Ndërlidhjet

Miliona euro harxhime për zëvendësministrat


Mbledhja e Qeverisë së Kosovës, 6 dhjetor 2017
Mbledhja e Qeverisë së Kosovës, 6 dhjetor 2017

Kabineti qeveritar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nga përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe opozita, po vlerësohet i mbipopulluar. Sidomos, bëhet fjalë për numrin e madh të zëvendësministrave. Aktualisht, janë të punësuar 67 zëvendësministra, duke lënë prapa, për kah numri i madh, edhe disa vende të Bashkimit Evropian, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Kabineti qeveritar deri më tani përbëhet nga Ramush Haradinaj kryeministër, pesë zëvendëskryeministra, 21 ministra dhe 67 zëvendësministra.

Halil Matoshi, këshilltar për media në kabinetin e kryeministrit të Kosovës, thotë se nuk ka ndonjë llogari sa është kostoja financiare e këtyre zëvendësministrave, por sipas tij, koalicioni i gjerë qeverisës ka sjellë një situatë të tillë.

“Secila ministri e arsyeton apo justifikon këtë numër duke përshkruar punët ose veprimet të cilat do t’i bëjnë këta zëvendësministra. Dhe ju e dini se kemi të bëjmë me një koalicion të madh, me 22 subjekte dhe grupe politike, prandaj është gjendja kjo që është”, tha Matoshi për Radion Evropa e Lirë.

Nga shoqëria civile, vlerësohet se kostoja financiare për mbulimin e shpenzimeve për shkak të numrit të madh të zëvendësministrave është e lartë.

Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, thotë se këto pozita qeveritare i kushtojnë buxhetit deri në tre milionë euro në vit.

Ai vlerëson se një numër, sipas tij, kaq i madh i zëvendësministrave dhe pozitave politike, nuk është caktuar për të kryer punë të domosdoshme në Qeveri, por për të përmbushur egot e partive politike për pozita të larta qeveritare.

“Në rast se janë mbi 60 zëvendësministra, me nga 1000 euro pagë minimum, dhe secili prej tyre ka të drejtë të ketë dy asistentë, përafërsisht të dytë me pagë rreth 1000 euro. Pra, që në start vetëm pagat fillestare në muaj janë 120 mijë euro. Mos të flasim për shërbime tjera, siç janë shpenzimet e telefonit, mëditjet për udhëtime jashtë shtetit, derivatet e naftës e të tjera. Atëherë mund të them se vetëm zëvendësministrat dhe stafi ndihmës i tyre, mund të kalojë shifrën prej tre milionë euro për një vit”, thotë Demhasaj.

Bazuar në këto llogaritje, del se shpenzimet për zëvendësministrat, gjatë një mandati prej katër vjetëve, do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës mbi 12 milionë euro.

Edhe ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, aktualisht deputet në Kuvend nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se punësimi i rreth 70 zëvendësministrave, me nga tre veta staf, buxhetit do t’i kushtojë rreth 3.5 milionë euro.

Rritja e numrit të ministrive dhe posteve të zëvendësministrave, përveç kostos financiare krijon edhe vështirësi në koordinim, thotë Florent Spahija, këshilltar ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës.

“Unë mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në reduktimin e numrit të zëvendësministrave, por edhe në reduktimin e numrit të ministrive brenda kabinetit qeveritar, dhe të fokusohet në punë efektive, në mënyrë që të arrihen objektivat që i ka vendosur përpara si Qeveri”, shprehet Spahija.

Ndryshe, nga shoqëria civile është vlerësuar se Kosova në vazhdimësi kishte Qeveri me më shumë ministri sesa që i nevojiten ekzekutivit të një vendi të vogël.

Me tone kritike ndaj kabineteve të mëdha qeveritare ishte shprehur edhe vet kryeministri Ramush Haradinaj, në kohën kur ishte pjesë e opozitës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG