Propozimi francez shkon në Kuvend

Собрание на Република Северна Македонија

Propozimi francez do të diskutohet gjatë kësaj jave në Kuvend, kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë deputetët e shumicës parlamentare të Maqedonisë së Veriut.

Por, ndërmjet pushtetit dhe opozitës vazhdojnë përplasjet rreth përmbajtjes së propozimit francez, i cili duhet t’u japë fund dallimeve që ka Shkupi me Sofjen zyrtare dhe të zhbllokohet procesi i integrimeve evropiane.

SHIKONI EDHE: Pendarovski për propozimin francez: As triumf historik, as dështim

Maja Moraçanin, deputete e partisë Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë, pjesë e koalicionit qeverisës, për Radion Evropa e Lirë bën të ditur se gjatë mbrëmjes së kaluar me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministrin për Integrime, Bojan Mariçiq, kanë rënë dakord që përmes një debati në Kuvend të qartësohen të gjitha dilemat rreth propozimit.

“Procesi negocues me Bashkimin Evropian duhet të bazohet në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, dhe jo çështjet bilaterale të bëhen pjesë e këtyre bisedimeve. Nëse hyjmë në këtë rrugë, ajo do të jetë pa fund. Kjo gjë duhet të definohet qartë përmes konkluzave që do t’i miratojë Kuvendi pas debatit për këtë çështje”, thotë Moraçanin.

Por, opozita maqedonase, VMRO DPMNE, nuk beson se debati për propozimin francez do të kalojë në Kuvend.

“Mendoj se do të bëhet gjithçka që është e mundur që ta anashkalojnë Kuvendin pasi ka gjëra, të cilat i fshehin (drejtuesit e Qeverisë) dhe nuk dëshirojnë të hapet debat në institucionin ligjvënës për këtë çështje, aty ku të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve do të mund t’i shpalosnin gjërat e mira dhe ato të këqijat rreth propozimit francez”, thotë Bojan Stojanovski, deputet i VMRO DPMNE-së.

Ekspertët: Propozimi francez duhet të ketë mbështetjen partive relevante

Në këtë drejtim, Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi si instancë e fundit duhet të jetë institucioni, i cili do të shprehej kundrejt propozimit francez pasi të jetë miratuar si propozim nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

“Mendoj se për një dokument të këtillë, i cili është nga më të rëndësishmit në histori që nga pavarësia jonë si shtet, absolutisht Kuvendi duhet ta ketë fjalën e fundit”, thotë Troshanovski. Ai shton se meqë bëhet fjalë për çështje që prekin interesat e qytetarëve maqedonas, si i tillë ky propozim duhet të marrë dhe mbështetjen e shumicës së deputetëve me përkatësi maqedonase dhe jo mbështetjen e deputetëve me shumicë të thjeshtë.

Çka përmban propozimi francez?

Propozimi francez përbëhet nga shtatë pika. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë dhe në propozimin francez.

Në pikën e tretë theksohet se, “Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin (marrëveshjen) për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”.

SHIKONI EDHE:

Publikohet propozimi francez për zgjidhjen e kontestit Shkup-SofjeMickoski: Nuk na duhet Evropa nëse asimilohemiKovaçevski: Franca e modifikoi propozimin

Lidhur me këtë, Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike nga qendra Hulumtuese SCOOP, thotë për Radion Evropa e Lirë se përfshirja e Marrëveshjes së Prespës dhe asaj për fqinjësi të mirë me Bullgarinë është si rrjedhojë e ngecjeve që kanë pasur këto marrëveshje gjatë realizimit.

“Shkaku i politizimit dhe politikës ditore, zbatimi i këtyre marrëveshjeve ka pasur zvarritje. Kjo solli në atë pikë që këto marrëveshje të bëhen pjesë e kornizës negocuese. Por, unë nuk besoj se përfshirja e këtyre dy marrëveshjeve në kornizën negocuese do të cenojë identitetin etnik maqedonas, përkundrazi mbase mund ta definojë edhe më mirë”, vlerëson Neziri.

Gjuha maqedonase definohet si e tillë pa fusnota

Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se Bashkimi Evropian do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.

SHIKONI EDHE: Osmani: Propozimi i ri francez e njeh maqedonishten si gjuhë zyrtare në BE

Në këtë drejtim, përfaqësuesit diplomatikë në Maqedoninë e Veriut kanë theksuar paprekshmërinë e gjuhës dhe identitetit maqedonas.

“Shtete e Bashkuara të Amerikës mbështesin diskutimin në Maqedoninë e Veriut për propozimin e rishikuar të BE-së për fillimin e negociatave të anëtarësimit, duke njohur rëndësinë e gjuhës dhe identitetit maqedonas. Ne kemi mbështetur prej kohësh të ardhmen e Maqedonisë së Veriut në BE dhe tani shohim një rrugë që çon përpara”, ka shkruar në Twitter ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Byrnes.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer, në një postim në Twitter ka theksuar se në kornizën negociuese sipas propozimit francez, gjuha maqedonase nuk ka kualifikime shtesë.

“Shpresojmë se i gjithë procesi do të jetë i frytshëm, duke i hapur rrugë hapjes së negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë. Është e qartë: referimi për gjuhën maqedonase në kornizën e negociatave është pa kualifikim”, ka shkruar Geer.

Kërkohet përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë

Në pikën 4 të propozimit francez, krahas detyrimit për realizimin e reformave, theksohet se, “Këshilli në këtë drejtim mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut të nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.

Hyrja e bullgarëve në Kushtetutë nga opozita shqiptare kushtëzohet me definimin e shqipes si gjuhë zyrtare

Partitë politike shqiptare në opozitë, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, që e mbështesin propozimin francez, theksojnë se me hapjen e Kushtetutës së shtetit, duhet të përfshihet kërkesa e kamotshme e shqiptarëve që gjuha shqipe dhe jo përkufizimi “gjuha e folur nga më shumë se 20 për qind e popullsisë, është gjuhë zyrtare.

SHIKONI EDHE: Në Kushtetutë si shqiptarë

“Përkufizimi ‘gjuha që flasin më shumë se 20% e qytetarëve dhe e cila është e ndryshme nga maqedonishtja’, mendoj se për shqiptarët është përçmuese dhe nuk duhet të përdoret një përkufizim i tillë, ndaj shpresoj se do të mbizotërojë arsyeja”, ka theksuar Zijadin Sela, lider i Aleancës për Shqiptarët, pas takimit me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Ndërsa, një grup i qytetarëve, të mbështetur nga opozita maqedonase, VMRO DPMNE, para ndërtesës së Qeverisë ka vendosur tenda.

Ata natën e kanë kaluar në qiell të hapur me ç’rast thonë se presin orën 19 për të protestuar kundër propozimit francez.