Protestë kundër "kulturës së përdhunimit"
Më 5 shtator, në Prishtinë qindra qytetarë protestuan kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Kjo ishte protesta e dytë e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, pasi u bë publik lajmi për dhunimin e një 11-vjeçareje në një park të Prishtinës më 27 gusht.
"Mos mi le andrrat pa frymë", shkruhej në një prej pankartave të protestuesve që marshuan rrugëve të Prishtinës dhe u ndalën para objekteve të Qeverisë, Policisë dhe Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor të Kosovës.
Ndër kërkesat e protestuesve është edhe legalizimi i përdorimit dhe shpërndarjes së gazit irritues për vetëmbrojtje.
Protestuesit kanë kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.
Sa i përket rastit të 11-vjeçares, autoritetet kanë arrestuar 11 persona, për dy raste të ndara të dhunimit. Që të gjithëve u është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Protestuesit kanë kërkuar që Policia e Kosovës të krijojë një njësit të specializuar për dhunën seksuale.
"Oj Kosovë oj vdekja ime", shkruan në njërën ndër panot që protestuesit mbanin në duar, teksa akuzuan organet shtetërore se po dështojnë në mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale.
Sipas organizatave joqeveritare, numri më i madh i viktimave të dhunës seksuale janë vajzat e moshës 13 deri në 16 vjeç.
Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga 2 deri në 15 vjet burgim për dhunimet dhe sulmet e tjera seksuale.
Protestuesit kanë thënë se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave.
"Jo do të thotë Jo", shkruan në trupin e një protestueseje në Prishtinë.
Protestuesit kanë kërkuar që në shkollat në Kosovë të futet edhe lënda e edukatës seksuale.
Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe javën e kaluar në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup.