Ndërlidhjet

Në Kushtetutë si shqiptarë


Një djalë duke mbajtur një flamur shqiptar - Fotografi nga arkivi.
Një djalë duke mbajtur një flamur shqiptar - Fotografi nga arkivi.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në Kushtetutën e këtij shteti, do të definohen si “shqiptarë” dhe jo si qytetarë që përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë së përgjithshme, në rast se ndryshohet Kushtetuta aktuale, sipas së cilës është bërë një përkufizim i tillë. Ky formulim ishte bërë me ndryshimet kushtetuese të miratuara më 2002, një vit pas konfliktit të armatosur të 2001-shit.

Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është zyrtare në komunat me shumicë shqiptare, në Shkup, si dhe në institucionet qendrore, si në Kuvend dhe Qeveri, por në Kushtetutë ajo nuk definohet si gjuhës shqipe, por si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e qytetarëve nga numri i përgjithshëm i banorëve të Maqedonisë së Veriut.

Debati për ndryshimet kushtetuese është ngritur pas publikimit të rezultateve të regjistrimit të popullsisë, sipas të cilave, shqiptarët përbëjnë 24.3 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë prej 1.8 milion banorësh.

Ndryshimet kushtetuese nuk janë përjashtuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, nëse për këtë, sipas tij, do të kishte një konsensus të gjerë politik në vend.

“Sa i përket Kushtetutës, po, nëse ka nisma të tilla, sigurisht se po, ne do t’i mbështesim. Ndryshimi i Kushtetutës duhet të kalojë disa procedura, që do të thotë se Kuvendi hap diskutim, fillimisht për partitë politike, e më pas përfshihen ekspertët”, ka deklaruar Kovaçevski.

Deklarata e kryeministrit pason thirrjet e partive politike shqiptare për ndryshimin e Kushtetutës, me synimin që të hiqet përkufizimi i shqiptarëve si popull 20 për qindësh, porse kërkesa e tyre në vazhdimësi është refuzuar. Madje, disa parti maqedonase, që konsiderohen si ekstreme në veprimin e tyre politik, besonin se regjistrimi i popullsisë do t’i nxirrte shqiptarët më pak se 20 për qind me çka ata, sipas tyre, do të humbnin të drejtat e tyre.

Por, pas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, edhe kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë se është i gatshëm për të biseduar për gjithçka, përfshirë ndryshimin e Kushtetutës.

“Jam i gatshëm të flasim për gjithçka, që të ndërtojmë një shtet qytetar, i cili do të bazohet në vlerat e vërteta. Unë dua ta shoh Maqedoninë [e veriut] si shtet të qytetarëve të barabartë ku nuk do të garohet për shkak të kuotës ose përqindjeve, por për njohuri, aftësi dhe kompetenca”, ka deklaruar Mickoski.

Ndërkohë, ndryshimi i qëndrimit të partive politike maqedonase, sipas Bashkim Selmanit, njohës i çështjeve juridike, ka të bëjë më shumë me përpjekjet e tyre për të përfituar politikisht, meqë, sipas tij, partitë maqedonase tashmë janë të vetëdijshme se asnjëherë nuk mund ta marrin pushtetin pa partitë shqiptare.

“Sa i përket VMRO-së, unë besoj se ajo këtë e ka si tendencë për të rritur simpatinë te shqiptarët, por është dëshmuar se dy partitë maqedonase, si VMRO dhe LSDM, e kanë kuptuar se pa taborin shqiptar nuk mund të vijnë në pushtet”, ka thënë Selmani.

Në bazë të përkufizimit kushtetues si popull prej 20 për qindësh, shqiptarët realizojnë edhe të drejtat tjera, si përdorimin e simboleve kombëtare, përfaqësimin në institucione, arsimim, kulturë e sfera tjera.

Bashkim Selmani ka shprehur dilema nëse shqiptarët, me ndryshimin e përkufizimit të tyre, do të ruajnë të drejtën e përfaqësimit të tyre në institucione. Sipas tij, partitë shqiptare duhet të kenë kujdes që të definojnë qartë të gjitha çështjet për të mos lënë hapësirë për interpretime të ndryshme:

“Ne i dimë tendencat e tyre, në vazhdimësi ata kur të japin diçka, të marrin diçka tjetër. Nëse kjo bëhet, atëherë ne nuk kemi se ku të kapemi, prandaj shqiptarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe për këtë çështje të ketë debate publike, sepse kjo është një indikacion - ne kemi shumë ligje tjera për të diskutuar pasi janë diskriminuese - pasi, siç thashë, ata edhe kur japin një të drejtë, gjejnë labirintet juridike që shqiptarët t’i barazojnë me zero për të gjitha të drejtat e tyre”.

Ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut duhet të kalojë përmes një procedure të ndërlikuar parlamentare dhe me debate në opinion para se të miratohet në Kuvend me dy të tretat e votave të deputetëve.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG