Ndërlidhjet

Qeveria kërkon përfundimin e procesit të privatizimit


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës është e interesuar që në një kohë më të shpejtë të përmbyll procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, proces ky i filluar qysh në vitin 2003. Zyrtarë të qeverisë thonë se ky proces është zgjatur së tepërmi.

Nga rreth 600 ndërmarrje shoqërore sa figurojnë të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës, sipas të dhënave të prezantuara kohë më parë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, janë privatizuar shumica prej tyre, prej të cilave janë krijuar nga një apo dy ndërmarrje të reja private.

Sipas Agjencisë Kosovare e Privatizimit të paprivatizuara kanë mbetur rreth 2000 asete të ndërmarrjeve shoqërore.

Në mesin e aseteve të paprivatizuara, numrin më të madh e përbëjnë tokat bujqësore.

Këshilltari për ekonomi në Qeverinë e Kosovës, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria është e interesuar që të intensifikojë procesin e privatizimit dhe të përmbyll sa më shpejt pa i lënduar rregullat e punës.

“Jemi të angazhuar ta mbyllim procesin pasi që po tejzgjatet edhe jashtë nevojës, por që nuk kemi asgjë konkrete deri më tani, pasi që kemi qenë shumë të angazhuar në proceset e mëdha si liberalizimi i vizave, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, anëtarësimi në Interpol dhe proceset tjera që na kanë bllokuar që të mos merremi me këtë çështje”, thekson ai.

“Por pasi që të përmbyllim të gjitha këto proces deri në fund të vitit, pastaj tërë potencialin do të zhvendosim në çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, ku hynë edhe procesi i privatizimit dhe përmbyllja e tij”, thotë Shatri.

Pavarësisht, periudhës kohore kur mund të përfundojë procesi i privatizimit, ky proces në Kosovë, nga ekspertë të ndryshëm për çështje ekonomike, është konsideruar i pasuksesshëm, duke mos përmbushur objektivat dhe pritjat e veta ekonomike.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ismail Kastrati thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i privatizimit nuk ka dhënë efektet e pritura, zhvillim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe as rezultate në punësim.

“Procesi i privatizimit në përgjithësi është një proces me rezultate të dobët për mos të thënë i dështuar. Zgjatja e procesit të privatizimit duhet ta ketë një fund, por problemi qëndron në atë se çështjet nuk janë të qarta, në veçanti mjete e fondit të privatizimit ku nuk është zgjidhur se çfarë do të bëhet me ato mjete dhe si duket burokracisë i konvenojnë proceset të zgjasin sa më shumë në mënyrë që të këtë përftime për grupe të caktuara”, thotë Kastrati.

Për një proces jo të mirë të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, shprehet edhe Haki Shatri, këshilltar për ekonomi në Qeverinë e Kosovës.

“Kemi vlerësime se si proces privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore nuk është mjaft i kënaqshëm, nuk janë rezultatet e pritura si në fillim. Si proces ka pasur përkrahje nga të gjithë, si duket viteve të fundit është pasivizuar dhe nuk jemi të kënaqur”, thekson Shatri.

Nga shitja e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore thuhet të jenë rreth 700 milionë euro të grumbulluara, prej të cilave 110 milionë euro janë ndarë në emër 20 përqindëshit, që ndahen për punëtorët pas shitjes së ndërmarrjes, në të cilën kanë punuar, kurse për kreditorët potencialë janë paguar rreth 20 milionë euro.

Nga fondin tepricë në buxhetin e Kosovës, AKP-ja ka derdhur mbi 100 milionë euro.

Ndërkaq, në Fondin rezervë janë më shumë se 460 milionë euro, që sipas përfaqësuesve të AKP-së, mbahen në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG