Në një qoshe juglindore të Avdivkas, në qytetin industrial të Donbasit - ku trupat ushtarake ukrainase mezi i mbajnë pozicionet e tyre teksa luftojnë ushtrinë ruse - gjendet një objekt që quhet ‘Gjuetia e Carit’, i cili dikur vizitohej prej turistëve që shijonin aty restaurantin, oborret dhe pishinën e tij.
Objekti ka shërbyer edhe si bazë tejet e fortifikuar për forcat ukrainase – për Brigadën e 53-të të Motorizuar dhe Brigadën e 110-të të Mekanizuar – dhe tani është kthyer në një simbol mbrojtjeje për këtë qytet të dërrmuar prej luftës, të cilin forcat ruse tentojnë ta rrethojnë qysh prej tetorit të vitit të kaluar.
Në fillim të muajit të kaluar, pjesëtarë të ushtrisë ruse janë nisur drejt objektit, duke lëvizur përmes një tuneli të mbushur me ujë, me sa më pak zhurmë që është e mundshme.
Diku rreth 17 janarit, gati 150 ushtarë rusë i janë afruar vijës ukrainase të frontit, çka i ka rritur përpjekjet e ushtrisë ukrainase për të zmbrapsur sulmin.
Kjo befasi, e detajuar prej blogerëve rusë të luftës, dhe e vërtetuar prej burimeve ukrainase, është zmbrapsur pjesërisht.
Mirëpo, në ditët e fundit është thënë se një pjesë e ushtrisë ruse ka hyrë brenda qytetit, dhe është duke luftuar me ushtrinë ukrainase bllok pas blloku.
Përveç nëse ndodh ndonjë gabim taktik në anën e Rusisë, apo Ukraina rrit numrin e përforcimeve, Avdivka mund të kapet prej rusëve brenda ditësh, nëse jo javësh, kanë thënë disa vëzhgues.
“Nëse javë më parë kemi thënë se situata është shumë e vështirë, por nën kontroll, tani është shumë e vështirë dhe në disa raste është kritike”, ka thënë Vitaliy Barabash, udhëheqës i administratës ushtarake të qytetit, në disa komente televizive, më 6 shkurt.
“Njësitet ruse janë ngulituar në një prej rrugëve periferike në veri”, ka thënë Yuriy Butusov, aktivist ukrainas dhe gazetar, në disa postime në Telegram.
“Dy javë më parë, armiku ka arritur të hyjë në dy rrugë në lagjet periferike jugore. Situata është kritike”.
Përgjatë vijës së frontit, 1.200-kilometërshe, dëshpërimi i forcave ukrainase po përkthehet në avancim të ngadalshëm të forcave ruse në Avdivka, dhe të paktën në një lokacion tjetër në Kupjansk, në rajonin e Harkivit.
Teksa ndihma ushtarake amerikane, në vlerë të 60 miliardë dollarëve, është ende e bllokuar në Kongres, disponimi i Ukrainës, në prag të përvjetorit të dytë të luftës së Rusisë në Ukrainë, është secilën herë e më i zbehtë.
“Situata është e vështirë, e tmerrshme, ka mundësi që deri në fund të muajit Avdivka do të braktiset”, ka thënë Ivan Stupak, analist në Institutin ukrainas për të Ardhmen, me bazë në Kiev, në disa përgjigje për Current Time – televizion i krijuar nga Radio Evropa e Lirë dhe Zëri i Amerikës.
“Këtë e kuptojnë edhe njerëzit që nuk janë të përfshirë në luftime”.
Ukrainasit “në përgjithësi janë duke hequr dorë. Secili e kupton rrezikun, nëse nuk do të ketë fonde të Shteteve të Bashkuara, dhe bëjnë çfarë të munden”, ka thënë Mykola Byelyeskov, analist për Institutin Kombëtar për Studime Strategjike, të përkrahur prej Qeverisë.
Si shembull, ai e ka marrë vendimin për rritjen e prodhimit të dronëve.
“Pyetja e madhe është se ‘çfarë do të ndodhë në pjesën e dytë të vitit’ apo nëse do të mund t’ia dalim në valën e dytë të ofensivës ruse pa ndihmën amerikane”, ka thënë ai.
Sa i përket Avdivkas, “nëse Rusia tenton të shkaktojë dëm të madh, teksa ne tentojmë të shtojmë përforcimet, atëherë më mirë është të tërhiqemi”, ka thënë Byelyeskov.
“Nëse jo, atëherë është më mirë të luftojmë”.
‘Situatë stabile, por me trend të përkeqësimit’
E forcuar prej armëve të Perëndimit – me tanke, transportues të blinduar, artileri, dhe pajisje tjera luftarake – ushtria e Ukrainës pati lansuar kundërofensivë të madhe në qershor të vitit të kaluar.
Synimi ka qenë që fonti rus i luftës të goditej në disa vende: në jug të Orihivit në rajonin jugor të Zaporizhjas; në jug të Velika Novosilkas në rajonin e Donjeckut në lindje, dhe në veri, rreth qytetit të Bahmutit në rajonin e Donjeckut.
Këto përpjekje kanë dështuar në fund të vitit të kaluar, për shkak të llogoreve të thella dhe mbrojtjes së fortë ruse, çka u ka shkaktuar humbje të mëdha brigadave ukrainase të trajnuara prej NATO-s.
Një përpjekje paralele, goxha ambicioze, për të kaluar Lumin Dnjepër, afër Hersonit në veri, ka dështuar, gjithashtu, dhe kështu ushtarët ukrainas kanë mbetur të pasigurt, në një fshat të vogël, me pak mundësi për t’u kundërpërgjigjur.
Në tetor, forcat ruse kanë bërë përparime të vogla në luftë, duke i shtyrë ushtarët ukrainas më në thellësi të Avdivkas, e cila njihet si shtëpia e asaj që dikur ka qenë fabrika më e madhe e koksit brenda shtetit.
Pozicioni i qytetit u ka mundësuar trupave ushtarake ukrainase që të depërtojnë në një autostradë në lindje, dhe të rrisin presionin në qytetin e Donjeckut.
Forcat ushtarake ruse kanë tentuar të rrethojnë qytetin prej pjesëve veriperëndimore dhe juglindore, mirëpo janë penguar prej mbrojtjes ukrainase.
Ekspertë të jashtëm kanë thënë se Rusia është përballur me humbje të mëdha të pajisjeve, si dhe numër të konsiderueshëm të ushtarëve, sidomos në njësitet që janë krijuar prej të burgosurve, të cilët, komandantët ushtarakë i kanë angazhuar në valë sulmesh të stilit të Luftës së Parë Botërore.
Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka thënë se Rusia e ka humbur të paktën një brigadë – rreth 4.000 ushtarë – në muajin e parë të luftës.
Komandantët rusë, më pas, i kanë ndryshuar taktikat e sulmeve, duke goditur nga të gjitha anët, ka raportuar Barabash, administrator ushtarak i qytetit, në fund të nëntorit të vitit të kaluar.
Ndërkohë, trupat ushtarake ukrainase, kanë nisur të raportojnë për mungesa serioze të municioneve në Avdivka dhe vendet tjera.
Në një vlerësim është thënë se Ukraina ka goditur me vetëm 2.000 fishekë artilerie brenda një dite në dhjetor, në krahasim me 7.000, një vit më parë.
Për dallim prej ushtrisë ukrainase, ushtria ruse besohet t’i ketë përdorur 10.000 fishekë brenda një dite.
Më vonë, më 17 janar, ka ndodhur sulmi befasues prej tunelit nëntokësor.
Pavarësisht parandalimit të avancimit rus, ushtria ukrainase tani raportohet se është duke luftuar me trupat ushtarake ruse në jug dhe veri të Avdivkas, bllok pas blloku.
Në disa raportime është thënë se rruga e përdorur prej Ukrainës për të rifurnizuar mbrojtjen dhe për t’i evakuuar të plagosurit, është bërë e rrezikshme, dhe disa blogerë rusë të luftës, kanë thënë se mbrojtja ukrainase është duke dështuar.
“Nëse ushtria ruse e merr kontrollin e rrugës, përmes së cilës kryhen furnizimet, forcat e armatosura ukrainase, do të detyrohen të tërhiqen”, ka thënë ish-këshilltari i Kremlinit, Sergei Markov, në një postim në Telegram, më 6 shkurt.
“Kjo do të jetë fitore e madhe për ushtrinë ruse”.
“Situata rreth Avdivkas është, do të thosha unë, stabile, por me trend të përkeqësimit”, ka thënë Micheal Kofman, analist i mbrojtjes në Institutin Carnegie, në një podkast të publikuar më 30 janar.
“Meqenëse forcat ruse janë duke shënuar përparim… unë ende i besoj gjykimit tim paraprak se ka shumë mundësi për rënie të Avdivkas”.
Paralizë legjislative
Kthimi mbrapa në fushëbetejë është në përputhje me paralizën legjislative në Uashington, i cili deri më tani ka qenë furnizuesi më i madh me armë i Ukrainës, prej nisjes së luftës, në shkurt të vitit 2022.
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të presidentit amerikan, Joe Biden, ligjvënësit republikanë kanë refuzuar të autorizojnë paketën e ndihmës në vlerë të 60 miliardë dollarëve për Ukrainën, me arsyetimin se duhet forcuar politikat amerikane për migrimin.
Është ende e paqartë nëse ligjvënësit republikanë dhe Shtëpia e Bardhë do të mund të gjejnë një zgjidhje, pasi në këtë bllokadë është përfshirë edhe ndihma ushtarake e SHBA-së për Izraelin.
Ukrainasit vazhdojnë të përkrahin Qeverinë e presidentit Volodymyr Zelenskyt dhe luftën që po bëhet kundër pushtimit rus, sipas një sondazhi të publikuar në dhjetor prej Institutit të Kievit për Sociologji.
Megjithatë, në sondazhe është parë rënie e shpresës – në krahasim me vitin paraprak – kur Ukraina pati arritur të shënojë sukses në dy kundërofensiva në rajonin e Harkivit dhe Hersonit.
Vetë Zelensky ka bërë tentime që të rrisë moralin e ushtarëve, duke vizituar zona të rrezikshme lufte në Avdivka, më pas në Robotine, dhe në Zaporizhja, ku forcat ruse kanë kryer sulme në vazhdimësi.
“Aktualisht, Rusia e ka në dorë iniciativën strategjike”, ka thënë Mick Ryan, gjeneral ushtarak australian, tashmë i pensionuar, në një artikull të publikuar më 5 shkurt.
“Fatkeqësisht, humbja [për Ukrainën] është ende rezultat i mundshëm”.