Rusia thotë se sabotuesit ukrainas kanë sulmuar fshatra ruse

Një ushtar ukrainas në Bakhmut, rajon i Donjeckut më 25 shkurt 2023.

Zyrtarët rusë thanë të enjten se sabotuesit ukrainas kaluan kufirin me Rusinë perëndimore dhe sulmuan fshatrat lokalë. Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë tha se luftimet me njësinë e sabotazhit po zhvilloheshin në rajonin rus e Bryanskut.

Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga zyrtarët ukrainas dhe rrethanat e sakta të incidentit janë ende të paqarta.

Nëse konfirmohet, do të ishte një tjetër tregues, pas sulmeve me dron në fillim të kësaj jave, se Kievi mund ta çojë luftën në territorin rus, duke ekspozuar dobësitë mbrojtëse ruse, duke vënë në siklet Kremlinin dhe duke mbjellë shqetësim mes civilëve rusë.

Shërbimi Federal i Sigurisë u citua nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass të ketë thënë se "aktivitetet për të eliminuar nacionalistët e armatosur ukrainas që shkelën kufirin shtetëror" ishin duke u zhvilluar.

Tass, duke cituar forcat ruse të zbatimit të ligjit, raportoi më herët se ukrainasit po mbanin peng deri në gjashtë persona. Guvernatori lokal tha se grupi kishte qëlluar mbi një automjet atje, duke vrarë një burrë dhe plagosur një 10-vjeçar.

SHIKONI EDHE: Rusia intensifikon sulmet në Ukrainë, vriten civilë dhe dëmtohet infrastruktura

Dronët që Kremlini tha se ishin nisur nga Ukraina fluturuan thellë brenda territorit rus të martën, duke përfshirë një që arriti 100 kilometra afër Moskës.

Tass raportoi, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar të sigurisë, se dy fshatra në rajonin e Bryansk - Sushany dhe Lyubechane - u sulmuan nga "disa dhjetëra luftëtarë të armatosur".

Në Ukrainë të enjten, tre persona u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën kur një raketë ruse goditi një ndërtesë apartamentesh pesëkatëshe në një qytet juglindor.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se Rusia “dëshiron ta kthejë çdo ditë për popullin tonë në një ditë terrori”.

"Por e keqja nuk do të mbretërojë në tokën tonë", shtoi ai.

SHIKONI EDHE: Rezistenca ndaj pushtimit rus që e vendosi Ukrainën në hartën e Perëndimit

Ndërkohë, një betejë e ashpër vazhdoi për kontrollin e Bakhmutit, një bastion kyç lindor ku zyrtarët ukrainas thonë se mund të tërhiqen strategjikisht.

Kievi zyrtar raportoi se Rusia ka intensifikuar sulmin e saj ndaj Bahmutit gjatë 24 orëve të fundit, duke ushtruar presion të jashtëzakonshëm mbi mbrojtësit ukrainas në rajonin lindor të Donjeckut.

Për më tepër, zyrtarët rajonalë të Ukrainës deklaruan se granatimet gjatë natës në Zaporizhja kishin vrarë të paktën tre civilë.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se kishin zmbrapsur mbi 170 aksione ofensive ruse në lindje dhe verilindje, që është më shumë se dyfishi i numrit krahasuar me 24 orët e mëparshme.