Qeveria e Kosovës ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka diskutuar për dy tema në takimet e 18 gushtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Takimet kanë përfunduar pa marrëveshje.
Sipas Qeverisë, në takim është diskutuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes përfundimtare.
Sipas saj, Kurti ka theksuar se kjo marrëveshje duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, prandaj edhe “ ka prezantuar disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë”.
“Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, është thënë mes tjerash në komunikatën e Qeverisë.
Edhe pas disa orësh negociata, Kosova dhe Serbia nuk arritën marrëveshje për targat dhe dokumentet serbe.
SHIKONI EDHE: Borrell: S'ka marrëveshje, negociatat do të vazhdojnëKurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime ndaras me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, por edhe takime të përbashkëta.
Borrell ka thënë se takimet e 18 gushtit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, nuk kanë qenë "takime të zakonshme", por "takime për menaxhimin e krizës".
Takimet në Bruksel u thirrën pasi serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht vendosën barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.
Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.
Serbia e ka zbatuar atë menjëherë.
Kosova e ka zbatuar më 1 gusht - për pak orë - pikën për dokumentin për hyrje/dalje dhe e ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator, me qëllim të uljes së tensioneve në veri.
Ndërkohë serbët i kanë hequr barrikadat.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar po ashtu një shtyrje të tillë, ndonëse kanë thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë këto vendime.
Kryeministri Kurti nuk është deklaruar pas takimeve, derisa Vuçiq – teksa po mbaheshin takimet në Bruksel – ka thirrur një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, i cili do të mbahet të dielën, më 21 gusht, në Beograd, sipas mediave në Serbi.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, u ka thënë gazetarëve se Vuçiq do të qëndrojë në Bruksel edhe për një kohë dhe se do t'i drejtohet publikut serb të premten, më 19 gusht, në Beograd.
SHIKONI EDHE: Grafiti me porosinë “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu” në Mitrovicën e VeriutDialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur 11 vjet më parë.
Deri më tani janë arritur më shumë se 20 marrëveshje në fushat si ajo e energjisë, telekomunikacionit, drejtësisë, doganave, lirisë së lëvizjes, por jo të gjitha janë zbatuar.
Kosova insiston që dialogu për normalizim të marrëdhënieve të përmbyllet me njohje reciproke në mes të të dyja vendeve.
Serbia, në anën tjetër kërkon zgjidhje kompromisi.