Sindikalistët e Kosovës thonë se do të protestojnë më 1 Maj për të kërkuar të drejtat e punëtorëve. Sipas kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, shkalla e papunësisë mbetet e lartë dhe kushtet e punëtorëve mbesin të vështira. Problem, sipas tij, mbetet sektori privat, ku Ligji i punës nuk respektohet.
Në një intervistë me Ajdinin, Radio Evropa e Lirë fillimisht e pyeti atë për arsyet pse Kosova ka vështirësi ta rimëkëmbë ekonominë e saj dhe pse vendi ende ka një papunësi kaq të madhe?
Avni Ajdini: Sipas mendimit tonë, shkalla e papunësisë është mjaft e lartë. Zhvillim ekonomik nuk ka pasur. Zhvillimi ekonomik unë mendoj është ndërtimi i fabrikave që të prodhohet diçka ose për shembull të investohet në sektorin e bujqësisë dhe aty t'i kemi të mirat tona vendore dhe mos të lejohet futja e prodhimeve tjera që nuk janë vendore, të pakontrolluara fare, siç e patëm rastin e mishit dhe ai ishte një skandal total, jo i popullit, por i Qeverisë, sepse nuk është syçelë... Aty është problemi më i madh.
Nepotizmi na mbyti për arsye se në vende të punës i çojnë njerëzit, që nuk kanë njohuri adekuate në atë drejtim dhe nuk kanë aftësi. Edhe pse ka kuadro mjaft, kuadro të reja, megjithatë ato kuadro janë nën hije, kështu që papunësia te ne është mbi 40 për qind mund të them.
Radio Evropa e Lirë: Por, punëtorët të cilët punojnë, sidomos në sektorin privat në çfarë kushtesh punojnë? A ka sindikata në kompanitë private që veprojnë në Kosovë?
Avni Ajdini: Për fat të keq te ne në Konfederatën Sindikale nuk është themeluar ende asnjë federatë për sektorin privat. Megjithatë, adekuate si federatë nuk kemi në sektorin privat, por në këtë sektor jemi duke u munduar të bëjmë përpjekje që të inkuadrohen edhe punëtorët e sektorëve, të cilët nuk i kanë themeluar shoqatat sindikale.
Radio Evropa e Lirë: Sa zbatohen ligjet, kontratat e punës?
Avni Ajdini: Në sektorin publik zbatohen kontratat, e fatkeqësisht në sektorin privat nuk zbatohen. Shtrohet pyetja pse? Në sektorin privat punëtori nuk punon tetë orë, edhe pse kontratën e ka për tetë orë. Ai punon dymbëdhjetë orë dhe paguhet për tetë orë.Për këtë arsye janë në kundërshtim me ligjin dhe nuk zbatohet ligji ose ajo kontratë, e cila është nënshkruar. Ose kemi raste kur punëdhënësi kontratën një punëtori ia ndërpret para kohë. Kështu që te ne kemi mjaft defekte në këtë drejtim. Kërkoj që të na kuptojnë se jemi ithtarë të këtyre pra, që duhet të zbatohet ligji, marrëveshja kolektive dhe kontratat, të cilat i kanë punëtorët.
Radio Evropa e Lirë: Ka numër të madh të punëtorëve që punojnë në mënyrë ilegale në sektorin privat dhe çfarë keni ndërmarrë ta ndryshoni këtë?
Avni Ajdini: Ajo nuk është risi po është dukuri e hershme. Ajo ndodh gjithkund në botë mirëpo, ne duhet të mundohemi që ta zbusim këtë dukuri negative. Nuk them se mund ta eliminojmë totalisht, por duhet ta zbusim si dukuri negative, duke u konsultuar me Inspektoratin e punës edhe pse ata kanë mungesë stafi - kanë vetëm 43 inspektorë. Me 43 inspektorë nuk mund t’i inspektoshgjithë ato kompani. Ne kemi konsultime çdo javë me inspektorë të punës, në këtë drejtim, bisedojmë kemi edhe tryeza ku këto parregullsi i luftojmë.
Radio Evropa e Lirë: Ku janë pengesat më të mëdha në drejtim të përmirësimit të gjendjes së punëtorëve?
Avni Ajdini: Pengesa kryesore është moszbatimi i Ligjit të Punës.
Radio Evropa e Lirë: Çka mund të bëjë BSPK-ja për të ofruar sadopak stabilitet dhe siguri në punë për punëtorët?
Avni Ajdini: Bashkimi i sindikatave nuk do të ndalet në kërkesat e veta duke kërkuar dhe duke kritikuar ata persona, të cilët e shkelin ligjin dhe nuk e zbatojnë marrëveshjen kolektive duke nisur edhe nga Qeveria e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: A do të ketë protestë me rastin e 1 Majit -Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve?
Avni Ajdini: Patjetër, protesta është shpallur, gjatë muajit janë zgjedhur organizatorët dhe protesta ka arritur në organizimin final mund të themi.