Në Mitrovicën e Veriut, sot në mëngjes, në ditën kur në Bruksel zhvillohet dialogu i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u shfaq grafiti me porosinë “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Ne po presim!".
Grafiti është nënshkruar nga "Brigada e Veriut", me një logo në të cilën mund të shihet edhe një kryq me katër 'S', që është simboli kombëtar serb, i cili gjendet edhe në flamurin e Serbisë.
Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut nuk kishte asnjë informacion për grafitin, apo se kush qëndron prapa tij.
Në Bruksel është duke u zhvilluar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Paraprakisht, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, zhvilloi takime të ndara me dy liderët.
Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian më herët është bërë e ditur se takimi trepalësh do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që Kurti dhe Vuçiqi takohen në Bruksel.