Ndërlidhjet

Peizazhin politik të Gjermanisë e rrezikon rritja e forcave të ekstremit të djathtë dhe të majtë


Posterë zgjedhor të partisë së ekstremit të djathtë AfD, me kandidatin kryesor Bjoern Hoecke (lart) dhe me kandidaten nga Aleanca e majtë Sahra Wagenknecht BSW, më 20 gusht 2024 në Altenburg, Turingia, në Gjermani.
Posterë zgjedhor të partisë së ekstremit të djathtë AfD, me kandidatin kryesor Bjoern Hoecke (lart) dhe me kandidaten nga Aleanca e majtë Sahra Wagenknecht BSW, më 20 gusht 2024 në Altenburg, Turingia, në Gjermani.

Ndërsa shumica e njerëzve po fokusohen në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara në nëntor, janë edhe disa zgjedhje të tjera këtë vjeshtë, të cilave ia vlen t’u kushtohet vëmendje.

Nuk do të jenë të rëndësishme aq sa ato në SHBA, porse votimet rajonale në tri landet e ish-Gjermanisë Lindore - Brandenburg, Saksoni dhe Turingi - mund të kenë ndikim serioz në shtetin më të madh dhe më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian.

Kjo, për shkak se koalicioni kombëtar qeveritar po bëhet gjithnjë e më jopopullor dhe pikëpyetjet për mbështetjen e ardhshme të Gjermanisë për Ukrainën po shtohen.

Turingia dhe Saksonia shkojnë në zgjedhje më 1 shtator, ndërsa Brandenburgu tri javë më vonë, më 22 shtator.

Këtu, vlen të theksohet se Gjermania nuk ka pasur kurrë një parti të ekstremit të djathtë që përfundon e para - në asnjë palë zgjedhje shtetërore pas Luftës së Dytë Botërore.

Pjesa më e madhe e Evropës Perëndimore ka parë rritje të populistëve të ekstremit të djathtë - madje në disa vende ata kanë formuar qeveri në dekadën e fundit - por simbolika e kësaj në Gjermani, marrë parasysh trashëgiminë e saj të shekullit 20, është më e rëndësishme.

Përpara zgjedhjeve evropiane në maj, AfD-ja është përjashtuar nga familja e saj në partinë politike evropiane, Identiteti dhe Demokracia. Këtë veprim e kanë ndërmarrë fraksionet e tjera si Tubimi Kombëtar i Marine Le Penit dhe Liga Italiane, për faktin se ka qenë shumë kontroverse dhe radikale.

Më vonë, ajo ka formuar grupin e saj të djathtë, të quajtur Evropa e Kombeve Sovrane. Partia është klasifikuar si “ekstremiste e djathtë” nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës - që mbikëqyr sigurinë e brendshme - si në Saksoni, ashtu edhe në Turingi. Në Turingi, po ashtu, kandidati kryesor i partisë, Bjorn Hocke, është dënuar për përdorimin e sloganeve naziste.

Por, kjo nuk është e gjitha. Paralelisht, është duke lulëzuar edhe e majta ekstreme.

Një parti e sapokrijuar, e ndarë nga partia e së majtës Linke dhe e quajtur Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW), po shkon gjithashtu mirë. Ajo pritet të sigurojë 15 deri në 20 për qind të votave në të tria landet dhe mund të përfundojë në vendin e dytë ose afër të tretit në secilin prej tyre.

Partia është e përqendruar rreth Sahra Wagenknechtit, e cila prej kohësh ka anuar në të majtën ekstreme.

Dikur anëtare e Partisë Socialiste të Unitetit të Gjermanisë (SED), në diktaturën komuniste të Gjermanisë Lindore, ajo tani po përpiqet ta ristrukturojë hartën politike të vendit. Partia Linke ngec pas saj dhe ajo arriti të bëjë që burri i saj, Oskar Lafontaine, i parë si “plak i madh” i së majtës në Gjermani, t’i bashkohet asaj.

Por, ato që janë më interesante, janë pozicionet e saj politike. Ajo është kritike e shquar e imigracionit dhe kritikon politikat e gjelbra. Në shumë mënyra, pikëpamjet e saj janë mjaft të ngjashme me ato të AfD-së. Të dyja partitë janë euroskeptike, kundër NATO-s, kritike ndaj më shumë imigrantëve në Gjermani, më të buta me Rusinë dhe kundër mbështetjes ushtarake për Ukrainën. Dhe, së bashku, AfD-ja dhe BSW-ja mund të marrin afër 50 për qind të votave në të tria landet.

