Ndërlidhjet

BE-ja bëhet gati për temperatura të larta, dyfishon kapacitetet për luftimin e zjarreve


Zjarrfikësit luftojnë një zjarr në një pyll në La Test-de-Buch të Francës, 18 korrik 2022.
Zjarrfikësit luftojnë një zjarr në një pyll në La Test-de-Buch të Francës, 18 korrik 2022.

Bashkimi Evropian ka dyfishuar numrin e pajisjeve në dispozicion për luftimin e zjarreve në pyje, tha komisionari i BE-së për menaxhimin e krizave, Janez Lenarcic. Gjithsej 28 pajisjet do të mund të përdoren për kriza në shtetet anëtare të bllokut evropian, si dhe në vendet fqinje.

Dhjetë aeroplanët e tipit Canadair, 14 avionë të lehtë dhe katër helikopterë do të jenë gati për atë që pritet të jetë një “verë tejet e ngarkuar”, tha Lenarcic në një intervistë me European Newsroom.

“Ky vit ka nisur tashmë me më shumë thatësi se zakonisht”, tha ai, duke vënë në dukje thatësinë e raportuar më parë në Portugali, Spanjë, Francë jugore dhe Itali veriore. Ndërkohë, së fundi, në disa prej këtyre vendeve ka pasur përmbytje pasi uji i grumbulluar nga reshjet e shiut nuk absorbohej lehtësisht nga toka tejet e tharë.

Kjo thatësirë e hershme e pazakontë, së bashku me temperaturat në rritje që po regjistrohen tani në Evropë, janë, “natyrisht, një nxitës kryesor i zjarreve në pyje”, tha Lenarcic.

Pasi viti 2022 solli verën më të nxehtë të regjistruar në Evropë, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në shtator njoftoi për planin për dyfishim të flotës ajrore të zjarrfikësve.

Flota është e shpërndarë në mënyrë strategjike në të gjithë BE-në, në mënyrë që të mund të përgjigjet shpejt kur flakët shpërthejnë në periudhën kritike nga qershori deri në tetor.

Avionët janë të stacionuar në dhjetë shtete anëtare: Kroaci, Qipro, Çeki, Francë, Gjermani, Greqi, Itali, Portugali, Spanjë dhe Suedi.

Ky mekanizëm i BE-së u krijua në vitin 2001. Në dy dekadat e para, ai aktivizohej mesatarisht 20 herë në vit.

Në dy vjetët e fundit, kjo është rritur në rreth 100 herë në vit, tha Lenarcic, duke shtuar se ka të ngjarë të ketë nevojë për më shumë fonde në vitet e ardhshme.

“Duhet të ketë më shumë financime për shkak të ndryshimeve klimatike sepse jemi dëshmitarë të një intensiteti të shtuar të fatkeqësive natyrore në veçanti”, paralajmëroi Lenarcic.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG