Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk i dhanë mbështetje në leximin e parë Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për Projektligjin për vlerat e UÇK-së votuan 35 deputetë, një votë ishte kundër dhe asnjë abstenim.
"Kjo do të thotë që 36 deputetë kanë marrë pjesë në votim", tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Për shkak të mungesës së kuorumit për votimin e këtij projektligji, i njëjti mund të hidhet në votim në një rast tjetër.
Propozuesi i këtij legjislacioni, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Gazmend Bytyçi tha për Radion Evropa e Lirë se ky projektligj mund të jetë në rend dite në çdo seancë, derisa të kalojë leximin e parë.
“Mundësitë janë që në çdo seancë të re do të jetë pikë e parë e rendit të ditës derisa ta marrë votimin apo kuorumin prej 61 deputetëve që duhet të marrin pjesë në votim, pra në këtë rast pro, kundër ose abstenim. Por, 61 deputetë duhet ta çojnë dorën për këtë projektligj”, tha Bytyçi për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se të gjitha ndryshimet që kërkojnë deputetët të bëhen në këtë legjislacion, mund t'i adresojnë në mes të leximit të parë dhe të dytë.
Ky projektligj, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, që është në opozitë, ka nxitur reagime të shumta për shkak se po vlerësohet se mund të cenojë lirinë e shprehjes si dhe krijon mundësi për të frikësuar dëshmitarë potencialë të proceseve gjyqësore ku përfshihen ish-pjesëtarë të UÇK-së.
Projektligji ka disa nene të cilat po i kontestohen.
I pari është neni 3 që definon atë se çka është vlerë e luftës, pastaj neni 5 që flet për respektimin e vlerave të luftës si dhe neni 9 që flet për dispozitat ndëshkuese.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se kjo iniciativë ligjore ka më shumë qëllime politike sesa të mbrojë vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nëse lexohet ky ligj me kujdes shihet se është i hartuar jashtëzakonisht dobët. Ky ligj në njërën anë synon t’i mbrojë vlerat e UÇK-së e në anën tjetër ky ligj nuk ka dispozita ndëshkuese, do të thotë nuk dihet cilat janë masat qoftë në aspektin civil, qoftë në aspektin penal. Ky ligj do të jetë i pazbatueshëm”, thotë Miftaraj.
Neni 5 i këtij projektligji që flet për respektimin e vlerave të luftës thotë se: “Çdo zyrtarë publikë dhe qytetar i Republikës së Kosovës detyrohet t’i respektojë dhe mbrojë vlerat e luftës të përcaktuara me këtë ligj në çdo kohë dhe në çdo rrethanë brenda dhe jashtë vendit”.
Ky nen sipas Ehat Miftarajt, mund të keqpërdoret në të ardhmen për të heshtur çdo kritikë si dhe për të frikësuar ata që mund të ketë mendim të kundërt.
“Mbrojtja më e mirë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të ishte nëse do të zbuloheshin rreth 40 mijë veteranë të rrejshëm, e të cilët nesër mund të përdorin mu këtë nen, nenin 5, ndaj çdo zyrtari publik apo qytetari të Kosovës, vetëm pse ata mendojnë se përmes një shkrimi në Facebook apo një kritike, i kanë cenuar vlerat e tyre”, thotë Miftaraj në një bisedë për Radio Evropa e Lirë.
Ligj që frikëson dëshmitarët
Por, qëllimet që mund të fshihen pas këtij projektligji mund të jenë më të mëdha sipas drejtorit të organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj.
Ai beson se miratimi i këtij projektligji mund të shërbejë si mjet për frikësimin e dëshmitarëve potencialë në rastet gjyqësore në të cilat të akuzuar janë ish-pjesëtarët e UÇK-së.
SHIKONI EDHE: Vuçiq: Projektligji për UÇK-në, vazhdim i ngacmimit ndaj serbëveKjo sipas tij përfshin dëshmitarët potencialë në proceset eventuale në kuadër të Gjykatës Speciale si dhe procesin tjetër gjyqësor që lidhet me ish-pjesëtarët e UÇK-së, atë për veteranët e rrejshëm.
“Nëse ky ligj futet në fuqi, askush nuk do të guxojë të shkojë për të dëshmuar as në Gjykatë Speciale, e as në procesin gjyqësor ndaj veteranëve të rrejshëm sepse menjëherë mund të iniciohen procedura ndaj tij sepse i ka shkelur vlerat e luftës, sepse në kuadër të nenit për vlerat e luftës është edhe veterani”, thotë Demhasaj.
SHIKONI EDHE: Von Cramon: Gjykata Speciale është në Hagë për arsye të miraNë proces gjyqësor të akuzuar janë ish-eprorë të rëndësishëm të luftës së UÇK-së si Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari.
Se çka futet në kuadër të vlerave të luftës është e përcaktuar në nenin 3 të Projektligjit për vlerat e luftës.
Në kuadër të këtij projektligji, mes tjerash, si vlerë e luftës është futur edhe “veterani”.
Të rënët për liri, flamuri i UÇK-së, stema e UÇK-së, shtabi i përgjithshëm, drejtoria politike e UÇK-së, shtabet dhe zonat operative, arkiva e UÇK-së si dhe Kompleksi memorial “Adem Jashari”, janë futur si vlera të luftës për t’u mbrojtur me ligj.
Në rast se Projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë eurosh, pa i llogaritur edhe investimet.
Mendime të kundërta për ligjin
Kuvendi i Kosovës dështoi që ta votonte këtë projektligj në seancën e 7 gushtit për shkak të mungesës së kuorumit.
Gjatë diskutimeve në kuvend pati kundërshtime të shumta.
Propozuesi i këtij projektligji, deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyçi, gjatë seancës së kaluar tha se ky ligj mund të mos ideal, porse qëllimi është i mirë.
SHIKONI EDHE: Pesha e rëndë e një aktpadie për krime lufteMë kritiku ishte shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi i cili tha se projektligji ka të meta, mangësi dhe shtrembërim të historisë së luftës së UÇK-së.
Kundërshtimi ndërkombëtar
Me përmbajtjen e projektligjit nuk është pajtuar ambasada amerikanë në Prishtinë. Përmes një reagimi të datës 7 gusht, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka alarmuar për rrezikun që prodhon ligji sa i takon cenimit të lirisë së shprehjes.
“Penalizimi i kritikës ndaj çfarëdo grupi apo individi është hap i rrezikshëm, edhe nëse nuk është me atë qëllim, drejt autoritarizmit”, ka thënë Kosnett përmes një deklarate.
SHIKONI EDHE: Komuniteti ndërkombëtar, i brengosur lidhur me projektligjin për UÇK-nëKosnett po ashtu ka thënë se në rast të futjes në fuqi të këtij ligji, do të minohej përpjekja për të siguruar drejtësi.
“Dëshmitarët, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre, do të pyesnin se a do të mund të dënoheshin për shkak të dëshmisë për krimet e supozuara të individëve të asociuar me UÇK-në, madje edhe nëse ata individë janë akuzuar se kanë vepruar të vetëm, e jo në emër të grupit”, kishte shkruar Kosnett në reagimin e tij.
Mendim të njëjtë me Kosnett ndau edhe ambasadori i ri i gjerman, Jorn Rohde si dhe ambasada e Zvicrës në Kosovë, e cila përmes një reagimi tha se “ligji i propozuar mund të shkaktojë frikësim në mesin e disa qytetarëve të Kosovës dhe të pengojë proceset e tjera që synojnë trajtimin e së kaluarës”.