Ide të mëdha për zhvillimin e qendrës së skijimit në Brezovicë kishte pasur Qeveria e Kosovës në prill të vitit 2015 kur nënshkroi një kontratë me konsorciumin francez “MDP Consulting - Compagnie des Alpes” për t’ia dhënë me koncesion për 99 vjet Brezovicën. Planifikoheshin 410 milionë euro investime. Por, kjo përpjekje dështoi në vitin 2016 kur ky konsorcium, dështoi t’i siguronte paratë për investime qysh në fazën e parë.
Nga viti 1999 qendra e skijimit u menaxhua nga ato që institucionet i quajtën ‘struktura paralele’ e që kryesisht ishin serbë lokalë nga Komuna e Shtërpcës.
Por, çfarë është Brezovica sot dhe çfarë ka mbetur nga hotelet që në vitet '80-'90, joshnin mijëra vizitorë?!
Askush nuk është në hotel Molika
Hotel Molika është prej objekteve në kuadër të Qendrës së Skijimit në Brezovicë. Është ndërtuar në vitet '80 dhe gjendet shumë pranë pistës së skijimit. Dikur ishte hotel i kategorisë B dhe mbante tre yje.
Objekti është i vjetruar nga jashtë, e i shkatërruar brenda. Radio Evropa e Lirë ka hyrë në këtë hotel që aktualisht nuk ofron ndonjë shërbim.
Këtu përpos rojeve nuk gjendet njeri.
Korridoret janë në terr, ashensorët jofunksionalë dhe në recepsion nuk shërben askush.
Kjo është sallë argëtimi, porse në të gjendet vetëm një tabelë e vjetër pingpongu, një tavolinë e bilardos, ulëse të ndotura e tepihë të shqyer.
Sipas të dhënave në faqen e Qendrës së Skijimit në Brezovicë në këtë hotel nuk është investuar asnjëherë që nga fillimi i viteve '90.
Teleferiku i së kaluarës
Shumë pranë hotelit Molika është i vendosur teleferiku. Derisa në vendet e rajonit, në qendrat e skijimit janë instaluar teleferikë të rinj, në Brezovicë, mbetet i njëjti si në vitet '90.
Në të, nuk janë bërë investime përpos riparimeve të herëpashershme.
Sezoni i skijimit në Brezovicë hapet zakonisht në mes të muajit dhjetor por këtë vit, teleferiku është vënë në funksion vetëm më 16 janar 2022, kur kishte kaluar një pjesë e konsiderueshme e sezonit të skijimit.
Your browser doesn’t support HTML5
Teleferiku i parë në Brezovicë është vendosur në fund të viteve '70.
Hotel Junior, strehë e merimangash
Rreth 9.5 kilometra larg pistës së skijimit gjendet hoteli tjetër Junior që është në kuadër të qendrës turistike të Brezovicës.
Ky hotel në vitet e 90-ta ka shërbyer për të akomoduar turistët.
Këtu, aktualisht nuk ka as roje të objektit.
Në hyrje, pranë karrigeve të shqyera ka mbetur vetëm lista në të cilën nënshkruhen rojet.
Në dyert e hotelit Junior, janë të ngjitura afishe politike me fotografinë e politikanit ultranacionalist serb, Vojsllav Sheshel.
Narcis, më shumë i mbyllur se në ofrim të shërbimeve
Hoteli Narcis është një prej hoteleve më të mëdha në Brezovicë.
Ky hotel që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 është menaxhuar nga struktura që nuk i kanë njohur institucionet e Kosovës.
Deri vonë këtu kanë qëndruar turistë të ndryshëm kryesisht nga Serbia që kanë ardhur për të kaluar disa ditë qëndrimi në Brezovicë, si dhe janë zhvilluar organizime të ndryshme.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë nuk është lejuar që të futet brenda objektit për të fotografuar hapësirat.
Një roje e objektit ka thënë se nuk është i lejuar fotografimi e as xhirimi, si brenda ashtu edhe jashtë hotel Narcisit.
Përveç këtyre hoteleve dhe teleferikut e skilifteve, qendra e skijimit në Brezovicë përfshin edhe objekte të tjera që nuk janë funksionale.
