Autoritetet në landin jugor gjerman të Bavarisë fshinë një video, e cila paralajmëronte për rreziqet e ekstremizmit islamik.
Disa politikanë e përshkruan atë si “mbeturinë raciste” dhe e krahasuan me propagandën e epokës naziste.
Videoja e publikuar në X nga Ministria e Brendshme e Bavarisë më 2 shtator kishte një muzikë serioze në sfond dhe shfaqte një klerik të vizatuar mysliman duke qeshur, teksa gëlltiste një grua të re. Gruaja më pas shfaqet e veshur me hixhab, duke qarë dhe duke pastruar kuzhinën në një martesë poligamie.
Me qëllimin e deklaruar për të paralajmëruar për rreziqet e salafizmit - një lëvizje kjo sunite ultra-konservatore - videoja shkaktoi reagime pothuajse të menjëhershme nga disa ligjvënës gjermanë, të cilët e akuzuan ministrinë për shpërndarje të propagandës së papërpunuar dhe për nxitje të ndjenjave antimyslimane.
“Një videoklip tërësisht racist nga Ministria e Brendshme bavareze! Patetike, sidomos në këto kohë! Në vend të dëbimit dhe nxitjes, ne duhet të mbajmë një qëndrim kundër racizmit antimysliman”, shkroi në platformën X Nicole Gohlke, anëtare e Parlamentit gjerman nga Partia e Majtë.
Videoja u publikua në kohën kur në shoqërinë gjermane, sipas studiuesve, është duke u rritur islamofobia, si dhe numri i incidenteve antimyslimane.
Ajo erdhi, po ashtu, pas suksesit zgjedhor që shënoi partia kundër imigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), në dy lande gjermane, më 1 shtator.
SHIKONI EDHE: Fitorja e AfD-së në zgjedhje drithëron politikën në Berlin“Urrejtje dhe nxitje direkt nga ministria, kur një ditë më parë ishin ende të befasuar me rezultatet e mira të AfD-së”, shkroi në X ligjvënësi i Partisë së Majtë, Ferat Kocak.
Kocak pyeti, gjithashtu, nëse Ministria e Brendshme bavareze është duke përdorur karikatura, të cilat kujtojnë propagandën naziste kundër hebrenjve, për të nxitur urrejtje kundër myslimanëve.
Avokatja Niema Movassat, një politikane tjetër e Partisë së Majtë dhe ish-deputete, e cilësoi videon si “mbeturinë të pabesueshme raciste” dhe tha se do të shqyrtojë një ankesë të mundshme penale për nxitje, kundër ministrit të Brendshëm bavarez, Joachim Herrmann.
SHIKONI EDHE: Peizazhin politik të Gjermanisë e rrezikon rritja e forcave të ekstremit të djathtë dhe të majtëMinistria e fshiu më vonë postimin në X dhe i tha Radios Evropa e Lirë më 3 shtator se i vjen “shumë keq nëse videoja ka çuar në acarim dhe keqkuptime”.
“Ne i marrim kritikat për videon shumë seriozisht dhe e kemi ndalur fushatën për momentin”, tha një zëdhënës i ministrisë në një deklaratë me shkrim.
Zëdhënësi tha se videoja ishte pjesë e një fushate të re në mediat sociale “për t’i informuar njerëzit për rreziqet që paraqesin salafistët dhe islamistët e tjerë”, si dhe “për t’i demonstruar metodat e tyre”.
“Meqenëse puna për parandalimin dhe deradikalizimin në luftën kundër salafizmit është shumë e rëndësishme për ne, ne do t’i ripunojmë skenat e videos. Megjithatë, rreziqet e salafizmit nuk duhet të banalizohen”, tha zëdhënësi.
Videoja në fjalë shfaqte gruan e re edhe duke u joshur përmes mediave sociale, pasi pyeti në internet nëse grave myslimane u lejohet të përdorin grim.
Komisioni Evropian i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka “ndonjë koment specifik për këtë video”.
“Gratë myslimane luajnë një rol shumë aktiv në shoqërinë e BE-së. Kjo është një gjë pozitive”, tha një zëdhënës i Komisionit.
Rreth 5.5 milionë ndjekës të Islamit jetojnë në Gjermani - prej tyre rreth tre milionë janë shtetas gjermanë.
Këto janë të dhëna të Konferencës Gjermane të Islamit - një nismë e ndërmarrë qysh në vitin 2006 nga Ministria e Brendshme Federale e Gjermanisë, e cila mbikëqyr çështjet e azilit, migrimit dhe integrimit në këtë vend.
Christiane Feichtmeier, zëdhënëse për politikën e brendshme të Partisë së Social-Demokratëve në Bavari, tha për agjencinë DPA se videoja “e ka bërë atë që ta tundte kokën”.
Ajo tha se lufta kundër salafizmit është e rëndësishme, por se “nuk bën të ndodhë që paratë e taksapaguesve të shpenzohen për diçka që nuk funksionon ose ndoshta edhe shkakton dëm. Kjo është, padyshim, përshtypja që lë videoja tek unë dhe të tjerët”, raportoi DPA.