Me një fletë në duar, para dyerve të Kuvendit të Kosovës në Prishtinë, aktivistja Blendë Asllani dëshironte ta dërgonte një mesazh të qartë.
“Deputetët dhe deputetet s’kanë mandat t’i cenojnë trupat tanë”, ishte thirrja që ajo bëri në fjalimin e saj.
Kjo thirrje ishte slogani i protestës së organizuar nga aktivistët e Kolektivit MARShojmë S’Festojmë më 29 shkurt, e nxitur nga debati për rregullimin e shëndetit riprodhues në Kosovë.
Aty mori pjesë edhe Blenda, si pjesë e organizatës Qika, dhe lexoi deklaratën e përbashkët.
Komentet që mori në rrjete sociale më vonë, ia konfirmuan një besim që thotë se e kishte krijuar qysh si studente e shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, disa vite më parë.
“Gjuha ishte tejet denigruese ndaj grave. Natyrisht ndaj meje pasi që e lexova deklaratën, por edhe ndaj të gjitha grave. Edhe deputetët, për shkak të botëkuptimeve të tyre kryesisht fetare dhe nacionaliste, ia mohojnë dikujt ta shijojë prindërimin si mundësi që shkenca ia ka dhënë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Debati se kush dhe si duhet të lejohet të mbetet shtatzënë ka vënë në dyluftim dy taborë: ata që mendojnë se një grua duhet të lejohet të bëjë çfarë të dojë me trupin e saj dhe ata që thonë se vetëm gruaja që ka partner, duhet të lejohet t’i përdorë metodat e fertilizimit të asistuar, të njohur si IVF.
I gjithë ky debat ka nisur nga projektligji për shëndetin riprodhues, i cili është diskutuar disa herë në Kuvendin e Kosovës që nga marsi i vitit të kaluar.
Në këtë projektligj parashihet që gratë të kenë qasje në IVF pa marrë parasysh statusin e tyre: qofshin beqare, qofshin në një çift homoseksual apo heteroseksual.
Çka janë IVF-ja dhe bankat e qelizave riprodhuese?
Fertilizimi i asistuar, i njohur si IVF, është një procedurë mjekësore përmes së cilës një grua mund të mbetet shtatzënë, nëse një gjë e tillë nuk arrihet në mënyrë natyrale.
Ndërsa, bankat e qelizave riprodhuese janë vendet ku ruhen qelizat riprodhuese - qelizat vezë dhe spermatozoidet - dhe embrionet, për t’u përdorur për feritilizim të asistuar.
Disa deputetë, si Eman Rrahmani e Visar Korenica - të dy pjesë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje - e kanë kundërshtuar këtë projektligj.
Ata duan që IVF-ja të jetë opsion vetëm për çiftet, pasi që thonë se duan ta mbrojnë familjen si institucion, se u frikësohen “incesteve aksidentale” dhe se fëmijët e lindur me këto procedura, duhet ta kenë të drejtën ta njohin babanë.
Çka janë “incestet aksidentale”?
Si “inceste aksidentale” njihen rastet kur kryhen marrëdhënie seksuale mes dy njerëzve që nuk janë të vetëdijshëm se kanë lidhje familjare.
Meqë ligji parasheh që dhuruesit e qelizave riprodhuese të jenë anonimë, një fëmijë i lindur me këtë metodë përmes IVF-së, nuk do ta dinte se kë e ka motër dhe vëlla nga ana e babait.
Shtete të ndryshme kanë tentuar ta zgjidhin këtë problem në mënyra të ndryshme.
Në Holandë, që nga viti 1992 ekziston ligji që lejon një burrë të dhurojë qeliza riprodhuese vetëm për 12 gra në maksimum.
Ndërkohë, në Angli, ky limit është në dhjetë fëmijë të lindur nga qelizat e një burri.
Në SHBA nuk ka ndonjë kufizim ligjor mbarëkombëtar, por Shoqëria Amerikane për Mjekësinë Riprodhuese rekomandon që nga qelizat riprodhuese të një burri, të lindin vetëm deri në 25 fëmijë në një zonë të populluar prej 850 mijë banorësh.
Sipas Blendës, deputetët e kanë kundërshtuar mundësinë që gratë beqare të bëhen nëna për dy arsye: t’i mbajnë gratë dhe zgjedhjet e tyre nën kontroll dhe të fitojnë vota në publikun që ajo e cilëson si “shoqëri kryesisht konservatore”.
“Ne nuk i kemi dëgjuar këta deputetë të flasin për sfidat që i kanë nënat vetushqyese, për fëmijët që rriten në shtëpi abuzuese e plot dhunë, apo për fatin e fëmijëve në strehimore. Por, krejt papritur, po i shqetëson prishja e konceptit të familjes tradicionale, prishja e gjakut të pastër shqiptar. Kjo po rezulton vetëm si barrë e grave beqare dhe çifteve të varfra”, thotë ajo.
Kosova e ka të rregulluar çështjen e IVF-së që nga viti 2013, përmes një udhëzimi administrativ, i cili parasheh që edhe individët, edhe çiftet të kenë të drejtë në qasje për IVF, por nuk parasheh bankë të qelizave riprodhuese.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ky udhëzim administrativ është i pamjaftueshëm.
“Deri tani, shëndeti riprodhues dhe fertilizimi i asistuar mjekësor janë ndikuar nga mospasja e legjislacionit adekuat, mungesa e resurseve njerëzore, pajisjeve dhe mungesa e financimit në sektorin publik”, ka thënë Vitia në seancën parlamentare të 22 shkurtit.
Sipas tij, problemet do të rregulloheshin përmes këtij projektligji. Në projektligj parashihet që, përveçse të fillojë aplikimi i metodës së IVF-së në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të hapet edhe një bankë e qelizave riprodhuese publike.
Aktualisht, për kryerjen e këtyre procedurave, gratë janë drejtuar nëpër spitale private ose në shtete të tjera. Kjo ka çuar në një kosto më të lartë për to.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarë të Kosovës kanë shpenzuar mesatarisht pesë milionë euro në vit për të kryer procedura të fertilizimit të asistuar nëpër klinika private.
Sipas një nëne që ka folur më parë për REL-in, kostoja për këtë procedurë është rreth 4.000 euro.
Një deputete që e ka kundërshtuar projektligjin në formën aktuale, Albena Reshitaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se ajo, në parim, pajtohet që të bëhet një projektligj i tillë, por me disa ndryshime.
“Projektligji, siç është sjellë në lexim të dytë, është me shumë defekte dhe pasoja. Dëshira ime është që kur ta votojmë këtë projektligj, ai të funksionalizohet. Jo pastaj të shkojë në Gjykatë Kushtetuese dhe pastaj të kundërshtohet, për shkak të defekteve të tilla të mundshme”, thotë Reshitaj për REL-in.
Njëri ndër ndryshimet që kërkon ajo është që, përveç dhuruesve anonimë, në bankat e qelizave riprodhuese të ketë edhe dhurues të hapur - përkatësisht informacionet për identitetin e dhuruesit të jenë të hapura për publikun - dhe dhurues të njohur nga vetë i interesuari për t’i marrë ato qeliza.
Ajo gjithashtu kërkon që fëmijëve t’u njihet e drejta për ta njohur babanë biologjik kur ata të arrijnë moshën e pjekurisë, që individëve t’u referohet si “persona fizikë” dhe që të ashpërsohen sanksionet e parapara.
Ndryshime në këtë projektligj ka propozuar edhe deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica, duke thënë se ka përkrahjen edhe të së paku dhjetë deputetëve të tjerë.
Në këto amendamente kërkohet që nga projektligji të largohen të gjitha nenet ku flitet për dhurues të qelizave riprodhuese dhe metoda e IVF-së t’u mundësohet vetëm çifteve që nuk mund të lindin me metoda natyrale.
I vetmi amendament nga gjithsej 20 të tij që ka fituar përkrahje, është një që kërkon sanksione më të ashpra për persona që përsërisin krime lidhur me shëndetin riprodhues.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Korenicën, Rrahmanin dhe deputetë të tjerë që kanë shprehur kundërshtim ndaj këtij projektligji, si Duda Bale e Labinotë Demi-Murtezi, por nuk ka marrë përgjigje nga ta.
As partitë politike që kanë ulëse në Kuvendin e Kosovës, përveç AAK-së, nuk kanë kthyer përgjigje për qëndrimet e tyre partiake. Nga AAK-ja thonë se e mbështesin formën aktuale të projektligjit, pas ndryshimeve që janë bërë që nga drafti i parë.
“AAK-ja, për shkak të situatës së krijuar mes pozitës dhe opozitës, mbështet vetëm marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjet për siguri. Për këtë ligj, për shkak të rëndësisë, deputeti ynë e ka premtuar votën e 61-të, nëse pozita i siguron 60 vota, ndërsa deputetët tjerë nuk i obligojmë”, kanë thënë për REL-in nga kjo parti.
Bale, kryetare e Komisionit për të drejtat e njeriut, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se ajo nuk e mbështet këtë projektligj, sepse “një grua lind një fëmijë pa prind, ajo e lind një fëmijë jetim dhe po ashtu kjo është në kundërshtim me të drejtat e fëmijëve”.
Takimi i saj me kryesuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) ka nxitur reagime të shumta, pasi që në një postim të BIK-ut në rrjetet sociale thuhej se në këtë takim është “diskutuar rreth ecurisë së miratimit të disa projektligjeve, e në veçanti miratimi i projektligjit për fertilizimin e asistuar, i cili kontribuon direkt në prishjen e institucionit të familjes”.
Më vonë, Bale ka mohuar se në takim është folur për projektligjin.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar BIK-un dhe bashkësitë e tjera fetare në Kosovë për t’i pyetur lidhur me qëndrimet e tyre për projektligjin për shëndetin riprodhues.
