Në kaosin e ndërtimeve pa leje...

Një pamje nga lart e Prishtinës.

Në ditët e lira që i ka nga puna, Fitim Ibishi merret me mirëmbajtjen e oborrit të gjelbëruar.

Dyzetvjeçari jeton në një shtëpi dykatëshe me shtatë anëtarë të familjes në Lagjen Hajvalia në Prishtinë.

Shtëpinë që u ndërtua fillimisht në vitin 2004, ai e trashëgoi nga babai dhe e rinovoi disa herë ndër vite.

Objekti u ndërtua pa leje ndërtimi dhe pa kaluar ndonjë procedurë për t’u regjistruar në kadastër.

Fitim Ibishi para oborrit të shtëpisë së tij në Lagjen Hajvalia.

Familja Ibishi u largua nga qyteti i Kamenicës, pasi shtëpia e tyre u dogj gjatë luftës në vitin 1999.

Të lumtur që arritën të blejnë truall për ndërtim në Prishtinë, familjarët menjëherë nisën ndërtimin, pa menduar për ndonjë procedurë ligjore që duhej ta ndiqnin.

“Unë kam qenë i ri, por shumë ndërtime kanë shkuar ashtu. Këtu kanë qenë vetëm ara... Filluan me të madhe të ndërtohen shtëpitë”, kujton Fitimi për Radion Evropa e Lirë.

Shtëpia e Fitimit nuk është rast i rrallë as në lagje, as në qytetin e tij. E, madje, as në gjithë territorin e Kosovës.

Ndërtimet e larta dhe shtëpi afër njëra-tjetrës në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë.

Sipas të dhënave zyrtare, kryeqyteti i Prishtinës llogaritet të ketë mbi 46 mijë objekte të ndërtuara pa leje. E gjithë Kosova mbi 350 mijë.

Në një konferencë për media për këtë çështje, vitin e kaluar, ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu, tha se ndërtimet pa leje përbëjnë 75 për qind të të gjitha ndërtimeve në vend.

SHIKONI EDHE: Arkitekti gjerman: Prishtina, një kaos që duhet të ndalet

Pse ka kaq shumë ndërtime pa leje në Kosovë?

Sipas institucioneve, por edhe ekspertëve të fushës, problemi i ndërtimeve pa leje u theksua shumë pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, kur vendi u shkëput nga Jugosllavia e atëhershme dhe regjimi serb.

Nga ajo kohë e deri në shpalljen e pavarësisë më 2008, Kosovën e administroi misioni i Kombeve të Bashkuara - UNMIK.

Ndonëse ky mision vendosi rregullore të përkohshme në lidhje me ndërtimin, ato u shpërfillën në masë të madhe.

“Zakonisht [ndërtimet pa leje] janë theksuar pas luftërave, pas krizave të ndryshme ekonomike”, thotë Dukagjin Hasimja, profesor i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës.

Ai beson se shumë qytetarë, të cilëve iu dogjën pronat gjatë luftës, kishin nevojë për rindërtim - gjë që më pas u bë pa kritere.

Në një hulumtim të Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), në lidhje me ndërtimet pa leje, thuhet se “ka pasur, gjithashtu, migrim të brendshëm të popullsisë nga zonat rurale në ato urbane - gjë që ka pasur ndikim krucial në përkeqësimin e situatës".

Dukagjin Hasimja, profesor i Arkitekturës dhe ekspert i urbanizmit.

Si u mendua zgjidhja?

Të gjendur para mijëra ndërtimeve pa leje dhe në pamundësi të rrënimit të të gjithave, autoritetet në Kosovë tentuan të bëjnë zgjidhje përmes procesit të legalizimit.

Në vitin 2014 hyri në fuqi një ligj që u mundësonte qytetarëve dhe bizneseve që kanë ndërtuar objekte pa leje deri në atë kohë, t’i legalizonin ndërtimet.

Procesi do të zgjaste tre vjet dhe do të kryhej nga komunat.

Sazan Ibrahimi, udhëheqës i Asociacionit të Komunave të Kosovës, që mori pjesë në hartimin e këtij ligji, thotë se ai nuk pati sukses, për shkak të interesimit të vogël të qytetarëve.

“Në fillim, qytetarët nuk kanë treguar interesim, sepse kostoja ka qenë e lartë. Ne i jemi adresuar nivelit qendror dhe kemi kërkuar që çështja e kostos të adresohet edhe një herë”, thotë Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë.

Sazan Ibrahimi, udhëheqës i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Me atë ligj, taksat për legalizim silleshin nga 6 deri në 10 euro për metër katror.
Në vitin 2018, pastaj, në Kosovë u miratua një ligj i ri për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Kësaj radhe taksat ishin nga 1 deri në 2 euro për metër katror.

Më këtë ligj kanë të drejtë të aplikojnë për legalizim të gjithë pronarët e objekteve që janë ndërtuar pa leje deri në vitin 2018.

Ministria e Infrastrukturës nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se sa objekte kanë arritur të legalizohen deri më tani në të gjithë Kosovën.

Por, sipas të dhënave publike të Komunës së Prishtinës, nga viti 2019 e deri më tani, bëhet fjalë për mbi 6.800 aplikime për legalizim.

Nga to, rreth 2 mijë objekte janë legalizuar dhe po aq janë vendosur në listë të pritjes, për shkak të çështjeve pronësore.

Në gusht të vitit 2023, ligji u ndryshua për të mundësuar zgjatjen e afatit për aplikim për legalizim deri në fund të vitit 2025.

Të gjitha objektet që nuk legalizohen brenda afatit, parashihet të hyjnë në listë të rrënimit.

Pamje nga Lagjja Veternik e ndërtimeve në Prishtinë.

Pse ngeci legalizimi?

Përveç punës në kopsht, një pjesë të kohës Fitim Ibishit ia merr edhe endja në Komunën e Prishtinës.

Ai aplikoi për legalizimin e shtëpisë në vitin 2021, por ende pret përgjigje nga komuna.

“Lufta na qiti në zero, ndoshta nën zero, dhe mezi e arritëm këtë me mund... e mendonim po të vijnë të na e rrëzojnë, të nisim prapë nga zeroja... si ta lejojmë atë punë?”, thotë Ibishi.

Pritjen dhe burokracinë në procesin e legalizimit, ai i sheh si shumë të mundimshme.

“Futem në atë hyrjen numër 16, ai më dërgon në katin e tretë, kati i tretë në zyrën 23... Shkoj, aty është një zonjë me flokë të bardhë edhe.. tri zyre m’i ndërron prej aty… më thotë hajde në dhomë të arkitektëve… kur shkoj aty, [lënda] qenka në proces!”, rrëfen Ibishi.

Fitim Ibishi me dokumentet e aplikimit për legalizim.

Ibrahimi thotë se komunat që ai i përfaqëson, përballen me telashe që kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e resurseve për t’u marrë me procesin e legalizimit.

“Ky është një lloj projekti trevjeçar. Kontratat e stafit janë të përkohshme. Në disa komuna është duke vazhduar [procesi i legalizimit], por ka edhe komuna, ku personelit, i cili ka qenë i angazhuar, i ka skaduar kontrata”, thotë ai.

Si sfidë tjetër shihet edhe trajtimi i ndërtimeve nga qytetarë të ndryshëm në prona komunale, ose në toka, pronari i të cilave është i paqartë.

Këto raste, aktualisht, po vihen në atë që quhet listë e pritjes, për t’u trajtuar veçanërisht më vonë.

Cilat janë përfitimet nga legalizimi?

Përveçse krijohet një listë e saktë e kadastrës për ndërtimet ekzistuese, institucionet thonë se qytetarët kanë një mori përfitimesh nga ky proces.

Ndërtimi që legalizohet, është pronësi legale e qytetarit dhe mund të përdoret edhe si pasuri e paluajtshme.

Ajo mund të shitet më lehtë dhe ka vlerë më të madhe në treg.

Ibishi, madje, shpreson se legalizimi do t’i japë edhe më shumë shanse për rregull urbanistik lagjes së tij.

“Nëse legalizohet, kam të drejtë të ankohem që nuk kam kanalizim”, thotë Ibishi, pasi shpjegon se lagjja e tij ende përdor gropa septike për largimin e ujërave të zeza.

*Shënim: Versioni i parë i këtij materiali është publikuar në video-format.