Qasja e Rusisë në Starlink rrezikon Ukrainën

Një ushtar ukrainas duke e shkyçur një marrës të Starlinkut pranë vijës së frontit në lindje të Ukrainës.

Trupat ruse në Ukrainë janë duke siguruar qasje shumë të madhe në Starlink, rrjetin privat satelitor të internetit që zotërohet nga Elon Musk dhe në të cilin ushtria ukrainase mbështetet fuqishëm për komunikim në fushëbetejë.

Gjetjet e Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë i vërtetojnë deklaratat e mëparshme të zyrtarëve ushtarakë ukrainas, duke vënë në pah se si aftësitë e Kievit për të siguruar komunikimet e komandës janë mbase në rrezik.

Kjo po ndodh në një kohë kur forcat ukrainase po përballen me mungesë të armatimit dhe të municionit, si dhe me një lodhje të përgjithshme, derisa forcat ruse po i shtyjnë përpara ofensivat e lokalizuara në disa lokacione përgjatë linjës së frontit rreth 1.200 kilometra të gjatë.

SHIKONI EDHE: Kievi pretendon se ushtria ruse po e përdor Starlinkun në zonat e pushtuara

Qyteti industrial Avdivka, në veçanti, është nën trysni të madhe, pasi forcat ruse po shënojnë përparim të qëndrueshëm, duke kërcënuar me rrethimin e forcave ukrainase atje.

Ukraina është mbështetur shumë në Starlinkun, një rrjet i satelitëve të orbitës së ulët, të cilët ofrojnë qasje në internet me shpejtësi të lartë. Ky rrjet është në pronësinë e SpaceX, kompanisë private të hapësirës e cila është në pronësinë e Muskut, sipërmarrësit miliarder amerikan.

Ata përdoren kryesisht në vijën e frontit për komunikime të qëndrueshme mes njësive, mjekëve dhe komandantëve. Trupat ukrainase kanë eksperimentuar gjithashtu edhe duke i instaluar antenat e Starlinkut në dronë të mëdhenj sulmues, të cilët janë mjet thelbësor për trupat ukrainase, por shpesh bllokohen nga sistemet elektronike luftarake të Rusisë.

Megjithatë, një numër në rritje i burimeve brenda ushtrisë ukrainase dhe i aktivistëve civilë kanë dëshmuar se trupat ruse janë duke e përdorur këtë rrjet, qoftë për të komunikuar mes vete, qoftë për t’i përgjuar komunikimet e Ukrainës.

SHIKONI EDHE: ‘Situatë kritike’: Çfarë do të nënkuptonte rënia e Avdivkas për Ukrainën?

Më 11 shkurt, shërbimi i inteligjencës së ushtrisë ukrainase, i njohur si HUR, tha se forcat ruse jo vetëm që po i përdorin marrësit e Starlinkut, por ato po e bëjnë këtë në mënyrë “sistematike”. HUR-i e publikoi edhe një copëz audioje prej, siç tha, një bisede të përgjuar mes dy ushtarëve rusë të cilët po flisnin se si t’i vendosnin marrësit.

Njësitë si Brigadës së 38-të për Sulme Ajrore të Rusisë, e cila lufton në rajonin e uzurpuar pjesërisht lindor, Donjeck, raportohet se po e përdorin këtë sistem, tha zëdhënësi i HUR-it, Andriy Yusov.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, ndërkohë, tha më 13 shkurt se Rusia po siguron marrës të Starlinkut nga disa vende arabe.

Starlinku ka thënë se nuk bën biznes me Qeverinë apo ushtrinë e Rusisë dhe, edhe vetë Masku shkroi në rrjetin e vet social, X, për këtë çështje.

“Ka një numër lajmesh të rreme që pretendojnë se SpaceX po i shet marrës të Starlinkut Rusisë. Kjo është plotësisht e pavërtetë. Me dijeninë tonë të plotë, asnjë Starlink nuk i është shituar Rusisë drejtpërdrejt ajo tërthorazi”, shkroi Musk më 11 shkurt në X.

SHIKONI EDHE: Ukraina përballet me një valë të re të sulmeve ajrore ruse

Trupat ruse mund të kenë siguruar marrës të Starlinkut nga një apo mbase dhjetëra kompani brenda Rusisë, të cilat pretendojnë se i shesin ato për produkte shtëpiake, ka gjetur REL-i.

Një uebsajt rus, i quajtur Topmachines.ru, e reklamoi një Starlink për 220.000 rubla (rreth 2.200 dollarë), si dhe një shumë abonimi prej 100 dollarëve në muaj.

Duket se Starlink nuk ka rregulla rrepta në lidhje me të dhënat personale që përdoren nga klientët e rinj kur ata regjistrohen për herë të parë.

Një rishitës me qendër në Moskë tha për REL-in se llogaritë e reja ishin regjistruar me emrat dhe mbiemra të rastit evropianë dhe se nuk nevojitet pasaportë e vlefshme evropiane për t’u regjistruar. Gjëja e vetme e rëndësishme, sipas shitësit, është të kesh kartelë të vlefshme bankare e cila përdor njërin prej sistemeve kryesore ndërkombëtare për pagesa.

Ushtria ukrainase mbështetet fuqishëm në rrjetin e Starlinkut për komunikim në fushëbetejë.

Një shitës tjetër ambulant tha për REL-in se marrësit e shitura ishin sjellë në Rusi nga Evropa, edhe pse ai nuk tregoi se nga cili vend. Ai tha se një marrës kushton 250.000 rubla (rreth 2.400 dollarë), ndërsa abonimi mujor rreth 14.000 rubla.

Për më tepër, duket se teknologjia e Starlinkut nuk është në gjendje ta kufizojë në mënyrë të saktë qasjen në sinjal; hulumtuesit e pavarur thonë se sistemi i Starlinkut e di vetëm lokacionin e përafërt të marrësve të vet, që nënkupton se ai duhet ta bllokojë qasjen për pozicionet ukrainase në vijën e frontit, në mënyrë që t’ia kufizojë trupave ruse përdorimin në fushëbetejë.

IStories, një medium i pavarur rus, i ka identifikuar së paku edhe tre shitës ambulantë në Moskë të cilët pretendojnë se shesin marrës të Starlinkut.

I pyetur nga gazetarët nëse trupat ruse mund të jenë duke i përdorur marrësit e Starlinkut, Peskov tha: Ky sistem nuk është i certifikuar nga ne, prandaj, nuk mund të shitet dhe nuk shitet zyrtarisht. Ne nuk mund ta përdorim zyrtarisht në asnjë mënyrë”.

Përgatiti: Ekrem Idrizi