pozicione kuadro të mirëfillta, profesionistë, që do jenë të aftë të jenë në shërbim të qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG