Shkup: Puna në fundjavë të kompensohet si ditë feste

Foto nga arkivi

Puna gjatë fundjavës duhet të paguhet si ditë feste në të kundërtën është e pakuptimtë që punëtorë të caktuar në sektorin e tregtisë dhe atë të ndërtimtarisë të jenë të detyruar të punojnë gjatë fundjavës duke kërcënuar balansin e raporteve familjare, thonë sindikalistët në Maqedoninë e Veriut.

“Jo gjithmonë për punëtorët është i rëndësishëm profiti, përderisa pronarët e kompanive të ndryshme veçanërisht ata në sektorin e ndërtimtarisë dhe tregtisë duke përfshirë këtu dhe agjencionet turistike, pushojnë me familjen e tyre e në anën tjetër punëtorët e angazhuar punojnë për ta".

SHIKONI EDHE: Të rinjve në Maqedoni u shkelen të drejtat në punë

"Kjo është në rregull nëse atyre vikendi u paguhet si ditë feste dhe ata që vendosin të punojnë të kenë benefit të caktuar në kurriz të lënies anash të obligimeve familjare dhe në asnjë mënyrë nuk është e pranueshme që atyre tu kompensohet e shtuna dhe e diela me dy ditë të tjera pushim brenda javës sepse në atë ditë pjesa tjetër e familjes është me obligime dhe kjo ndikon në balansin e raporteve sociale brenda në familje".

"Pra, ne nuk jemi për atë që të kufizohet e drejta për të punuar edhe gjatë ditëve të fundjavës, por kur punëtorët vlerësojnë se duan më shumë të ardhuara atehërë të angazhohen të punojnë edhe gjatë fundjavës dhe jo se këtë ua obligon vendi i punës”, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, Ivan Peshevski, zëvendëskryetar në sektorin e ndërtimtarisë në kuadër të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut.

Peshevski thotë se kjo kërkesë pret të inkorporohet në ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve.

SHIKONI EDHE: Maqedoni: Të rinjtë pa shpresë për punësim

Ndërkohë, nga Qeveria e Maqedonisë janë zotuar se kërkesa e sindikalistëve që të dielat dhe festat të jenë me ligj ditë jo pune për sektorin tregtar dhe atë të ndërtimtarisë do të shqyrtohet me vëmendje, ndonëse kanë shtuar se njëkohësisht do të duhet të merren parasysh edhe argumentet e palëve të tjera, që interesat e të cilave në një mënyrë rrezikohen me kërkesat e këtilla".

Përderisa, nga Organizata e Punëdhënësve në Maqedoninë e Veriut theksojnë se sektorë të caktuar nuk mund të ndërpresin procesin e punës gjatë të dielave sepse kjo do t'u sjellë dëme të mëdha kompanive të caktuara në sektorë të ndryshëm, por pajtohen se orët e punës gjatë të dielave duhet të paguhen më tepër.

Organizata e Punëdhënësve njëhërësh kujton se Ligji për marrëdhënie të punës në nenin 134 qartë përcakton që si ditë e pushimit javor mund të jetë edhe ndonjë ditë tjetër e javës, me rast punëdhënësve u mundësohet që përmes nën akteve internet ë kompanive të përcaktojnë cila ditë e javës do të konsiderohet si ditë pushimi brenda javës për punëtorë të caktuar.

“Ligji për marrëdhënie të punës thotë se orari i rregullt i punës në javë është 40 orë. A do të jetë kjo 6 ditë pas gjashtë orëve e gjysmë ose do të jetë pesë ditë me nga tetë orë pune, e njëjtë është. Ata të cilët punojnë pesë ditë nga 8 orë, kurse punon edhe të shtunën, atëherë dita e shtunë duhet t’u paguhet 35 për qind shtesë, më tepër kompensim”, thotë për Radion Evropa e Lirë Angell Dimitrov.

Nga kjo organiztatë gjithashtu theksojnë se punëdhënësi ka për obligim të paraqet punë jashtë orarit të punës me qëllim që shërbimet inspektuese të kontrollojnë nëse janë paguar të gjitha detyrimet kur janë paguar pagat. Urdhëresat dhe aktet ligjore janë të mira, por ana e dobët është në zbatimin e tyre në praktikë.

Kjo nismë për ndryshimet ligjore në përcaktimin e të drejtave të punëtorëve vjen pas rezultateve të disa hulumtimeve që tregojnë se mbi-ngarkesa me punë rezulton me probleme shëndetësore, kurse puna jashtë orarit të punës krijon disbalans ndërmjet karrierës dhe kujdesit për familjen.