Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, aktualisht ka 21 ministra, tre zëvendëskryeministra dhe 80 zëvendësministra. Të gjithë këta zyrtarë, kanë të punësuar edhe numër të madh të këshilltarëve të tyre politik.
Por, një Qeveri kaq e madhe për një vend me më pak se dy milionë banorë, nuk parashihet të jetë e tillë në mandatin e Qeverisë së ardhshme, pasi që kjo çështje pritet të rregullohet me Ligjin për Qeverinë. Përmes këtij ligji, ekzekutivi në Kosovë, po synon të ulë numrin e ministrive, përkatësisht ministrave, por edhe të zëvendësministrave.
Kryesuesi i Komisionit për hartimin e Projektligjit, Besnik Tahiri, që njëherësh është edhe Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, tha për Radion Evropa e Lirë se Ligji për Qeverinë, është ligji i dytë më i rëndësishëm për administratën e shtetit, pas miratimit të pakos së reformave shtetërore.
Video nga arkivi
Sipas tij, ky ligj, e rregullon funksionimin dhe përgjegjësitë e ministrive si dhe trajton aspektin që lidhet me numrin e resorëve. Në masë të madhe, thekson ai, ligji në fjalë i saktëson detyrat dhe përgjegjësitë e secilit sektor veç e veç.
“Ky ligj nuk do të ketë kuptim nëse nuk sanksionohet, nuk vendoset një tavan për numrin e ministrive, që nënkupton që ky ligj, detyrimisht do të bëj zvogëlimin e ministrive, sikurse që do të bëjë zvogëlimin e zëvendëskryeministrave dhe zëvendësministrave”, tha Tahiri.
Ai beson se Ligji për Qeverinë, do të kalojë në procedurat e nevojshme në Kuvend në javët në vijim dhe si i tillë të miratohet.
“Ne kemi mbajtur gjashtë takime të komisionit qeveritar, ku unë jam kryesues. Kemi një draft të ligjit, po ashtu kemi tri raporte të shoqërisë civile, të tri instituteve kryesore që merren me këtë temë. Pastaj do të bëjmë diskutime me partitë parlamentare opozitare, për shkak se ky ligj nuk është vetëm për këtë qeveri, por është edhe për qeveritë tjera që vijnë. Mbi këtë bazë, ne jemi të bindur që ky ligj do të jetë ligj jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe në funksion të agjendës zhvillimore të vendit”, tha Tahiri.
SHIKONI EDHE: Miliona euro harxhime për zëvendësministratEdhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se me këtë ligj nuk po bëhet vetëm zvogëlimi mekanik i numrit të të zgjedhurve, por po bëhet një hap shumë më përpara. Me Ligin për Qeverinë sipas shefit të ekzekutivit, saktësohet përgjegjësia e secilit.
Ligji për Qeverinë, është një nga pesë kushtet e Partisë Socialdemokrate për miratimin e buxhetit për vitin 2019, ku ata kërkuan zvogëlimin e numrit të zëvendësministrave. Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Social Demokrate, Dardan Sejdiu, tha për Radion Evropa e Lirë se përveç Ligjit për Administratë Shtetërore, Ligjit për Pagat, duhet të kemi edhe një ligj për Qeverinë.
Në këtë formë, sipas Sejdiut, njëherë e përgjithmonë, duhet të mbyllen mundësitë që të manipulohet qoftë me paga, qoftë me ministra e zëvendësministra.
“Pra që të kemi një sistem në vend, i cili pavarësisht se kush është kryeministër nuk mund të abuzojë apo keqpërdorë pozicionin për të akomoduar pazare partiake parazgjedhore. Ligji për Qeverinë duhet të përcaktojë numrin maksimal të ministrave dhe se numri i zëvendësministrave për ministri nuk duhet të jetë më shumë se dy”, tha Sejdiu.
Por, deputeti opozitar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha për Radion Evropa e Lirë se ky ligj nuk e ka zanafillën në këtë Qeveri. Sipas tij, Ligji për Qeverinë, por edhe Ligji për Pagat, kanë qenë të përgatitura në kohën e qeverisjes së ish-kryeministrit Isa Mustafa.
“Kjo është e vërtetë, bile edhe Ligji për Qeverinë ka qenë i bashkëngjitur në kalendarin, gjegjësisht agjendën për Kuvend. Normalisht nuk është arritur atëherë. Tash ne si Kuvend, si deputetë ende nuk e kemi shqyrtuar, edhe si LDK po flasë. Normalisht që lirisht mund të themi, që disa ligje që po miratohen më shumë po tentohet – me përgjegjësi e them – më shumë po kanë të kenë efekt politikë dhe elektoral, mbi të gjitha”, tha Beqiri.
