Ndërlidhjet

Të rinjve në Maqedoni u shkelen të drejtat në punë


Shkup, foto nga arkivi.
Shkup, foto nga arkivi.

Organizatat që në fokus kanë të drejtat e të rinjve dhe të punëtorëve, thonë se të rinjtë në Maqedoni janë ndër kategoritë më të rrezikuara, sa i përket shkeljes së të drejtave të tyre në punë.

Majlinda Çilafi studente në Fakultetin e Ekonomisë në Shkup thotë se ajo personalisht ka qenë pre e shkeljes së të drejtave të punëtorëve.

“Unë kam realizuar orarin e plotë po si punëtorët e tjerë në një firmë të caktuar dhe për punën e bërë nuk jam shpërblyer me një shumë të caktuar. Kam punuar nga tetë orë, pesë ditë në javë, por pagesa nuk ka qenë ajo e duhura siç paguheshin punëtorët e tjerë për të njëjtën punë, por me kontratë pune. Të rinjtë të nuk kanë fuqi për ta luftuar këtë dukuri sepse edhe nëse i denoncojnë, nuk ka siguri se do të bëhet diçka, se institucionet do të ndërmarrin ndonjë veprim”, thotë për Radion Evropa Lirë studentja Majlinda Çilafi, e cila është aktiviste për të drejtat e të rinjve.

Ajo thekson se të rinjtë që kryejnë punë të padeklaruar, më pas ballafaqohen me shumë “barriera më të mëdha në hyrjen në tregun formal, për shkak se ata nuk kanë mundësi të ofrojnë histori punësimi”.

Nga sektori i të rinjve në kuadër të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë thonë se të rinjtë në Maqedoni punojnë me kontratë me afat të caktuar, angazhohen në vendin e punës më gjatë se orari i paraparë ndërkohë që nuk paguhen për orët shtesë. Njëherësh të rinjtë jo rrallë herë marrin pagë më të ulët se ajo e të punësuarve për periudhë të pacaktuar.

Irena Ivanovska, drejtuese seksionit të të rinjve në kuadër të Lidhjes së Sindikatave në Maqedoni për Radion Evropa e Lirë thotë se shqetësues është fakti se 48 për qind e të rinjve në Maqedoni janë të kyçur në ekonominë joformale, përkatësisht punojnë pa kontrata të nënshkruara për punë, por thjesht përmes marrëveshjeve me gojë.

“Pothuajse një e treta e të rinjve në Maqedoni nuk janë të kyçur as në sistemin arsimor, dhe as nuk janë të punësuar. Përderisa 44 për qind e të rinjve nuk punojnë në profesionin për të cilin janë të kualifikuar. Ndërkohë, 70 për qind e të rinjve konsiderojnë se do ta kenë shumë të vështirë të gjejnë një punë të sigurt në bazë të shkollimit që kanë kryer. Këto të dhëna tregojnë të rinjtë në Maqedoni hasin më shumë probleme në tregun e punës”, thotë Ivanovska.

Nga ana tjetër, Sefer Selimi nga Shoqata për Avancimin e Demokracisë, thotë se të rinjtë në Maqedoni shumë pak janë të informuar për të drejtat e tyre në vendin e punës, por edhe atëherë kur i detektojnë parregullsitë, ata nuk marrin guximin që t’i denoncojnë shkeljet nga frika se mund të humbasin vendin e punës.

“Të rinjtë në Maqedoni duke qenë kategoria më e papunësuar, përkatësisht përbën shkallën më të lartë të të papunësuarve, janë të detyruar të angazhohen në ato vende pune ku paguhen shumë pak. Njëherësh, duke marrë parasysh se një pjesë e të rinjve janë të kyçur në ekonominë joformale, ata nuk kanë as mbrojtje sociale dhe as nuk mund të sigurojnë të drejtat e tyre si punëtorë, kjo është si rrjedhojë e mungesës së informimit si dhe mungesa e një kulture të përgjithshme e organizimit sindikal te ne si shoqëri”, thotë Selimi.

Të rinjtë nga Maqedonia, si një nga arsyet kryesore se pse vendosin të largohen drejt ndonjë vendi evropian, kanë theksuar shkeljen e të drejtave të punëtorëve dhe pagat shumë të ulëta që atyre u ofrohen gjatë punësimit në Maqedoni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG