Ndërlidhjet

Punësimi pa baza meritore


Ilustrim
Ilustrim

Me gjithë faktin se në çdo konkurs publik në institucionet publike për hapjen e vendeve të reja të punës, diploma universitare figuron si parakusht për punë, në realitet në Kosovë kjo nuk zbatohet, thonë përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Sipas tyre, lidhjet familjare, anëtarësia partiake dhe ryshfeti janë faktorët më të rëndësishëm për të siguruar një vend pune në sektorin publik.

Madje edhe në një anketë të quajtur “Pulsi Publik”, të realizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), vetëm 17 për qind e të anketuarave besojnë se arsimi, përvoja, trajnimet profesionale janë të rëndësishme për sigurimin e një vendi të punës.

Kurse 38 për qind e kosovarëve besojnë se lidhjet familjare janë faktorë më rëndësi, 18 për qind konsiderojnë se ryshfeti ndikon në këtë proces dhe 12 të tjerë mendojnë se për të fituar një vend pune duhet të inkuadrohesh në parti të ndryshme politike

Se sektori publik vuan nga politizimi dhe keqpërdorimet më rastin e konkurseve për vende të lira të punës, thotë edhe Ndue Kalaj, kryetari i Sindikatës së Administratës Publike, sindikatë kjo që funksionon në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Ai madje thotë se këto parregullsi kanë sjellë pasoja dhe jo profesionalizëm në sektorin publik.

“Për fat të keq administrata publike në Kosovë është e politizuar. Ky politizim ka ndikuar që administrata të jetë joprofesionale. Për shkak të politizimit në vende të punës qoftë në nivelin lokal, po ashtu edhe atë qendror kanë ardhur njerëz që nuk kanë as përgatitjen profesionale dhe as përvojën e punës”, thotë Kalaj për Radion Evropa e Lirë.

Këto lloj punësimesh, thotë Kalaj, kanë bërë që në pozitat udhëheqëse të mos jenë njerëz profesionalë dhe në bazë të meritave, por njerëz servil të grupeve të caktuara të interesit.

Se këto “kritere” kërkohen nga institucionet publike thonë edhe disa të rinj.

Zyrafete Zeqiri, ka diplomuar që gashtë vjet në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Ajo konsideron se pamundësia për të gjetur një vend pune, janë pikërisht perceptimet politike.

“Sipas paragjykimeve të partisë në pushtet në komunën time, unë i përkas ndonjë partie tjetër, prandaj kam mbetur pa vend pune edhe pse kam diplomën”, tregon Zyrafetja.

Por, Besarta Hajdini, është studente në vitin e dytë në Fakultetin Ekonomik. Ajo thotë se është e vetëdijshme për problemet që do të ballafaqohet më rastin e përfundimit të studimeve dhe mundësisë se punësimit.

Megjithatë, ajo shprehet se për të siguruar një vend pune, do të anëtarësohej në partitë politike.

“Po, për shkak të punës, nëse do të ishte zgjidhja e fundit, do të anëtarësohesha, pasi zakonisht ata që janë të inkuadruar në partitë politike, kanë përparësi më të madhe në të gjitha aspektet”, thotë Besarta.

Sidoqoftë, për punësim janë të përcaktuara në Ligjin për Shërbimin Civil.

Në bazë të këtij ligji, pranimi në Shërbimin Civil mbështetet në parimet e meritës, me shpallje publike të pozitave të lira, me transparencë të procesit, me objektivitet dhe paanësi të komisionit testues, mos diskriminim të kandidatëve dhe me të drejtën për t’u ankuar në fund të procesit, ndërsa në rast të mos zbatimit të tyre, merren masa disiplinore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG