Vendimi i Qeverisë së Kosovës për kthimin e ndërmarrjeve shoqërore nga Agjencia Kosovare për Privatizim, në menaxhim të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Ranillugut dhe Kllokotit - komuna këto të banuara me shumicë serbe - po cilësohet si jokushtetues nga ana e disa deputetëve, por edhe njohësve të çështjeve ekonomike.
Një vendim të tillë Qeveria e Kosovës e ka miratuar javën e kaluar, përmes së cilit kërkohet që këto ndërmarrje të tërhiqen nga procesi i privatizimit dhe të kthehen në pronësi të komunave përkatëse.
SHIKONI EDHE: Qeveria kërkon përfundimin e procesit të privatizimitI njëjti vendim obligon Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal që të zhvillojë procedurat me Agjencinë Kosovare të Privatizimit deri në vendimin përfundimtar për bartje të pronës.
Në një përgjigjeje të kësaj ministrie për Radion Evropa e Lirë thuhet se bazuar në ligjet në fuqi, komunat, me qëllim të realizimit të interesit të përgjithshëm publik, kanë të drejtë të kërkojnë kthimin e pronave të ish-ndërmarrjeve shoqërore të cilat menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Përveç kërkesës së komunave të Mitrovicës Veriore, Ranillugut dhe Kllokotit, Qeveria e Kosovës, thuhet në përgjigje, ka marrë 30 vendime me të cilat edhe 30 komunave tjera u janë bartur pronat të cilat menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, me qëllim të realizimit të interesit publik.
SHIKONI EDHE: Brezovica në pritje të investitorëve seriozëPavarësisht vendimit të Qeverisë së Kosovës, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, (AKP) thonë për Radion Evropa e Lirë, se “agjencia deri më tani nuk ka pranuar ndonjë informatë zyrtare lidhur me bartjen eventuale të pronave shoqërore në kompetencë të pushtetit lokal, përkatësisht, siç thuhet, të komunave të Mitrovicës Veriore, Ranillugut dhe Kllokotit”.
Ndryshe, vetëm në Komunën e Mitrovicës së Veriut janë 74 prona të cilat janë nën menaxhimin e AKP–së.
Vendimi i Qeverisë se Kosovës është jokushtetues dhe joligjor thotë Hykmete Bajrami, anëtare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës. Sipas saj, Qeveria nuk ka kompetencë ligjore për vendime të tilla, pasi këto vendime, thekson ajo, duhet të kalojnë përmes Kuvendit të Kosovës.
“Është vendim anti-kushtues dhe anti-ligjor për shkak se AKP-ja është institucion i pavarur që i raporton Kuvendit. Ky vendim është një lloji dorëzimi i sovranitetit të pronave, si inicim i implementimit të Asociacionit (të komunave me shumicës serbe) ose nuk e di çka”, tha Bajrami për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, Muhamet Sadiku, ekspert për çështje ekonomike, thotë se të gjitha vendimet e marra për pronat shoqërore në të gjitha komunat e Kosovës duhet të jenë të bazuara në interesin strategjik të Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, në mënyrë që mos të inkurajohet diskriminimi në hapësirën ekonomike të Kosovës.
“Duhet pranuar se në pjesën veriore edhe përkundër tentimeve të Kosovës, Serbia e ka prezencën e vet në mënyrë klandestine me legjislacion dhe po bëhen përpjekje të mëdha, që gjithnjë e më tepër, pjesa veriore t’i kontrollojë resurset strategjike të Kosovës”, tha Sadiku.
Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile këtë vendim e konsiderojnë kundër interesave të Republikës se Kosovës.
Rreze Hoxha, hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, thotë se vendimet e fundit janë veprime të cilat i shërbejnë vetëm rritjes së autonomisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe zgjerojnë hapësirën e ndikimit të Listës Serbe”.
“Falja e pronave të Republikës së Kosovës komunave të cilat kundërshtojnë çdo mundësi të veprimit të institucioneve të Republikës së Kosovës në ato pjesë, dhe pa një vlerësim paraprak të nevojave, arsyeve, dhe mënyrën e përdorimit të tyre, shpërfaq mungesën e maturisë institucionale. Për më tepër, Qeveria e Kosovës me këtë vendim heq dorë nga kompetencat e saj për të menaxhuar me pronat e Republikës së Kosovës, duke deleguar këtë kompetencë nga institucionet qendrore në komunat me shumicë serbe,” tha Hoxha.
Grupi për Studime Juridike dhe Politike konsideron se qasja e Qeverisë së Kosovës vë në rrezik fatin e aseteve tjera të Kosovës që gjenden në territorin e komunave me shumicë serbe, dhe parandalon që ato prona të menaxhohen nga Qeveria e Kosovës sipas interesit të shtetit.
Jo rrallë procesi i privatiizmit në komunat e banuara më shumicë serbe ka hasur në vështirësi, apo sipas ekspertëve ka pasur hezitime dhe mungesë të gatishmërisë së agjencisë për të privatizuar numër më të madh të pronave në këto komuna.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, vetëm në komunat veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, Agjencia Kosovare e Privatizimit deri më tani ka privatizuar 30 asete shoqërore, 25 në Mitrovicën e Veriut, 4 në Leposaviq dhe 1 në Zveçan.