SHIKONI EDHE: Shpikja e pozitave shumëfishon nevojat për punësim në institucioneDeputeti Beqiri tha se Ligji për Qeverinë, duhet të prek së pari Qeverinë aktuale.
“Nëse themi se po nxjerrim Ligj për Qeverinë ashtu sic kemi dëgjuar, po flas vetëm ashtu siç kemi dëgjuar sepse nuk e kemi parë ende, thuhet se vlen për qeverinë e ardhshme, po ashtu, kjo lë hapësirë për të treguar që Qeveria aktuale – partnerët e koalicionit, e kanë mbushur Qeverinë me zëvendësministra dhe njerëz të tjerë që janë pjesë e Qeverisë. Ndërsa tash mendojnë se gjoja po bëjnë diçka për të ardhmen”, tha Beqiri.
Dardan Sejdiu nga Partia Socialdemokrate, tha se ligji hyn në fuqi në momentin kur votohet nga Kuvendi.
“Vetëm nëse aty përmendet me ndonjë nen që hyn në fuqi pas një kohe të caktuar, por për ne është me interes që të hyjë në fuqi menjëherë që të reduktojmë këtë qeveri të madhe. Unë besoj që më mirë është të kemi ligj për një çështje, sesa të vazhdojë kaosi në administratën shtetërore. Për 18 vjet kemi kaos në organizimin shtetëror dhe nuk besoj që argumenti që me 31 vota mund të shkruhet një ligj i ri është argument valid për të mos e bërë një ligj të mirë sot”, tha Sejdiu.
Ndërkaq, anëtarë të shoqërisë civile, që vazhdimisht e kanë kritikuar numrin e madh të zëvendësministrave dhe këshilltarëve politikë të ministrave, e vlerësojnë si të qëlluar iniciativën për të bërë Ligjin për Qeverinë, pasi qëllimi kryesor i ligjit, është të kufizojë numrin e ministrave, zëvendësministrave dhe këshilltarëve.
Megjithatë, sipas Isuf Zejnës nga Demokraci Plus, kjo iniciativë ngrit dilema në lidhje me nevojën për të pasur këtë ligj, për shkak se aprovohet si ligj i thjeshtë me një shumicë të thjeshtë në Kuvendin e Kosovës.
“Mirëpo dilemat janë tash se një ligj i cili aprovohet me shumicë të thjeshtë, atëherë a do të mund t’i rezistojë këtyre tendencave për të bërë qeveri si kjo aktualja me numër shumë të madh të ministrave dhe zëvendësministrave. Kush mund ta ndalë? Një ligj që aprovohet me shumicë të thjesht edhe ndryshohet me shumicë të thjesht. Kështu që, si i tillë, nuk paraqet kurrfarë garance që koalicioni i ardhshëm nuk do të ketë numër edhe më të madh të ministrave apo ministrive”, tha Zejna.
Zejna ndanë mendimin me deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, se Ligji për Qeverinë, duhet të fillojë së zbatuari së pari me Qeverinë Haradinaj. Mirëpo sipas tij, gjithçka do të varet prej Kuvendit dhe grupit punues.
“Aktualisht vullneti është që në dispozitat kalimtare me thanë që ky ligj nuk vlen për këtë mandat të Qeverisë. Mirëpo tash nëse ka mundësi që kur projektligji të sillet në Kuvend, të ndryshohet kjo dhe ligji ta obligojë edhe këtë koalicion dhe këtë mandatar të Qeverisë që t’i bëjë reformat e nevojshme. Për shkak se në një farë forme, është edhe e padrejtë. Të aprovohet një ligj, i cili i ndikon vetëm pasardhësit ose qeverinë e ardhshme, por jo edhe mandatin aktual kur qeveria e cila po e sponsorizon këtë ligj, është duke udhëhequr me një numër të ministrave, sidomos zëvendësministrave”, tha Zejna.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile, kanë vlerësuar se këto pozita qeveritare i kushtojnë buxhetit të shtetit të Kosovës, deri në tre milionë euro në vit, pasi paga mujore e një zëvendësministri është rreth 1200 euro.
80 zëvendësministrat e Qeverisë Haradinaj do të vazhdojnë të marrin 70% të pagës nga buxheti i shtetit edhe gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit.