Protesta kundër ndotjes së ajrit në Shkup

Your browser doesn’t support HTML5

Protesta kundër ndotjes së ajrit

Qindra qytetarë kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë në Shkup, duke kërkuar nga institucionet zgjidhje të shpejtë të problemit me ndotjen e ajrit, që ditëve të fundit ka arritur në nivelet më të larta, madje, edhe në nivel botëror.

Disa nga pjesëmarrësit në protestë thanë janë këtu për të rikujtuar zyrtarët që t’i përmbushin premtimet e dhëna gjatë protestës së përbashkët në shtator, por që atëherë ishin në opozitë në pushtetin lokal.

“Si e para, mirë do të ishte të zvogëlohet përdorimi i automjeteve private. Si masë që duhet të ndërmerret është që transporti urban të jetë pa pagesë për të gjithë qytetarët kur niveli i ndotjes është i lartë dhe jo për një kategori të caktuar në ditë të caktuara”, tha për Radion Evropa e Lirë, Rinisa Rexhepi, aktiviste për mbrojtjen e mjedisit.

Ndërkaq, Branka Nikollovska, tha se autoritetet përkatëse, në vend se të veprojnë, më shumë merren me atë se kush e ka fajin:

“Akëcila strukturë nëse e merr pushtetin, fajin për ndotjen e ajrit e sheh vetëm te pushteti i kaluar. Kryetari i qytetit të Shkupit kishte shumë premtime se do të ndërmerrte masa rigoroze për të ulur nivelin e ndotjes së ajrit, por tani dëgjojmë për çdo ditë arsyetime dhe assesi nuk shohim hapa konkret”.

Ndotja e lartë e ajrit, sipas mjekëve, paraqet rrezik për shëndetin para se gjithash për fëmijët dhe të sëmurët kronikë. Sipas të dhënave të Ambasadës së Fëmijëve“Megjashi”, çdo i dyti fëmijë është i prekur nga ndotja e ajrit.

Dragi Zmijanac, i cili drejton Ambasadën e parë të Fëmijëve “Megjashi”, tha se mbështet iniciativën e që të mërkurën, më 20 dhjetor mos i dërgojnë fëmijët në shkollë për shkak të shkallës së lartë të ndotjes së ajrit.

“Ambasada e parë e Fëmijëve zotohet se derisa nuk zgjidhet problemi me ndotjen e ajrit, derisa niveli i grimcave pm 10 tërë dimrin do të jetë mbi 75 mikrogram metërkub, do të përkrah të gjitha iniciativat e nënave, baballarëve si dhe shoqatave të ambientalistëve që do të ndihmojnë në uljen e ndotjes së ajrit”, tha Zmijanac.

Qeveria në mbledhjen e fundit sërish ka diskutuar për problemin me ndotjen duke marrë disa masa për lirimin nga puna gratë shtatzëna, personat mbi moshën 60 vjeç, personat e sëmurë kronikë, nëse grimcat PM 10 janë më larta se 250 mikronë.

Sa i përket masave tjera nga Qeveria dhe Qyteti i Shkupit, kanë thënë se strategji ka, por rezultatet nuk mund të jenë të menjëhershme, ndërsa si ndotës më të mëdhenj kanë përmendur lëndët djegëse për ngrohje, trafikun e rënduar dhe faktorë të tjerë.

Ndërkohë, lidhur me ndotjen sërish është prononcuar Ambasada amerikane, që ditë parë pyeti në rrjetin social Twitter “nëse ka ide për sigurimin e ajrit të pastër”.

Por kësaj radhe ambasadori amerikan, Jess Baily, ka reaguar ndaj deklaratës së Ambasadës ruse, e cila kishte shtruar në rrjete sociale se zgjidhja për ndotjen qëndron në gazifikimin e Maqedonisë përmes “rrjedhës ruse”.

“Nuk ka luftë në Twitter. Ne morëm mendimin e qytetarëve të Maqedonisë për hapat që duhet të ndërmerren për pastrimin e ajrit. Një gazsjellës rus nuk do ta bëjë këtë gjë. SHBA-ja mbështet synimin e Maqedonisë për të sjellë gaz në qytetet e Maqedonisë sikur edhe për një shumëllojshmëri të furnizimit me gaz të Maqedonisë dhe Evropës”, ka shkruar Ambasadori amerikan Jess Baily.