"Si skllave" - Punëtoret filipineze në Kosovë durojnë abuzimet në heshtje

Fotografi ilustruese.

Të mashtruara nga agjenci të rekrutimit me ëndrra për një jetë më të mirë, shumë punëtore filipineze të përkujdesjes shtëpiake në Kosovë përballen me një realitet të ashpër. Disa prej tyre, të lëna pa dokumente, i durojnë abuzimet në heshtje, të bllokuara nga kontratat që nuk mund t’i lexojnë dhe nga një sistem që nuk arrin t’i mbrojë.

Me pasaportën e konfiskuar, një punëtore filipineze pastron shtëpinë e punëdhënësit të saj në Kosovë dhe kujdeset për fëmijët e tij nga momenti kur hap sytë në mëngjes e deri kur i mbyll në orët e vona të mbrëmjes.

Për gjashtë ditë në javë, Laura duron edhe dhunën e ushtruar nga njëri fëmijë i punëdhënësit.

“Vetë shefi e ka parë duke më goditur. I ka folur atij dhe fëmija ka thënë se nuk do ta përsërisë, por prapëseprapë e bën”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Laura ka më shumë se një vit që punon në Kosovë, e sjellë nga një agjenci për rekrutim të punëtorëve të huaj në Shqipëri.

Nga Shqipëria, me veturën e punëtorit të agjencisë, ajo ka udhëtuar për në Kosovë pa u pajisur me vizë, leje qëndrimi apo leje pune.

“Ata [në kufi] nuk shikuan... nuk inspektuan. Thjesht, më lanë të kaloja. Agjenti më solli këtu dhe e takova punëdhënësin diku pranë Prizrenit”, tregon ajo.

Fotografi ilustruese.

Kufiri që ndan Kosovën dhe Shqipërinë nuk kontrollohet si kufijtë e tjerë. Që nga maji i këtij viti është në fuqi një marrëveshje që lejon kalimin e tij pa kontrollim të pasaportave dhe letërnjoftimeve për shtetasit e dy vendeve.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministritë e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Shqipërisë për këtë temë, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, Policia e Kosovës thotë se kufiri me Shqipërinë mbikëqyret në mënyra alternative, si monitorimi përmes sistemit të kamerave, informatave që pranon Policia Kufitare nga institucionet e sigurisë, patrullimeve në brezin kufitar etj.

Drejtoria për Migrim dhe të Huaj në Policinë e Kosovës gjithashtu thotë se bën rregullisht inspektime të kompanive që dyshohet se punësojnë punëtorë të huaj.

Kontrata e Laurës përcakton se ajo do të punojë 40 orë në javë për një kompani. Megjithatë, kontrata nuk e reflekton realitetin e saj të punës.

Laura jeton e punon deri në 16 orë në ditë në shtëpinë ku është e punësuar si shtëpiake.

Kjo bën që respektimi i të drejtave të saj si punëtore të mos monitorohet nga askush, pasi që Inspektorati i Punës në Kosovë nuk ka mandat të kontrollojë në shtëpi private.

Brikenë Hoxha, drejtoreshë e Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), thotë se punëtorët si Laura nënshkruajnë kontrata me pronarë biznesesh kinse do të punojnë në atë biznes, por realisht punojnë në shtëpitë e tyre.

“Ky punësim është plotësisht joformal dhe kushtet natyrisht që nuk janë ashtu siç do të ishin po të pajiseshin me kontratë reale”, thotë Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

Fotografi ilustruese.

REL-i ka pyetur Inspektoratin e Punës - për të cilin ka marrë vesh se është në dijeni për keqpërdorimet e punëdhënësve me punëtorët e kujdesit shtëpiak - por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Kontakti mes punëtoreve filipineze dhe punëdhënësve të tyre në Kosovë arrihet përmes ndërmjetësimit të agjencive të rekrutimit, kryesisht nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Brikenë Hoxha, nga IKS-i - që monitoron tash e sa muaj kushtet e punës për imigrantët - thotë se më problematike është gjendja e atyre që vijnë përmes Shqipërisë.

Me gjithë tentimet, agjenci të rekrutimit në Shqipëri s’kanë qenë të qasshme për t’u përgjigjur në pyetjet e REL-it për këtë temë.

Ekspertja e punësimit në Shqipëri, Kumrie Zika, thotë se këto agjenci nuk i respektojnë procedurat e rekrutimit të drejtë.

“Synimi i tyre është vetëm fitimi i të ardhurave dhe patjetër që punëtorët imigrantë i shohin si dikë që mund ta këmbejnë në cilëndo vlerë, pa ndjekur asnjë procedurë”, thotë Zika për REL-in.

Shqipëria ka nënshkruar së fundi një marrëveshje me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO), e cila parasheh që agjencitë nuk mund t’u kërkojnë para punëtorëve imigrantë për gjetjen e një vendi pune, pasi që këtë shpenzim parashihet ta mbulojnë punëdhënësit.

SHIKONI EDHE: Shqipëria përgatitet për rekrutimin e dhjetëra mijëra punëtorëve

Megjithatë, Kenza Dimechkie, nga ILO-ja, tregon për Radion Evropa e Lirë se ky rregull, shpeshherë, nuk zbatohet.

“Ne kemi agjenci rekrutimi në Shqipëri, të cilat rekrutojnë njerëz që mbase tashmë janë duke punuar në një vend të Gjirit ose ndonjë vend tjetër në Azi dhe ata vijnë në Shqipëri e pastaj dërgohen në Kosovë”, thotë ajo.

“Kështu që, ata kalojnë nëpër disa ndërmjetësues të ndryshëm, që mund t’u kërkojnë para. Dhe, këto shuma grumbullohen dhe mund t’i fusin në borxhe punëtorët, gjë që pastaj ua bën të vështirë ta lënë vendin e punës”, shton ajo.

Sipas Dimechkies, një hap drejt zgjidhjes së këtyre problemeve do të ishte monitorim strikt i punës së agjencive të rekrutimit, për t’u siguruar se ato i respektojnë të drejtat e punëtorëve.

Zika thotë se në Shqipëri nuk bëhen mjaftueshëm kontrolle ndaj këtyre agjencive, “sepse po të bëheshin mjaftueshëm, do të ishin reduktuar këto raste”.

E, në mungesë të një mbrojtjeje institucionale - si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë - një grup prej 53 punëtoreve filipineze në Kosovë së fundi janë bërë bashkë, në përpjekje për ta formuar një organizatë joqeveritare.

Radio Evropa e Lirë ka ndjekur një takim të tyre, ku ato kanë rrëfyer problemet e shumta me të cilat përballen.

Ato s’ishin të gatshme t’i ndanin publikisht ato, pasi frikësoheshin nga punëdhënësit, të cilët i quanin “njerëz të fuqishëm” në Kosovë.

Njëra nga themelueset, Sandra, tregon se shumica e punëtoreve filipineze në Kosovë punojnë në përkujdes shtëpiak.

Për punë deri në 16 orë në ditë dhe gjashtë ditë në javë, ajo tregon se këto punëtore paguhen me nga së paku 500 euro në muaj.

“Ato jetojnë falas në shtëpitë e punëdhënësit dhe ushqehen aty falas. Por, nuk mund të themi që është mjaftueshëm, sepse të punosh për 16 apo 18 orë në ditë, me një pagë fikse, është realisht e vështirë”, thotë Sandra.

Fotografi ilustruese.

Ajo thekson se organizata të cilën synojnë ta themelojnë, do t’i mbështesë të drejtat e të gjithë punëtorëve imigrantë në Kosovë, jo vetëm ata filipinezë.

Në vitet e fundit, punëtorë të tillë ka pasur gjithnjë e më shumë në Kosovë, pasi kompanitë kanë bërë përpjekje t’i zëvendësojnë punëtorët kosovarë që ikin drejt vendeve të Perëndimit.

Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë se shumica e punëtorëve vijnë nga Turqia dhe Bangladeshi - të punësuar në sektorë si ndërtimtaria e gastronomia – por, në dy vjetët e fundit, është rritur ndjeshëm edhe numri i punëtorëve nga Filipinet - shtet në Azinë juglindore.

Për punëtorët nga Filipinet, situata cilësohet si veçanërisht e vështirë, pasi që Filipinet dhe Kosova nuk kanë asnjë marrëdhënie diplomatike.

Filipinet, madje, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Në Kosovë nuk ka ndonjë konsullatë, ku ato do të mund t’i adresonin problemet e tyre. Konsullata më e afërt është në Shqipëri dhe në Maqedoni [të Veriut]. Mirëpo, meqë janë në Kosovë pa dokumentacion, është e pamundur të shkojnë në mënyrë të ligjshme dhe t’i shfaqin problemet”, thotë Hoxha nga IKS-i.

Në mungesë të marrëdhënieve bilaterale, filipinezëve u duhet të paktën vizë turistike për të hyrë në Kosovë.

Përballë rrezikut të jetesës pa dokumente, shumë filipinezë tashmë kanë fituar leje qëndrimi në Kosovë.

Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga shtatori i këtij viti janë 33 filipineze që kanë marrë leje për punë.

Por, Laura ka qëndruar gati një vit në Kosovë pa u pajisur me asnjë lloj dokumenti - as vizë, as leje qëndrimi e as vizë pune.

Kështu, për disa muaj radhazi, ajo kishte frikë të dilte jashtë mureve të shtëpisë ku punonte edhe në ditën e vetme të javës që e kishte të lirë.

“Isha shumë e frikësuar të dilja diku. Frikësohesha se policia do të më kapte. Atëherë, i thashë punëdhënësit se nuk mund të punoj në paqe këtu pa m’i bërë gati dokumentet”, thotë Laura, të cilës më vonë iu nisën procedurat për marrjen e lejes së qëndrimit.

SHIKONI EDHE: Kosovë: Dhjetëra të arrestuar për trafikim me emigrantë

Edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës është njoftuar për këto probleme. Por, e pyetur nga REL-i, kjo ministri e kaloi përgjegjësinë për këtë temë te Policia e Kosovës dhe Inspektorati i Punës.

Për të marrë leje qëndrimi, Laura do të duhej që, sipas ligjit, të largohej fillimisht nga Kosova, e pastaj ta niste procedurën e aplikimit nga fillimi. Por, kjo gjë nuk ka ndodhur në rastin e saj.

Ligji, gjithashtu, parasheh që punëtori ta ketë kontratën e punës në një gjuhë që e kupton. As kjo nuk ka ndodhur në rastin e Laurës.

“Hera e parë që pashë kontratën në anglisht, ishte kur aplikuam për leje qëndrimi. Unë e kërkova një kopje, por mua ma dhanë vetëm në shqip. A kishte dallim prej asaj që u ishte dhënë institucioneve? Nuk e di, sepse nuk e kuptoja kontratën që m’u dha”, thotë ajo.

Gjatë kohës sa punëtoret qëndrojnë pa leje qëndrimi në Kosovë, ato janë të varura për qëndrim nga punëdhënësit e tyre.

“Ata u thonë se nëse nuk do të punosh për mua, unë do të bëj gjithçka që të mos jetosh më në Kosovë, do të të kthej në vendlindjen tënde”, tregon Sandra.

Sandra është ndër të paktat filipineze në Kosovë që nuk jeton në shtëpinë e punëdhënësit.

Në disa raste, për t’u siguruar që punëtorët nuk do të largohen drejt vendeve të tjera, punëdhënësit i mbajnë edhe pasaportat e tyre, si në rastin e Laurës.

SHIKONI EDHE: Kosova, vend transiti për punëtorët aziatikë

“Mua më duhet pasaporta, sepse më duhet të dërgoj para në Filipine. Por, s’ma japin. Shefi e detyronte një punëtor tjetër të kompanisë së tij të vinte në bankë me mua dhe t’i dërgonte paratë te familja ime”, thotë Laura.

Teksa ka dëgjuar rrëfime të tilla, Brikenë Hoxha ka shqyrtuar opsionet për t’u dhënë fund atyre abuzimeve.

Për të, ndryshimi duhet të nisë me një ligj të ri të punës.

Ligji aktual është miratuar në vitin 2010 dhe që nga ajo kohë ka pasur vazhdimisht thirrje për ndryshim.

Por, me gjithë kritikat dhe premtimet, ndryshimi i këtij ligji nuk u përfshi në agjendën legjislative për vitin 2024.

“Është kërkesë e shoqërisë civile që të ndryshohen këto ligje tash e sa kohë. Unë po shpresoj që institucionet do ta marrin më seriozisht dhe nuk do ta lënë këtë eksploatim të punëtorëve dhe trajtim të tyre si skllevër”, thotë Hoxha.

Në mungesë të pagave të mira dhe mundësive për punë, mbi dy milionë filipinezë thuhet se punojnë jashtë vendit. Paratë e fituara dërgohen në masë të madhe për familjarët e tyre në vendlindje.

Remitencat atje arrijnë mbi 40 miliardë dollarë në vit.

Me gjithë abuzimet, shumë nga punëtoret filipineze në Kosovë thonë se duan të vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë në vend. Por, shtojnë se po luftojnë për kushte të denja pune.

“Edhe nëse nuk e njeh dikë në rrugë... ata thjesht të buzëqeshin. Kjo është një shenjë se sa të shoqërueshëm janë njerëzit këtu”, thotë Sandra.

Laura dhe Sandra nuk janë emrat e vërtetë ty dy filipinezeve që Radio Evropa e Lirë ka intervistuar. Këta emra janë vendosur nga redaksia e Radios Evropa e Lirë për ta ruajtur identitetin e të intervistuarave, që nuk ishin të gatshme të flisnin publikisht për përvojat e tyre.
Kontribuoi: Jetmira Delia-Kaci.