Ndërlidhjet

Të akuzuarit në rastin e Kumanovës deklarohen të pafajshëm


Shkup - Seanca gjyqësore për rastin Kumanova, 11 shkurt 2016
Shkup - Seanca gjyqësore për rastin Kumanova, 11 shkurt 2016

Në Gjykatën Themelore të Shkupit, të enjten ka vazhduar procesi gjyqësor kundër 29 personave, të dyshuar si pjesëmarrës të një grupi të armatosur, të cilët, sipas Kodit Penal të Maqedonisë ngarkohen me veprat penale “organizim terrorist”.

Veprat penale për të cilat akuzohen, ata dyshohet se i kanë kryer gjatë përleshjeve të armatosura që ndodhën në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj, të vitit të kaluar.

Përderisa në seancën e së martës, prokurori i rastit Kumanova e kishte lexuar aktakuzën, të enjten, të akuzuarit janë deklaruarnë lidhje me pretendimin e prokurorisë, dhe kanë treguar versionin e tyre të ngjarjes në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Të gjithë të akuzuarit në rastin e Kumanovës janë shprehur të pafajshëm, përballë akuzave me të cilat ngarkohen.

I pari nga të akuzuarit, që është deklaruar para trupit gjykues, është shtetasi i Kosovës, Rufki Dogani.

Ai, mes tjerash, para trupit gjykues është shprehur se Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj janë vrarë nga policia maqedonase, pasi që janë dorëzuar. Kjo, sipas tij, ka ndodhur për qëllime politike dhe me qëllim që të fshihet e vërteta që qëndron pas ngjarjeve në Kumanovë. Ai ka theksuar se edhe tre shokë të tjerë të tij: Valin Kabashi, Sami Kastrioti dhe një i tretë, të cilit nuk ia ka përmendur emrin, janë ekzekutuar, pasi i janë dorëzuar policisë maqedonase.

Ndërsa Nasuf Beqiri, nga fshati Haraçinë i Shkupit, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të kyçen në zbardhjen e rastit, sepse, sipas tij, ai dhe shokët e tij nuk janë terroristë dhe aspak nuk kanë të bëjnë me terrorizmin.

“Edhe një fëmijë 2 vjeçar e di se ne kemi qenë të shfrytëzuar për qëllime politike, prandaj nuk e pranojmë fajin dhe kërkojmë drejtësi”, është shprehur para trupit gjykues, Nasuf Beqiri .

Edhe Valdet Zekaj ka kërkuar që “t`i hapet rrugë së vërtetës”.

Ndërkaq Fadil Zejnullahu, i cili vjen nga Lagja e Trimave në Kumanovë, edhe para trupit gjykues është shprehur me ironi se kërkon që t’i bëhet një kontroll mjekësore, se mos është vallë i çmendur, sepse siç ka theksuar ai, asnjë njeri normal nuk planifikon akte terroriste aty ku e ka tërë familjen.

“Si mendoni ju, unë afër familjes time do të kryeja akt terrorizmi?! Cili njeri normal do të bënte një akt të tillë?”, është shprehur i akuzuari, Fadil Zejnullahu.

Avokatët mbrojtës edhe të enjten kanë hedhur poshtë veprën për të cilën ngarkohen të akuzuarit, duke theksuar se ky rast më së paku ka të bëjë me veprën terrorizëm, për të cilën ngarkohen 29 të akuzuarit.

“Në fjalën hyrëse shprehëm qëndrimin dhe argumentet tona kundër akuzës të cilën e ka ngritur prokuroria, për krim të organizuar, e cila me çdo kusht tenton në termin terrorizëm, për të cilin [term] ne nuk shohim elemente që të akuzohen këta djem”, ka theksuar, pas përfundimit të seancës gjyqësore të së enjtes, Mefail Asllani, avokati i disa prej të akuzuarve.

Seanca është mbajtur nën masa të shtuara të forcave policore, të cilët kanë qëndruar para objektit të gjykatës, por edhe në pikat kryesore të qytetit të Shkupit.

Në ditën e parë të seancës gjyqësore, të mbajtur të martën, organi i akuzës ka thënë se në bazë të dëshmive që i posedojnë, gjatë procesit gjyqësor do të dëshmohet se të akuzuarit për rastin e Kumanovës, me paramendim kanë kryer veprën për të cilën ngarkohen.

Ndërkaq familjarët e të akuzuarve, të cilët edhe të enjten prisnin para gjykatës së Shkupit, kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen e shëndetësore tëtë afërmeve të tyre.

Besnik Kabashi, babai i Betim Kabashit, ka theksuar se djali i tij vuan nga një sëmundje kronike, por gjerë më tani ai nuk ka mundur që të marrë një pasqyrë mjekësore për gjendjen e tij.

“Me anë të avokatit, dy herë kemi kërkuar që të bëhen analizat e gjakut, që të shohim si e ka gjendjen shëndetësore djali ynë, por kurrfarë përgjigje nuk kemi marrë. Unë jam edhe në OSBE në Prishtinë për t`i njoftuar me rastin në fjalë dhe apeloj dhe kërkoj nga të gjitha ambasadat e vendeve të BE-së dhe SHBA-së, të cilat kanë ndikim në Qeverinë e Maqedonisë, që të shkojnë t’i vizitojnë të burgosurit tonë, për t’u njohur me gjendjen e tyre fizike dhe psikike”, apelon Besnik Kabashi, babai i Betim Kabashit.

Familjarët e të burgosurve për rastin e Kumanovës të enjten gjithashtu kanë kërkuar ndihmë financiare për mbrojtjen juridike të të afërmve të tyre. Ata madje kanë hapur një fond për mbrojtjen juridike të të akuzuarve, për ngjarjen e 9 dhe 10 majit, në Lagjen e Trimave në Kumanovë, por, siç thonë, gjërë më tani nuk kanë marrë asnjë ndihmë.

Lidhur me këtë rast, deri në fund të muajit mars janë caktuar të mbahen edhe tetë seanca të tjera gjyqësore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG