Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti, sipas analistëve politikë në Kosovë do të përballet me presion e sfida të mëdha, si në rrafshin e brendshëm po ashtu edhe atë të jashtëm.
Analistët konsiderojnë se për shkak të brishtësisë së numrave në kuvend dhe përbërjes së koalicionit, ajo do të jetë në presione të vazhdueshme.
Qeverinë e re e Kosovë e përbën koalicioni qeverisës ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Listës Serbe dhe partive të komuniteteve të tjera.
Your browser doesn’t support HTML5
Analisti i çështjeve politike, Fisnik Halimi, tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria Hoti nuk do të arrijë t’ju bëjë ballë presioneve politike nga opozita, por edhe sfidave të tjera që Kosova ka para vetës.
“Kjo qeveri nuk mund të përballet me asnjë presion për shkak të brishtësisë së numrave. Realisht, kjo qeveri në çdo moment mund të kërcënohet nga individë të cilët vijnë nga së paku tetë parti të ndryshme politike, si shqiptare po ashtu edhe serbe dhe të minoriteteve të tjera”, tha Halimi.
Roli i qeverisë së re në bisedimet me Serbinë
Çështja më urgjente sa i përket politikës së jashtme, sipas analistëve, është dialogu me Serbinë dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht detyruese.
Në këtë drejtim Halimi tha se qeveria nuk do të mund të ndërmarrë asnjë veprim, pasi që sipas tij, me këtë çështje do të merret presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Sa i takon dialogut, kjo qeveri nuk do të ketë e as nuk mund të ketë asnjë rol të vetëm në këtë proces. Nëse do të ketë skenar për arritjen e marrëveshjes [Kosovë –Serbi], atëherë ajo marrëveshje do të negociohet nga presidenti dhe do të votohet nga kuvendi”, tha Halimi.
SHIKONI EDHE: Grenell thotë se mezi pret bashkëpunimin me qeverinë HotiJeta Krasniqi analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se pos sfidave në rrafshin e pandemisë, dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë, Qeveria Hoti do të përballet edhe me një presion të madh nga opozita në Kuvendin e Kosovë.
“Çdo numër apo çdo deputetë do të jetë i rëndësishëm për të shtyrë përpara programin qeverisës e nisma ligjore. Nga ana tjetër, kemi një opozitë e cila pritet të jetë aktive e kundërshtuese, nëse flasim për Lëvizjen Vetëvendosje. Në ndërkohë për PDK-në vlerësoj se mund të jetë një opozitë e cila në momente të caktuar mund edhe të ofrojë mbështetjen e saj për projektet më madhore. Por, prapë do të ketë sfida Qeveria Hoti me një opozitë kaq të madhe, e një proces kaq delikat siç është dialogu Kosovë- Serbi”, tha ajo.
SHIKONI EDHE: Vuçiq nuk e përjashton mundësinë e rifillimit të dialogutAnalisti tjetër i çështjeve politike, Albert Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë se kryeministri Hoti merr drejtimin e ekzekutivit në një moment shumë të ndjeshëm, sidomos në aspektin e brendshëm.
“Dy qeveritë e fundit të Kosovës, nuk kanë mundur t’i bëjnë ballë presionit ndërkombëtar për çështjen e dialogut dhe që të dyja kanë dhënë dorëheqje ose janë shkarkuar përmes mocionit të mosbesimit. Kështu që dy kryeministra kanë shkuar, ta quaj ashtu, për shkak të procesit të dialogut. Edhe Qeveria Hoti do ta ketë sfidën kryesore dialogun”, tha Krasniqi.
Your browser doesn’t support HTML5
Hoti ka dhënë premtime se do të punojë në rimëkëmbje ekonomike të vendit dhe se do të arrijë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, marrëveshje kjo e cila do t’i mundësonte Kosovës sigurimin e një ulëseje në Kombet e Bashkuara.
Dy nga prioritet e kryesore të qeverisë së re u tha se do të jenë menaxhimi i situatës së pandemisë dhe zhvillimi ekonomik.