Premtimet e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, mbi luftën kundër nepotizmit, janë harruar në momentin kur zyrtarë të kësaj partie janë ulur në karriget e institucioneve shtetërore, thonë nga shoqëria civile në Kosovë. Kritika për punësime mbi baza partiake apo familjare ka edhe opozita e Kosovës, kurse nga Qeveria thonë se kjo praktikë ka ndodhur në të kaluarën, por jo edhe tani.
Debati për dyshime për punësime partiake dhe familjare nga Lëvizja Vetëvendosje, ka nisur më 5 prill, pas një konkursi në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Në këtë konkurs janë punësuar 128 kandidatë nga 4,668 sa kanë aplikuar gjithsej.
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe media lokale në Kosovë, kanë njoftuar se janë punësuar aktivistë dhe familjarë të anëtarëve të Komisionit vlerësues të KEK-ut.
SHIKONI EDHE: Opozita akuzon LVV-në për kapje të shtetitMediat kanë raportuar se pesë anëtarë të Komisionit vlerësues, përfshirë këtu edhe zyrtarin kryesor të auditimit, kanë punësuar djemtë ose vëllezërit e tyre. Në këtë konkurs thuhet se janë punësuar edhe militantë të partisë dhe familjarë të anëtarëve të LVV-së.
Nga KEK-u janë përgjigjur se janë duke përcjellë të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit, duke inkurajuar ata që konsiderojnë se i janë shkelur të drejtat, të parashtrojnë ankesë brenda afatit ligjor.
“KEK-u siguron se të gjitha ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara, si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit, kudo që do të ketë pasur shkelje në proces”, thuhet në njoftim të KEK-ut.
Opozita: Punësimet në KEK-fenomen i rrezikshëm
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në seancën e Kuvendit të Kosovës, të 7 prillit, tha se fenomeni i punësimit mbi baza partiake dhe familjare është fenomen i rrezikshëm.
“Konkursi në KEK po e dëshmon se zyrtarët e ndërmarrjeve publike në këmbim të favoreve për emërime partiake dhe familjare kanë përzgjedhur edhe familjarët e tyre”, tha ajo, duke mos e përmendur ndonjë rast konkret.
Lidhur me konkursin në KEK, kjo parti më 6 prill ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
SHIKONI EDHE: LDK-ja dorëzon kallëzim penal për punësimet në KEKZëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë tha se raportimet për punësime në KEK, “janë përcjellë me pasaktësi të shumta deri në shpifje ndaj zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilat janë bërë ankesat dhe do të bëhen paditë përkatëse ditëve në vijim”.
Në lidhje më punësimet e reja në këtë korporatë, edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 prill, ka konfirmuar se ka nisur hetimet.
Sipas Prokurorisë, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi.
A ka pasur raste tjera të punësimeve familjare?
Më herët, në media, po ashtu, është raportuar se motra e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, është punësuar në një projekt të udhëhequr nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHK). Këtë e konfirmojnë edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
“Magbule Hyseni është angazhuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në kuadër të një projekti të Bankës Botërore sipas procedurave të prokurimit të Bankës Botërore dhe sipas vlerësimit të Bankës Botërore – pra jo nëpërmjet lidhjeve familjare apo preferencave politike, thuhet në një përgjigjeje nga zyra e kryeministrit të Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë, Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
SHIKONI EDHE: “Kapja e shtetit" përmes punësimeve familjarePo ashtu, Ministria e Shëndetësisë e ka deleguar Suljota Aliun, motrën e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, si përfaqësuese e Ministrisë në Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu tha se Aliu, e cila është farmaciste klinike, nuk është e punësuara e ministrisë dhe se paraprakisht ka qenë e angazhuar në një barnatore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Nga ky angazhim ajo nuk merr rrogë, por vetëm kompensim për takimet e këshillit që mbahen një herë muaj. Për më tepër ajo ka qenë pjesë e komisioneve të ngjashme edhe në të kaluarën”, tha Kryeziu.
Shoqëria civile: Dukuria e nepotizmit po vazhdon
Luftimi i nepotizmit, jo punësimeve partiake dhe familjare në institucionet e Kosovës, ishin ndër premtimet kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore, por edhe kritikat kryesore derisa kjo parti ishte ne opozitë.
Këto premtime, sipas shoqërisë civile, janë harruar në momentin kur zyrtarë të kësaj partie janë ulur në karriget e institucioneve shtetërore.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në organizatën joqeveritare FOL, tha për Radion Evropa e Lirë, se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar shumicën e votave me premtimin se do ta luftojë nepotizmin dhe korrupsionin. Sipas saj, dukuria e nepotizmit ka qenë e shprehur nga të gjitha partitë politike që kanë qenë në pushtet.
“Fatkeqësisht, dukuria e nepotizmit, familjarizimit po vazhdon. Ne pamë në konkursin e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës, se po vazhdon avazi i vjetër. Ndërmarrjet publike gjithmonë janë parë si mundësi për të rehatuar, qoftë familjarët apo militantët partiakë”, tha ajo.
SHIKONI EDHE: Kurti e ‘bllokon’ AKP-nëMegjithatë, zëdhënësi i Qeverisë se Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se Qeveria Kurti, sikurse edhe Lëvizja Vetëvendosje, e kundërshton punësimin mbi baza partiake.
Ai konsideron se ka një përpjekje të organizuar, në veçanti nga opozita aktuale, “që praktikat abuzive të punësimeve vetëm mbi baza partiake apo familjare që kanë ndodhur në të kaluarën nga vetë ata, të projektohen te Qeverisja Kurti”.
“Ata nuk e kanë hall që të dëshmojnë se ato praktika janë të dëmshme dhe duhet të eliminohen, por përpiqen që thonë që ‘ju nuk dalloni nga ne’”, tha Kryeziu.
SHIKONI EDHE: Rrugë e gjatë deri te një vend puneFenomeni i nepotizmit me vite të tëra është kritikuar nga shoqëria civile dhe diplomatë ndërkombëtarë në Prishtinë se ka ngufatur institucionet dhe ndërmarrjet publike me militantë partiakë dhe të afërm e familjarë, pa kritere punësimi.
Sipas tyre, cilado parti politike që ka marrë pushtetin, ka punësuar qytetarë në bazë të lidhjeve familjare në institucione dhe pozita udhëheqëse në ndërmarrjet shoqërore, pa meritë dhe kualifikim arsimor.
Edhe në hulumtimin e fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), të publikuar në nëntor të vitit 2021, thuhet se të anketuarit besojnë se lidhjet partiake, janë kritere më të dobishme për sigurimin e një vendi pune.
Sipas këtyre të dhënave, 73 për qind e të anketuarve mendojnë se punësimi në sektorin publik nuk bëhet në baza meritore, kurse rreth 26 për qind besojnë se arsimi mundëson punësimin në sektorin publik.