Shteti kthen Brezovicën në pronësi të Kosovës
Brezovica prej përfundimit të luftës është menaxhuar nga struktura serbe që nuk kanë bashkëpunuar me institucionet e Kosovës. Serbia ka luftuar me çdo kusht që ta ketë në pronësi këtë qendër të skijimit, ndërkohë që Kosova ligjërisht ka thënë se i takon pronësia mbi të.
Agjencia e Privatizimit e Kosovës(AKP), ka njoftuar më 13 janar 2022 se ka emëruar Bordin e ri të Përkohshëm Menaxhues të Ndërmarrjes Shoqërore “Inex Sharr Planina Brezovicë” dhe se kjo ndërmarrje me vendim të Bordit të Drejtorëve të AKP-së, dhjetorin e vitit 2020 ishte futur nën administrim direkt të AKP-së.
AKP-ja nëpërmjet një njoftimi ka thënë se Bordit të ri të “Inex Sharr Planina Brezovicë” që menaxhon me qendrën turistike në Brezovicë i është bërë e qartë se duhet të funksionojnë tërësisht bazuar në ligjet e Kosovës duke përfshirë: Instalimin e arkave fiskale; Raportimin financiar e operativ në AKP; Deklarimin e rregullt të tatimeve tek ATK-ja, si dhe zbatimin e ligjeve të Kosovës.
AKP-ja inkurajon çdo vizitor që të kërkojë kupon fiskal në rastin e pagesës për çfarëdo shërbimi.
Zbehja e interesimit amerikan për Brezovicën
Pas dështimit të vitit 2016 të institucioneve të Kosovës që të japin me koncesion Qendrën e Skijimit në Brezovicë, si shpresë për të investuar në këtë vend, vitin e kaluar u pa interesimi i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC).
Brezovica ishte përmendur pak ditë pas nënshkrimit të një dokumenti me zotime të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, më 4 shtator 2020, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Pak ditë pas nënshkrimit të këtyre dokumenteve që kishin për qëllim normalizimin ekonomik, kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC), Adam Boehler, qëndroi në Kosovë ku tha se kanë interesim për të investuar në qendrën e skijimit në Brezovicë.
SHIKONI EDHE: Amerikanët, të interesuar të investojnë në BrezovicëRadio Evropa e Lirë ka pyetur DFC-në se a ka pasur ndonjë komunikim tjetër me Qeverinë e Kosovës dhe nëse institucionet kosovare kanë dorëzuar ndonjë projekt-propozim apo plan për investime në Brezovicë. Por, në DFC kanë thënë se Brezovica nuk është projekt me të cilin ata janë duke u marrë.
“Ne duam të theksojmë se ky nuk është aktualisht projekt të cilin ne po e zhvillojmë”, tha për REL-in zëdhënësi i DFC-së, Pooja Jhunjhunwala.
Plani i Qeverisë
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Qeverinë e Kosovës se cili është plani i saj për qendrën e skijimit në Brezovicë pasi që dhënia me koncesion ka dështuar në vitin 2016, si dhe pasi nuk ka pasur ndonjë zhvillim sa i takon interesimit të DFC-së amerikane për të investuar në këtë resort të skijimit.
Qeveria e Kosovës në një përgjigje për REL-in ka thënë se Brezovicën do ta trajtojë me interes të veçantë.
“Aktualisht, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është në proces të hartimit dhe finalizimit të Strategjisë për Turizmin. Nëpërmjet kësaj strategjie do të trajtohen me interes të veçantë resurset turistike si kompleksi turistik Brezovica, Malet e Sharrit, Alpet Shqiptare etj”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.
Pa dhënë detaje se si e përfshinë Brezovicën, Qeveria ka thënë se ka përgatitur po ashtu edhe projektligjin për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, i cili sipas Qeverisë ka kaluar të gjitha procedurat e konsultimit publik.
Brezovica ngufatet nga ndërtimet
Përveç problemeve politike që kanë ekzistuar sa i takon qendrës së skijimit, Brezovica së fundi është duke u përballur edhe me një problem tjetër serioz, ndërtimet e shumta, me apo pa kritere.
Në këto fotografi të xhiruara nga Radio Evropa e Lirë, verën e vitit 2021, shihen ndërtimet e shumta dhe degradimi që po i ndodhë këtij lokaliteti turistik.
Në fund të dhjetorit të vitit 2021, Policia e Kosovës arrestoi dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ai dyshohet se ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.