A bie ndesh Ballkani i Hapur me Procesin e Berlinit?

Shtetet anëtare të BE-së dhe udhëheqësit e partnerëve të Ballkanit Perëndimor gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor në Qendrën e Kongresit Brdo, afër Lubjanës, më 6 tetor 2021.

Bashkëpunimi ekonomik dhe liria e lëvizjes duket se janë kryefjalë e objektivave të dy nismave që përfshijnë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur.

Ekspertë të politikave të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor thonë se këto dy nisma - ndonëse mbulojnë çështje të ngjashme - dallojnë në strukturë dhe mund të bien ndesh me njëra-tjetrën.

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.

Ndër qëllimet kryesore të këtij procesi janë: përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor. Procesi fokusohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

SHIKONI EDHE: Merkel: Ballkani ka rrugë të gjatë drejt BE-së

Fusha të tjera të veprimit në kuadër të tij janë: zgjidhja e çështjeve të brendshme dhe dypalëshe, si dhe pajtimi mes shoqërive të rajonit.

Ky proces përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën.

Shtetet pjesëmarrëse të BE-së janë: Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia dhe Italia.

Ballkani i Hapur, në anën tjetër, është një nismë e vitit 2019, e iniciuar nga udhëheqësit e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Asaj nuk i janë bashkuar ende tri vendet tjera të Ballkanit Perëndimor: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Sipas iniciatorëve, Ballkani i Hapur synon thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis vendeve pjesëmarrëse, rritjen e shkëmbimit tregtar dhe lirinë e lëvizjes.

SHIKONI EDHE: DASH mbështet çdo nismë për fuqizimin ekonomik të Ballkanit

Toby Vogel, ekspert për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor, me seli në Bruksel, thotë se të dyja këto nisma ndajnë një filozofi të përbashkët.

“Filozofia bazike është se politikat e rajonit janë aq të vështira dhe me ndasi, kështu që duhet fokusuar në objektiva të arritshme, sidomos në fushën e ekonomisë, si: hapja e kufijve, stimulimi i tregtisë, integrimi i tregut, lëvizja e njerëzve etj.”, thotë Vogel për Radion Evropa e Lirë.

Në teori, sipas tij, dy nismat plotësojnë njëra-tjetrën ose mbulojnë të njëjtën gjë.

“Nëse, për shembull, Serbia dhe Shqipëria i hapin kufijtë për studentë, biznesmenë, i njohin diplomat e njëra-tjetrës etj., kjo është qartazi një gjë e mirë dhe do të kishte rol [edhe në atë që mbulon Procesi i Berlinit]”, thotë Vogel.

Gjithëpërfshirja - hendeku kryesor mes dy proceseve

Ajo që i dallon dy nismat është qartazi numri i shteteve të përfshira në to.

Vogel thotë se Procesi i Berlinit “ka ardhur nga lart poshtë”, përkatësisht si iniciativë e një shteti të BE-së për rajonin, dhe përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Ballkani i Hapur ka origjinën në Ballkan.

“...kjo është arsyeja përse shumë njerëz në rajon e shohin këtë iniciativë [të Ballkanit të Hapur] si një vegël për ndikimin serb, e në mënyrë indirekte edhe për ndikimin rus apo kinez”, thotë Vogel.

Sipas tij, “frika” e shteteve mospjesëmarrëse në Ballkanin Perëndimor mund të jetë e justifikuar, nëse merren parasysh “personalitetet ku e ka origjinën”.

SHIKONI EDHE: Plus apo minus? Kosova jashtë "Ballkanit të Hapur"

Një nga iniciatorët e Ballkanit të Hapur është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vendi i të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Vogel thotë se edhe BE-ja, tash për tash, ka një marrëdhënie të komplikuar me Ballkanin e Hapur, për faktin se “nuk është plotësisht e qartë se cili është synimi i tij”, duke qenë se ekziston Procesi i Berlinit.

Në një deklaratë më 14 qershor, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se BE-ja “do t’i mbështesë gjithmonë të gjitha nismat rajonale që nxisin zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin”, por po ashtu “i respekton vendimet e marra nga shtetet individuale”.

Ballkani i Hapur, “pa garanci” për respektimin e standardeve të BE-së

Disa ekspertë tërheqin vërejtjen se Ballkani i Hapur “nuk është i lidhur” me asnjë standard të BE-së, ndryshe nga Procesi i Berlinit, i cili ka standarde të vendosura nga ‘acquis communautaire’, apo legjislacioni i BE-së.

SHIKONI EDHE: WB6: Ballkani i Hapur do të konkurrojë negativisht me Procesin e Berlinit

Arbëresha Loxha, drejtoreshë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike në Kosovë, thotë se Ballkani i Hapur mund edhe të bjerë ndesh me Procesin e Berlinit, meqë “fushëveprimi i të dyja iniciativave është realisht i njëjtë”.

Sipas saj, mungesa e garancisë për standardet e BE-së “është shqetësuese” për Ballkanin e Hapur.

“Liderët rajonalë mund ta drejtojnë atë në pista që nuk janë të kontrollueshme nga perspektiva e politikës së zgjerimit të BE-së dhe as të dedikuara për sundimin e ligjit”, thotë Loxha për Radion Evropa e Lirë.

Udhëheqësit e “Ballkanit të Hapur”, megjithatë, kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në një samit midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që mbahet më 23 qershor në Bruksel.

Pjesëmarrjen në këtë samit e ka konfirmuar ndarazi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

SHIKONI EDHE: Rama konfirmon pjesëmarrjen e liderëve të Ballkanit të Hapur në Samitin e BE-së

Loxha vlerëson se “Ballkani i Hapur ka hapësirë të krijojë edhe më shumë ndasi”.

“Lidershipi i Ballkanit të Hapur, ose ata që po e shtyjnë këtë iniciativë janë liderët e dy shteteve më të mëdha të Ballkanit Perëndimor – [Shqipërisë dhe Serbisë] - dhe kjo, që në start, tregon pabarazi dhe tendencë të tyre që të kenë ndikim dhe ta udhëheqin këtë proces pa marrë parasysh interesat e shteteve të vogla”, thotë Loxha.

Me gjithë thirrjet e iniciuesve të Ballkanit të Hapur, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina vazhdojnë të kundërshtojnë të bëhen pjesë e nismës.

Osmani ka thënë se Ballkani i Hapur nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Ballkani i Hapur më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

SHIKONI EDHE: Kurti refuzon ftesën e Kovaçevskit për samitin e radhës të Ballkanit të Hapur

Përfaqësuesit politikë të Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës kanë thënë, deri më tash, se nuk bëhen pjesë e nismave që mund të shihen si alternativë e rrugës së tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Deri ku kanë shkuar dy proceset?

Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Marrëveshjet, mes tjerash, përfshijnë lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave, luftimin e evazionit fiskal, njohjen e diplomave universitare, bashkëpunimin kulturor dhe turistik, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Udhëheqësit e tri shteteve kanë planifikuar që gradualisht të krijojnë edhe një treg të përbashkët për 12 milionë banorë - aq sa kanë të tria vendet bashkë.

Nga 1 janari i vitit 2023, ndërkaq, është rënë dakord që edhe kontrollet kufitare midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të hiqen.

SHIKONI EDHE: “Ballkanit të Hapur” i shtohen marrëveshjet

Takimi i fundit në kuadër të Ballkanit të Hapur është mbajtur më 7 dhe 8 qershor në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në anën tjetër, në kuadër të Procesit të Berlinit janë paraparë të shënjestrohen katër fusha: zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe të brendshme; arritja e pajtimit në mes shoqërive në rajon; rritja e bashkëpunimit ekonomik rajonal; vendosja e bazave për rritje të qëndrueshme.

Por, Grupi për Studime Politike dhe Juridike në Kosovë ka publikuar një hulumtim në vitin 2021, duke vlerësuar se ky proces duhet të ketë më shumë transparencë në lidhje me progresin e punës në fushat që mbulon.

“Ekziston nevoja e krijimit të një kanali të përbashkët komunikimi për progresin e projekteve kyçe energjetike dhe infrastrukturore, në mënyrë që të sigurohet transparencë dhe llogaridhënie”, thuhet, mes tjerash, në hulumtim.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë në faza të ndryshme të integrimit në BE.

SHIKONI EDHE: Scholz: Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE

Mali i Zi dhe Serbia kanë përparuar më së shumti, duke hapur tashmë disa kapituj të negociatave të anëtarësimit me bllokun.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të hapjes zyrtare të bisedimeve të pranimit, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.