Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka vendosur që të rinumërohen të gjitha votat në të gjitha vendvotimet në Komunën e Prishtinës dhe atë të Prizrenit.
Paraprakisht, kërkesën për rinumërimin e votave në Prishtinë, e kishte paraqitur Lidhja Demokratike e Kosovës. Kurse rezultatin e zgjedhjeve në Prizren, e kishte kontestuar Partia Demokratike e Kosovës.
Kryesuesi i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Mulë Desku, tha për Radion Evropa e Lirë se rinumërimi vjen si pasojë e parregullsive gjatë numërimit.
"Për shkak të parregullsive që janë identifikuar, Paneli ka marrë vendim për rinumëruar të gjitha vendvotimet në Komunën e Prishtinës dhe Prizrenit", tha Desku.
Në garë për kryetar të Prishtinës, janë Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në bazë të rezultateve preliminare, por të cilat pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk do të vlejnë më, kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti printe me vota në Prishtinë, me një epërsi jo të madhe.
Menjëherë pas vendimit të PZAP-it, ka pasuar reagimet e ashprat nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kandidati i Vetëvendosjes, për kryetar të Prishtinës Shpend Ahmeti, ka thënë se vota në kryeqytet nuk ndryshon.
Po ashtu edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti tha në Kuvend se nuk mund të ketë rezultat tjetër as në Prishtinë as në Prizren, veç atij që kanë vendosur qytetarët. Ai tha se gara elektorale fitohen duke i bindur qytetarët me program në terren, e jo me manipulime në tavolinë.
"Nuk mund ta vidhni këtë fitore, nuk mund t’ia vidhni këtë të ardhme qytetarëve tanë. Këtë nuk ua lejojmë, bëhuni bashkë sa të doni. Shtini sa të doni para, kërcënoni sa të doni, koha juaj ka përfunduar. Nuk mund të kthehemi para 11 qershorit të vitit 2017", tha Kurti.
Edhe në Komunën e Prizrenit, epërsia e kandidatit të Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka ishte e vogël në garën për kryetar me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka, ka shkruar në rrjetin social Facebook se "rinumërimi nuk do të ishte problem po që se të gjitha kutitë do të ishin në karantinë, por ja që katër ditë mbasi që kutitë me vota kanë qenë jashtë karantine, po kërkohet rinumërimi", ka shkruar Haskuka.
Në një konferencë për media, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë ritheksuar se vendimi i PZAP-it është i kundërshtueshëm dhe i jashtëligjshëm. Po ashtu, ata thanë se edhe vendimi i KQZ-së për rinumërimin e votave për Prishtinë dhe Prizren është absurd, i dëmshme për procesin zgjedhor. Kryetari i Visar Ymeri tha se Vetëvendosje është duke përgatitur kallëzime penale për anëtarët e PZAP-së rreth vendimeve që kanë marrë.
Një debat i ashpër me akuza dhe kundërakuza është zhvilluar në një mbledhje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ndërmjet kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, atij të LDK-së Sami Hamiti dhe PDK-së Betim Gjoshi.
KQZ-ja në takim mori vendim për rinumërimit të votave në Prishtinë dhe Prizren, si dhe rinumërimit të pjesshëm në Istog, Rahovec e Dragash.
Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemi, tha se vendimi i PZAP-së është politik dhe nuk ka sesi të jetë ndryshe.
"Është puç institucional kundër vullnetit të votuesve, demokracisë, është thjesht suspendim i zgjedhjeve dhe përpjekje për të nënshtruar vullnetin e votuesve, makinacioneve të ndryshme nën tavolinë e mbi tavolinë. Po e bëj të qartë se kjo nuk do të lejohet dhe nuk do të funksionojë", tha Rrustemi.
Ai tha po ashtu se rinumërimi i votave nuk do të jetë i efektshmen derisa nuk do te ketë edhe një vendim të Gjykatës Supreme për vendimin e PZAP-së.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim që në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të nisë numërimi i votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës, në komunat: Gjakovë, Gjilan, Istog, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Podujevë, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë dhe Kllokot.
Po sot,PZAP ka vendosur që edhe në Komunën e Dragashit të rinumërohen 35 vendvotime. PZAP është organ i përhershëm, i pavarur dhe kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat dhe apelet e lejuara që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor, siç është caktuar me Ligjin e zgjedhjeve të Republikës se Kosovës dhe rregullave zgjedhore.