Të gatshëm për t’u përgjigjur ishin vetëm nga Bashkësia Hebraike Bet Israel Kosova. Kryesuesi i kësaj bashkësie, Hysen Hyseni, theksoi qëndrimin se “duhet të mbrohet institucioni i familjes”.
“Ne nuk jemi që të mos përkrahet një nënë, e cila dëshiron të ketë fëmijë. Ne, si komunitet, e përkrahim shumë familjen. Ne duam që të aprovohet një ligj sa i përket fertilizimit artificial, por patjetër që duhet të respektohet pjesa etike dhe morale”, tha ai për REL-in.
Ai tha se nuk është diskutuar me bashkësitë e tjera fetare në Kosovë, por shtoi se “përafërsisht mund të kemi të njëjtin qëndrim, duke u nisur nga fakti se jemi tri fe abrahamike”.
Se në këtë projektligj duhet të bëhen ndryshime para se të procedohet me miratimin e tij beson edhe institucioni i Avokatit të Popullit, përkundër që e cilëson si të rëndësishëm rregullimin me ligj të shëndetit riprodhues.
“Ligji aktual ka nevojë për plotësim dhe ndryshim, sepse, aktualisht, përmban paqartësi që vështirësojnë zbatimin e ligjit, e njëkohësisht pamundësojnë qytetarët të gëzojnë mbrojtje ligjore në këtë fushë”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit për REL-in, por aty nuk sqarohet se për cilat nene bëhet fjalë.
Petrit Çollaku, zyrtar për komunikim dhe qasje në dokumente publike në këtë institucion, thotë se shteti është i detyruar me Kushtetutë që t’ia garantojë secilit të drejtën të vendosë vetë për çështje si riprodhimi dhe shton se personat në pozita të larta, duhet të tregohen të kujdesshëm në gjuhën që përdorin, “për shkak të ndikimit të madh në orientimin e debatit publik”.
Lajmet e publikuara në rrjete sociale lidhur me këtë projektligj janë vërshuar me komente me gjuhë të urrejtjes.
Një hulumtim i organizatës Demokraci për Zhvillim (D4D) tregon se gratë përballen shumë më shpesh sesa burrat me gjuhë të urrejtjes në komentet në rrjete sociale. Shumica e këtyre komenteve, gati 90 për qind, vijnë nga burrat.
SHIKONI EDHE: Urrejtja e shprehur në internet: Gratë bartin peshën kryesoreJavën e kaluar, projektligji në fjalë nuk arriti të votohej në Kuvendin e Kosovës. Përveç partive opozitare, për amendamentet e propozuara në projektligj nuk votoi as Rrahmani nga Vetëvendosje, i cili më vonë u tha mediave se këtë e ka bërë në shenjë proteste, për ta pamundësuar votimin shkaku i numrit të vogël të deputetëve që morën pjesë në votim.
Rrahmani ka thënë se ky projektligj “cenon familjen” edhe herën e parë që ai është sjellë në Kuvend - më 9 mars të vitit të kaluar.
Blenda, aktiviste për të drejtat e grave, shprehet e zhgënjyer që deputetët po e pamundësojnë votimin e këtij ligji.
“Përveç se ndihem e nënpërfaqësuar, mendoj se kjo është thellësisht e padrejtë”, thotë ajo.
Shëndeti riprodhues rregullohet në mënyra të ndryshme nëpër botë. Në shumë vende të botës perëndimore, si në SHBA, Britani të Madhe, Australi, Spanjë, Portugali, Danimarkë, Holandë, riprodhimi përmes dhuruesve të qelizave riprodhuese u lejohet të gjithëve.
Në Gjermani, fëmijëve u mundësohet ta dinë identitetin e babait të tyre biologjik. Në Norvegji, grave beqare iu dha qasja në vitin 2020, ndërsa në Francë në vitin 2021.
Nga vendet e rajonit, në Serbi dhe në Maqedoni të Veriut, bankat e qelizave riprodhuese lejohen me ligj, por ato kanë probleme të ndryshme financimi. Ndërsa, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Mal të Zi, një gjë e tillë nuk lejohet me ligj.
Nëpër botë, qasjen më të lehtë e kanë gratë e martuara, të cilat për shkaqe steriliteti nuk mund të mbeten shtatzënë në mënyrë natyrale, ndërsa për gratë beqare dhe ato në marrëdhënie homoseksuale, ligjet janë më kufizuese në plot vende.
Blenda është e bindur se projektligji nuk do të nxisë më shumë gra të lindin fëmijë edhe si beqare, por thotë se është jetike që atyre t’u jepet e drejta për të zgjedhur.
“Debati ka qenë tejet dehumanizues, veçanërisht ndaj grave beqare. Këtu ka qenë një tendencë të demonizohen ato dhe të paraqiten si të afta të marrin vendime për trupin e tyre vetëm nëse janë të martuara apo në lidhje me një burrë”, thotë ajo.