Putini nënshkruan ligjin që lejon zgjedhjet në rajonet e pushtuara të Ukrainës

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Më 29 maj, presidenti rus, Vladimir Putin, miratoi zyrtarisht një projektligj që lejon mbajtjen e zgjedhjeve në territoret ukrainase të pushtuara aktualisht nga Moska.

Më herët Putini kishte shpallur ligj ushtarak në zona të caktuara të Ukrainës nën kontrollin rus.

Nën këtë gjendje, mbajtja e zgjedhjeve është e ndaluar. Megjithatë, ligji i sapo miratuar lejon që zgjedhjet të zhvillohen edhe gjatë gjendjes së luftës, me kusht që organizatat e mbrojtjes dhe të sigurisë të japin miratimin e tyre.

Më 18 maj, Duma e Shtetit rus miratoi në leximin e tretë dhe përfundimtar projektliginj që lejon mbajtjen e zgjedhjeve sipas ligjit ushtarak.

SHIKONI EDHE: BE-ja bëhet gati për temperatura të larta, dyfishon kapacitetet për luftimin e zjarreve

Dokumenti do të lejojë Moskën të mbajë zgjedhje parlamentare dhe lokale në territoret e Ukrainës të kontrolluara prej saj.

Në tetor të vitit 2022, Moska njoftoi aneksimin e rajoneve Donjeck, Zaporizhja, Luhansk dhe Herson të Ukrainës. Nga pikëpamja e legjislacionit rus, këto rajone janë të Rusisë.

Kievi dhe komuniteti ndërkombëtar nuk i njohin pretendimet e Rusisë mbi këto territore.

Megjithatë, me dekret të presidentit rus, Vladimir Putin, në të gjitha këto rajone është shpallur gjendje lufte dhe veprohet me ligjin ushtarak.

SHIKONI EDHE: Rusia vendos të mbajë zgjedhje në rajonet e pushtuara të Ukrainës

Aktualisht, sipas ligjit ushtarak rus, në rajonet ku është futur një regjim i tillë, referendumet, zgjedhjet për autoritetet shtetërore dhe qeveritë lokale nuk zhvillohen.

Por në të njëjtën kohë, ligjet për pranimin e subjekteve të reja në Rusi thonë se zgjedhjet duhet të mbahen në këto rajone në vjeshtën e vitit 2023.

Sipas paketës së ligjeve që u miratuar më 18 maj, projektligji, i cili duhet të miratohet nga dhoma e lartë e Parlamentit, Këshilli i Federatës, dhe të nënshkruhet nga Putini për të hyrë në fuqi, lejon zgjedhjet gjatë gjendjes nën ligjin ushtarak me miratim nga organet e mbrojtjes dhe sigurisë.