Prishtina "pa" makina
Prishtina të enjten shënoi Ditën Botërore pa Makina me disa aktivitete.
Një djalë i ri duke ngarë biçikletën në rrugët e Prishtinës, ndërsa prapa tij shihen vetura duke qarkulluar.
Dita Botërore pa Makina u shënua me një tur me biçikleta nëpër rrugët e kryeqytetit, duke përçuar mesazhe për ruajtjen e mjedisit nga ndotja që lirojnë automjetet.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor së bashku me Komunën e Prishtinës dhe organizatën "Marakli t'biçikletave" organizuan disa aktivitete.
Udhëtimi me autobusët e Trafikut urban të enjten ka qenë pa pagesë, ndërsa janë dhënë mesazhe për përdorim sa më të vogël të veturave në mënyrë që të ulet niveli i dyoksidit të karbonit.
Çiklistët kanë shpërndarë edhe fletushka për ngritjen e vetëdijes nga rreziku i lirimit të dyoksidit të karbonit në ajër. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të vitit 2021 në Kosovë janë të regjistruara mbi 395.000 vetura. Prej tyre, vetëm 74 janë 100 për qind elektrike, që nënkupton se kanë ndotje zero ndaj mjedisit .
Qytetarët kanë kërkuar nga institucionet që të krijohen më shumë hapësira për çiklistët.
Gjatë ditës janë paraparë edhe aktivitete të tjera me qëllim të promovimit të lëvizjes së lirë dhe përdorimit të transportit publik.
Shqetësimet për ndikimin që kanë ndotësit e shkarkuar nga automjetet e vjetra dhe motorët me naftë në shëndetin e njeriut, janë rritur viteve të fundit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se miliona vdekje çdo vit lidhen me ekspozimin e njerëzve ndaj ndotjes së ajrit të jashtëm.
Kosova, në matjet e organizatave të ndryshme, shpesh është renditur në mesin e vendeve me ajrin më të ndotur në botë.
Pjesë e aktiviteteve ishte edhe organizata "Marakli t'bicikletave".