Pozicioni i Greqisë karshi pavarësisë së Kosovës, "mbetet i pandryshuar", por Greqia e mbështet Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe në këtë kontekst, e mbështet edhe procesin e liberalizimit të vizave, tha për Radion Evropa e Lirë, ambasadorja Chryssoula Aliferi, udhëheqëse e Zyrës ndërlidhëse të Athinës në Prishtinë.
Greqia, tha ajo, mbështet konsolidimin e paqes, demokracisë, stabilitetit, sigurisë, zhvillimit ekonomik si dhe sundimin e ligjit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Në këtë sfond, Greqia ka qenë një mbështetëse e fuqishme e perspektivës evropiane për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Prishtinën, si dhe dialogun ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit nën ndërmjetësimin e BE-së", tha Aliferi.
Aliferi po ashtu përsëriti se Athina zyrtare e ka ftuar ministren e re të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvallën për vizitë zyrtare në Greqi dhe se “data për këtë do të caktohet me kohë”.
Ndryshe, edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, në një përgjigje për REL ka konfirmuar se Gërvalla do ta vizitojë Athinën.
Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur Kosovën, por ky shtet ka Zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë. Përveç Greqisë, pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur as anëtaret e BE-së: Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Spanja.
Më 15 prill, gjatë një takimi me Aliferin, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që Greqia t'i bashkohet shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Kosova, e interesuar për thellimin e bashkëpunimit me Greqinë
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës deklaron se Prishtina dhe Athina zyrtare tashmë kanë marrëdhënie të mira dypalëshe dhe shton se “Kosova është shumë e interesuar në thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me Greqinë”.
“Kosova është e angazhuar për të forcuar bashkëpunimin në të ardhmen dhe në mënyrë që ky bashkëpunim të rezultojë me njohje nga Greqia, si një shtet i rëndësishëm për ne në BE dhe në rajon”, tha MPJD-ja në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.
MPJD-ja po ashtu tha se Kosova është optimiste për këtë çështje, duke pasur parasysh fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve.
“Për më tepër, ne jemi duke punuar në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e ekonomisë, kulturës, por edhe në fusha të tjera, që janë të rëndësishme për të dyja vendet”, tha ministria.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu nuk ka treguar saktë nëse autoritetet e Kosovës do të ndërmarrin ndonjë hap konkret për të bindur pesë shtetet anëtare të BE-së, që nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.
Sa i përket marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Athinës zyrtare, Kryeziu theksoi se Greqia ka mbështetur Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si dhe mbështetë vendimin për liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian të Kosovës.
“Ne besojmë se kjo qasje miqësore duhet të rezultojë në bashkëngjitjen e Greqisë me shtetet e tjera të BE-së që e kanë njohur Kosovën”, tha Kryeziu.
SHIKONI EDHE: PE-ja miraton raportin për Kosovën, mbështet liberalizimin e vizaveHoti: Nga pesë shtetet, Greqia e para do ta njohë Kosovën
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti beson se ekziston një mundësi e madhe që Greqia së shpejti ta njohë Kosovën dhe ai vlerëson se ky shtet nuk e ka bërë deri më tani një gjë të tillë, për shkak të problemeve që ka me Qipron.
Hoti thekson se është shumë me rëndësi për Kosovën që në këtë kohë të sigurojë njohje nga njëra prej pesë shteteve të BE-së, që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Nga këto pesë shtete, unë mendoj se Greqia do të jetë e para që do ta njohë Kosovën”, tha Hoti.
Ai tha se Kosova dhe Greqia tashmë kanë marrëdhënie të mira, duke shtuar se “më problematikja” është Spanja, e cila gjithashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Do të duhej të bëhej më shumë lidhur me këtë çështje, veçanërisht kur bëhet fjalë për Spanjën”, tha ai.
SHIKONI EDHE: Çnjohjet mund të çojnë në izolimin e KosovësPeci: Politika e vendeve mosnjohëse varet nga dialogu
Në anën tjetër, Lulzim Peci, ish-diplomat dhe njëherësh drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave – KIPRED, beson se Kosova nuk mund të bëjë asgjë që të ndikojë në vendimin e Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë, Qipros dhe Spanjës për ta njohur Kosovën.
Politikat e këtyre shteteve, thotë Peci, varen nga rezultati i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili po zhvillohet në Bruksel që nga viti 2011, nën ndërmjetësimin e BE-së.
“Nga këto shtete, më së afërmi për ta njohur Kosovën janë Greqia, Rumania dhe Sllovakia, ndërkaq Spanja dhe Qiproja janë mjaft larg. Ky pozicion varet nga rezultati i dialogut (ndërmjet Kosovës dhe Serbisë). Nëse do të ketë një njohje eksplicite të Kosovës ose një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Prishtinës dhe Beogradit, e cila do të përfshinte njohje, por jo në formë eksplicite, atëherë pozicioni i këtyre shteteve do të ndryshojë”, thekson Peci.
SHIKONI EDHE: Vuçiq: Do të vazhdoj punën drejt delegjitimimit të pavarësisë së KosovësAi thotë se rruga e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe NATO është bllokuar, pikërisht për faktin se pesë shtetet e bllokut evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Kosova deri më tani, do të mund të ishte mjaft afër anëtarësimit në NATO dhe kjo do të nënkuptonte fundin e ndikimit të Rusisë në Ballkan. Integrimi euro-atlantik nuk është i mundur dhe asnjë hap i rëndësishëm nuk mund të bëhet në atë kuptim”, thotë Peci, duke shtuar se statusi i Kosovës është një problem evropian dhe kjo është arsyeja pse Kosova ka problem që të integrohet plotësisht në komunitetin evropian.
Deri më tani, Kosovën e kanë njohur 117 shtete dhe njohja e fundit erdhi nga Izraeli në shkurt të vitit 2021. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit erdhi si rezultat i Marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Prishtinës dhe Beogradit, që u nënshkrua më 4 shtator, 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
SHIKONI EDHE: Kosova hap Ambasadën në JerusalemPara kësaj, Kosova ishte njohur nga Barbadosi më 2018, por në atë periudhë, Beogradi zyrtar udhëhoqi një fushatë aktive për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Serbia pretendon se Gana, Lesoto, Liberia, Guinea-Bissau kanë tërhequr njohjen e Kosovës. Por, në listën e shteteve njohëse, të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, këto shtete ende figurojnë si vende që e kanë njohur Kosovën.
Sipas Marrëveshjes së Uashingtonit, Serbia është zotuar që ta pezullojë për një vit fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovë, ndërkaq Kosova është zotuar se nuk do të kërkojë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, po ashtu për një periudhë njëvjeçare.