Tani, këtu ka edhe disa rrethana lehtësuese. E para është se BSW-ja, sikurse të gjitha partitë e tjera politike, është zotuar se nuk do të hyjë në asnjë aleancë me AfD-në. Kështu që, edhe nëse AfD-ja përfundon e para në të gjitha ose në disa prej landeve, duke pasur shansin e parë për të emëruar presidentin e parlamentit të landit, ajo nuk ka të ngjarë të ketë mbështetje të mjaftueshme. Nga ana tjetër, ajo mund t’i bllokojë disa vendime të rëndësishme, si emërimet e gjyqtarëve dhe ndryshimet në Kushtetutë, nëse siguron më shumë se një të tretën e vendeve në legjislaturë.

Gjithashtu, vlen të kujtohet se të tria këto lande gjenden në ish-Gjermaninë Lindore.

Ndonëse nuk janë një entitet homogjen, shtetet në ish-Republikën Demokratike Gjermane janë më të prira për të votuar për partitë populiste, pasi ato ende ndiejnë efektet e tronditjes ekonomike nga bashkimi i Gjermanive. Shumë votues atje ushqejnë ende ndjenja antiperëndimore dhe antiamerikane dhe mbështesin marrëdhënie më të ngushta me Moskën.

Këto tri palë zgjedhje tregojnë se sa e ndarë mbetet Gjermania mes ish-pjesës së saj perëndimore dhe asaj lindore, edhe më shumë se 30 vjet pas bashkimit, por ato nuk pasqyrojnë ndjenjën e vendit në tërësi, pasi AfD-ja dhe BSW-ja janë dukshëm më pak të popullarizuara në nivel vendi.

Por, çfarë nuk mund të shpërfillet, është efekti i mundshëm që do ta kenë këto zgjedhje në Berlin. Zgjedhjet e ardhshme federale mbahen pas dymbëdhjetë muajsh.

A do të mund të qëndrojë së bashku, për aq gjatë, një koalicion tashmë i lëkundur i Socialdemokratëve (SPD), të Gjelbërve dhe FDP-së liberale?

Këto dy të fundit duket se do të fshihen në të tria palë zgjedhjet, duke mos e kaluar pragun prej 5%. Dhe, Socialdemokratët - një fuqi e dukshme në politikën gjermane për një kohë të gjatë - aktualisht kanë vota me një shifër në Saksoni dhe Turingi. Vetëm në Brandenburg, kjo parti duket se po ec disi mirë dhe parashikohet të përfundojë e dyta, pas AfD-së, me rreth 20% të votave.

Nga partitë kryesore, duket se CDU-ja e qendr ës së djathtë do t’i sfidojë vërtet forcat populiste. Ajo, potencialisht, mund ta fitojë AfD-në në Saksoni dhe të synojë të përfundojë në vendin e dytë në dy landet e tjera.

Por, përkundër faktit se të gjitha partitë e përjashtojnë (ende) aleancën politike me AfD-në, disa koalicione të vështira pritet të ndërtohen.

Nuk është e pamundur që CDU-ja dhe BSW-ja të lidhen, edhe pse duket se nuk pajtohen në shumicën e pikave. Për më tepër, për sa kohë mund të përjashtohet AfD-ja?

Pastaj, lind edhe pyetja se sa nga agjendat dhe pozicionet e AfD-së dhe BSW-së do të miratohen nga partitë kryesore në prag të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm?

Kjo ka rëndësi për Evropën, po aq sa Gjermania. Pozicionet për çdo gjë, nga mbështetja për Ukrainën deri tek imigracioni, mund të forcohen - dhe kjo do të jehojë përtej Berlinit.

Mes tri landeve, që përbëjnë afërsisht 10% të popullsisë së Gjermanisë, ka disa dallime rajonale, por trendi te to është i njëjtë: Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë është në rritje dhe mund të përfundojë e para në të tria. Pritjet janë që ajo të sigurojë 25 deri në 30 për qind të votave në secilin land.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG