Punëtorët e Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), kanë protestuar në qendër të Prishtinës duke kërkuar rritjen e pagave dhe zbatimin e Kontratës Kolektive.
Situata në këtë kompani është rënduar për shkak të mosrealizimit të kërkesave të punëtorëve kanë thënë në protestë përfaqësues të Sindikatës së Punëtorëve.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatës së Pavarur të Kosovë, Avni Ajdini ka thënë se kërkesat e punëtorëve janë të drejtat dhe ato duhet të realizohen, në të kundërtën sipas tij, do të ketë greva të punëtoreve nëvendin e tyre të punës.
"Kërkesat tona janë paga të dinjitetshme, të zbatohet kontrata kolektive si dhe nivelizimi i pagave duhet të bëhet", tha Ajdini.
Drejtuesit e Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike me anë të një komunikate për media lidhur me protestën e punëtoreve, thanë se janë të vendosur dhe të përkushtuar që të përmirësojmë kushtet dhe beneficionet e punëtorëve.
"Siç kemi bërë deri tani, veprimet tona që kanë të bëjnë me punëtorët dhe beneficionet e tyre ne i ndërmarrim në koordinim me sindikatat, por të njejtën kohë dëshirojmë ta njoftojmë opinionin se ne jemi kompani që vepron nën rregullativa të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) dhe për këtë arsye çdo shpenzim, përfshirë edhe shpenzimet e beneficioneve të punëtorëve, duhet të jenë të aprovuara nga rregullatori, siç ne kemi kërkuar për vite me radhë'', thuhet në komunikatën e KEDS.
Sidoqoftë, sindikata e punëtorëve të kësaj kompanie edhe më herët ka kërkuar rritje të pagave dhe përmirësim të kushteve të punës.
Distribucioni i Furnizimit më Energji Elektrike - KEDS, është privatizuar në vitin 2013 nga konsorciumi turko-amerikan “Çalik -Limak” i cili e ka blerë distribucionin për 26.3 milionë euro.