Shkup, protesta kundër dënimit të Grupit të Kumanovës

Your browser doesn’t support HTML5

Rasti "Kumanova": Protesta në Shkup

Familjarët e të dënuarve të grupit të Kumanovës, shoqatat e dala nga lufta e ish UÇK-së, Shoqata e ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë dhe disa organizata të tjera, kanë protestuar të dielën në Shkup kundër dënimit të 30 pjesëtarëve të grupit me 746 vjet burg dhe 7 të tjerëve me burgim të përjetshëm.

Ata kërkuan që rasti të hetohet nga bashkësia ndërkombëtare me qëllim që të gjenden autorët dhe porositësit e vërtetë të ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

“Kërkojmë që e gjithë ngjarja e 9 dhe 10 majit të hetohet dhe procedohet nga ndërkombëtaret, pasi struktura të larta të Maqedonisë kanë qenë të përfshira si manipuluese, nxitëse dhe joshëse në sajimin e skenarit të 9 majit. Ministria e Punëve të Brendshme, shefi i shërbimit sekret maqedonas dhe drejtori i Sigurisë publike janë arkitektët, ideologët, urdhërdhënësit si dhe zbatuesit e skenarit ogurzi të ngjarjeve në Kumanovë".

"Përgjimet, ndjekja fizike dhe dosjet e hapura nga shërbimet policore maqedonase tetë muaj para ngjarjeve tragjike kundër bijve tanë, tregojnë dhe implikojnë pa asnjë dyshim kreun më të lartë shtetëror të asokohe të Maqedonisë”, u shpreh Dashurie Sefa, përfaqësuese e këshillit të familjarëve të grupit të dënuar. Ajo akuzoi drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë për keqtrajtimin e pjesëtarëve të grupit që nga dita e arrestimit e deri në gjykimin e tyre.

Kërkesa për hetim ndërkombëtar të rastit paraqitën edhe drejtuesit e Forumit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe të Shoqatës së ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë shqiptarë të Maqedonisë. Shpëtim Pollozhani tha se dënime të tilla nuk janë dhënë, siç u shpreh ai, as ndaj atyre që kishin masakruar hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore.

Unë jam i sigurt se faktori ndërkombëtar do të aktivizohet dhe do të kërkojë zbardhjen e vërtetë të ngjarjes, duke marrë parasysh se aty u vranë edhe policë maqedonas. Është shumë lehtë të përcaktohet se kush cilin e ka vrarë. Ky është dënim politik dhe unë jam i sigurt se ky gjyq nuk do të mbijetojë dënimin e këtyre njerëzve”, tha Pollozhani.

Hisni Shaqiri, ish-deputet dhe pjesëtar i UÇK-së në vitin 2001 tha se dënimet duhet të shqyrtohen nga një hetim ndërkombëtar pasi kanë rëndësi të madhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në këtë pjesë të rajonit dhe më gjerë. Ai theksoi se të gjitha informacionet çojnë në konstatimin se ngjarjet e Kumanovës ishin të orkestruara nga shërbimi sekret.

“Faktori ndërkombëtar është i interesuar për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, por me këso masa drakonike nuk mund të ruhet paqja dhe stabiliteti pasi një popull anashkalohet në skajshmëri, përbuzet, dhunohet, terrorizohet dhe përfundon nëpër burgje me dënime të përjetshme”, u shpreh Shaqiri.

Nga ana tjetër, edhe ekspertët thonë se sistemi i drejtësisë në Maqedoni është në fazën më të keqe që nga pavarësia e vendit dhe se deri më tani nuk ka pasur qoftë edhe një proces gjyqësor që nuk është kontestuar.

Avokati Zvonko Davidoviq thotë se as pushteti ekzekutiv nuk është i sigurt në funksiononim e gjyqësorit dhe vetë ai shumë herë thekson se nevojiten ekspertë të huaj që të përcaktojnë të vërtetën për shkak të paaftësisë tonë për ta bërë një gjë të tillë

“Këtu problemi nuk qëndron te dënimet, apo te vendimet që ka marrë gjyqi për akuzën e ngritur. Problemi qëndron aty se opinioni ka të drejtë që të dijë të vërtetën, pasi nuk është i bindur se ky proces gjyqësor ka zbardhur të vërtetën. Mendoj se gjykimi duhet ta bindë opinionin se brenda gjykatës ndodheshin ata që janë përgjegjësit kryesor dhe se të njëjtit do të shkojnë në burg”, thotë Davidoviq.

Ekspertizë të rastit “Kumanova” kanë kërkuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike shqiptare, ndërsa këtë më parë, derisa ishte në opozitë e kishte paralajmëruar edhe lideri o LSDM-së, Zoran Zaev, tani kryeministër i Maqedonisë.