Subjektet politike, të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zyrtarisht do ta nisin fushatën nga 25 shtatori. Gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore, 25 subjekte politike të certifikuara, prej tyre 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur, pritet t’i shpalosin programet e tyre në garë për të fituar ulëse në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, për mandatin kushtetues katërvjeçar.
Bazuar në listat e kandidatëve për deputetë të të gjitha këtyre subjekteve politike, në garë për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës, janë gjithsej 1068 kandidatë.
Në listën përfundimtare të votuesve, sipas Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve numri i votuesve është 1,937.868, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 1,801.800 fletëvotime, pra 136,068 apo 7.02 për qind fletëvotime më pak se votues.
SHIKONI EDHE: Disproporcion mes listës së votuesve dhe numrit të banorëveBashkimi Evropian ka dërguar tanimë mision vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Zgjedhjet e 6 tetorit do të monitorohen nga rreth 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian. Procesi zgjedhor po ashtu do të monitorohen edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.
Partitë e mëdha politike në Kosovë, jozyrtarisht kanë filluar fushatën javë më parë. Premtimet e tyre përfshijnë fusha të ndryshme të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Subjektet garuese dhe kandidatët e tyre për kryeministër, po përpiqen të identifikohen me oferta të veçanta për votuesit, nisur nga luftimi i korrupsionit e deri te zbatimi i reformave demokratike në vend.
Kadri Veseli, i nominuar për kryeministër nga Partia Demokratike të Kosovës, në një nga premtimet më të shpeshta të përsëritur në tubimet me mbështetësit e kësaj partie, ka premtuar luftimin e nepotizmit dhe korrupsionit.
”Lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit do të jetë një standard për ta ndalur të keqen që po e bllokon perspektivën e vendit, po i bllokon perspektivën dhe shanset e barabarta të rinjve. Të gjitha kapacitetet institucionale dhe financiare që i ka Kosova, do t’i orientojë nga njerëzit e ndershëm dhe njerëzit që punojnë. Kjo do të jetë politika jonë”, është njëri nga shumë premtimet e Veselit.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe qasja ndaj këtij procesi si dhe taksa 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, kanë qenë dy nga temat në të cilat janë fokusuar shumica e kandidatëve për kryeministër të vendit.
SHIKONI EDHE: Cili nga kandidatët për kryeministër do të bisedojë me Serbinë dhe në ç'mënyrë?Më i zëshëm në këtë pikë ka qenë lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeministër në largim dhe i nominuar sërish për pozitën e kryeministrit nga koalicioni ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate.
“Qartësia ime në marrëdhëniet me Serbinë nuk ka lënë dilema se si mund të arrihet deri te zgjidhja. Zgjidhja do të jetë njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Në këtë rast edhe marrëdhënie të mira ekonomike, që do të nënkuptonte hapjen e tregut për Serbinë, pra heqjen e taksave të vendosura”, ka thënë Haradinaj.
Kurse Fatmir Limaj, i nominuar si kandidat për kryeministër nga Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, përveç tjerash ka premtuar politika ekonomike dhe sociale në favor të qytetarëve të vendit.
“Kam disa prioritete. Prioriteti im kryesor është dialogu dhe politika e jashtme, pastaj bujqësia. Ne besojmë shumë që bujqësia është një gjenerues i zhvillimit ekonomik dhe mundësi e vendeve të reja të punës, mundësi që vendi ynë Kosova duke investuar në bujqësi do të rrisë buxhetin familjar, komunale dhe buxhetin e shtetit”, ka premtuar Limaj.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar liderin e saj, Albin Kurti kandidat për kryeministër. Ai ka shpalosur 20 pika programore, kurse një nga premtimet e tij për zgjedhjet e 6 tetorit ndërlidhet me vet funksionimin e shtetit të së drejtës.
“Ne i kemi tri shtylla kryesor që besojmë se janë rruga e duhur përpara. E para shteti i së drejtës, drejtësia nuk buron nga individi, shteti është garancion i drejtësisë, prandaj shteti duhet të jetë shtet i së drejtës, kjo nënkupton prokurorinë dhe gjyqësorin të cilët janë të pakompromis në luftimin e korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar”, ka premtuar Kurti.
SHIKONI EDHE: Me çfarë premtimesh partitë politike do t’i synojnë votat e qytetarëve?Ndërkaq, Vjosa Osmani, e nominuar për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në një nga premtimet e shumta për zgjedhjet e 6 tetorit, ka theksuar transformimin e sistemin e drejtësisë.
“Ajo çka ne synojmë është komplet logjikë tjetër qeverisëse nga kjo logjika e kontrollit mbi institucione. Nuk është vetëm e rëndësishme që gjyqësori dhe sistemi i sigurisë të jenë të pavarura, por për shtetin e Kosovës është ekzistenciale. Ne do të krijojmë kushte të tilla përmes një vetting-u i cili do të ndërtohet si model specifik për Kosovën, jo duke marrë për bazë modele të tjerëve”, ka premtuar Osmani.
Një garë mjaft interesante zgjedhore pritet të jetë edhe ajo ndërmjet partive nga komunitetet joshumicë. Kushtetuta e Kosovës, u garanton 20 ulëse komuniteteve jo shumicë, prej tyre 10 komunitetit serb dhe po aq komuniteteve joserbe.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 6 tetor. Nga procesi i votimit, pritet të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, nga e cila më pas, partia apo koalicioni fitues do të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës.
(Renditja e subjekteve politike është bazuar në bazë të shortit në fletëvotime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 6 tetor).