Putin: Perëndimi futet në luftë me Rusinë, nëse e lejon Kievin t’i përdorë armët me rreze të gjata

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të enjten se Perëndimi do të futej në një lufte të drejtpërdrejtë me Rusinë, nëse do ta lejonte Ukrainën të kryejë sulme në tokën ruse me raketa me rreze të gjata veprimi të prodhuara nga Perëndimi.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kohë që u bën thirrje vendeve të Perëndimit t’i heqin kufizimet ndaj vendit të tij për përdorimin e armëve me rreze të gjata veprimi për sulme thellë brenda Rusisë.

Putini tha se një veprim i tillë do t’i zhyste drejtpërdrejt në luftë me Moskën vendet të cilat e furnizojnë Kievin me raketa me rreze të gjata veprimi, sepse të dhënat satelitore për shënjestërim dhe programet për rrugët e fluturimit të raketave do të duhej të kryheshin nga personeli ushtarak i NATO-s, meqë Kievi nuk ka mundësi ta bëjë këtë vetë.

SHIKONI EDHE: Ukraina e vazhdon trysninë për armët me rreze të gjata, për t’i ndalur sulmet ajrore ruse

“Pra, nuk bëhet fjalë thjesht vetëm për ta lejuar apo jo regjimin ukrainas ta godasë Rusinë me këto armë. Çështja është a të merret vendim për t’i lejuar apo jo vendet e NATO-s të përfshihen drejtpërdrejt në një konflikt ushtarak”, tha Putin për televizionin shtetëror rus.

“Nëse merret vendimi, do të thotë se vendet e NATO-s, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane, përfshihen drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë. Kjo, natyrisht, do ta ndryshojë dukshëm vetë thelbin, natyrën e konfliktit”, tha ai.

Rusia do të detyrohet të marrë “vendime të duhura” bazuar në kërcënimet e reja, shtoi Putin.

Ai nuk shpjegoi çfarë masash do të ishin ato, por në të kaluarën ai ka folur për mundësinë e armatimit të armiqve të Perëndimit me armë ruse, për sulme ndaj caqeve të Perëndimit jashtë vendit.

Rusia, fuqia më e madhe bërthamore në botë, është gjithashtu duke e rishikuar doktrinën e vet bërthamore – që nënkupton se Moska do t’i përdorte armët bërthamore – dhe Putini ka qenë nën trysni për ta ndryshuar atë në mënyrë që të theksojë gatishmërinë e Rusisë për përdorimin e armëve bërthamore kundër vendeve që e “mbështesin agresionin e NATO-s në Ukrainë”.

SHIKONI EDHE: Zyrtari rus: Do ta ndryshojmë doktrinën bërthamore për shkak të Perëndimit

Rusia është duke bërë ushtrime të mëdha detare me Kinën aktualisht.

Perëndimi është duke diskutuar nëse duhet ta lejojë apo jo Kievin t’i përdorë armët me rreze të gjata për sulme në Rusi, të cilën e akuzon për pranimin e raketave balistike nga Irani.

Teherani e ka mohuar këtë dhe e ka quajtur “propagandë e shëmtuar”.

Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës më 2022 me dhjetëra mijëra trupa, duke e shkaktuar konfrontimin më të madh mes Rusisë dhe Perëndimit prej Luftës së Ftohtë.

Putini e quan luftën “operacion special ushtarak”.

Perëndimi dhe Ukraina e përshkruajnë pushtimin si përpjekje për uzurpim të tokës dhe janë zotuar se do ta mposhtin Rusinë në fushëbetejë.