Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të hënën se Rusia ka pësuar humbje të mëdha gjatë pesë muajve luftimesh kundër forcave ukrainase në rajonin jugor të Rusisë, Kursk, me gati 15.000 ushtarë të vrarë.
“Gjatë operacionit në Kursk, armiku i ka humbur tashmë 38.000 ushtarë të vet në këtë drejtim, ndërsa gati 15.000 prej atyre humbjeve janë të pakthyeshme”, tha Zelensky në një video-fjalim të hënën.
Zelensky nuk dha prova kur foli për humbjet e Rusisë në këtë rajon.
Ukraina e nisi në gusht inkursionin e madh në rajonin e Kurskut dhe mori nën kontroll pjesë të territorit rus, edhe pse ushtria ruse thotë se ia ka dalë ta rimarrë kontrollin në shumicën e tyre.
SHIKONI EDHE: Ukraina nis ofensivë të re në Kursk të RusisëUkraina ka thënë se e ka nisur një ofensivë të re në këtë rajon të dielën, por ka dhënë pak hollësi.
Disa vende perëndimore dhe Ukraina thonë se mbi 11.000 trupa të Koresë së Veriut janë duke luftuar përkrah forcave ruse në Kursk.
Rusia as nuk e ka pranuar e as mohuar praninë e trupave koreanoveriore.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të hënën se e ka ndalur përparimin e forcave ukrainase dhe se i ka shkatërruar forcat kryesore të saj pranë vendbanimit Berdin, afër një rruge që shkon në verilindje drejt qytetit të Kurskut.
Ministria tha gjithashtu se forcat ruse kanë bërë përparime të rëndësishme në Ukrainën lindore, përfshirë pushtimin e qytezës së Kurahoves.
Presidenti ukrainas Zelensky nuk e përmendi Kurahoven në fjalimin e tij.
Ai tha se forcat ukrainase kanë krijuar një zonë të sigurisë në rajonin e Kurskut, ku Rusia ka transferuar njësi të fuqishme ushtarake. Sipas tij, kjo ia ka pamundësuar Moskës që t’i dislokonte ato forca në zona kyçe të vijës së frontit në Ukrainën lindore.