Pompeo: Irani duhet të veprojë si shtet normal

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo në një intervistë për Radio Farda, Shërbimi iranian i Radios Evropa e Lirë, ka thënë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Irani të sillet si shtet normal. “Ne po drejtojmë çdo ditë një sërë politikash që shpresojmë se do t’ia arrijnë kësaj, dhe kur të arrihet, e gjithë Lindja e Mesme dhe në të vërtetë bota do të jenë një vend më i sigurtë” ka thënë sekretari Pompeo. Intervista u zhvillua në Varshavë të Polonisë ku u mbajt Konferenca Ndërkombëtare për Lindjen e Mesme me pjesëmarrjen e më shumë se 60 shteteve.

Radio Farda: Le të fillojmë me atë që po ndodhë aktualisht këtu në Varshavë, në përpjekjet e administratës së Shteteve të Bashkuara për të formuar një koalicion të gjërë ndërkombëtar kundër Iranit, siç u reflektua edhe nga fjalimi i zëvëndëspresidentit të SHBA-së, Mike Pence. Tani, pyetja ime është se sa është e mundur kjo kur dihet se së fundi vendet evropiane duke se po mbajnë qëndrimin e tyre kur bëhet fjalë për “Planin e Përbashkët i Veprimit” (Marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore)? Siç e dini ata kanë vënë një rregull në mënyrë që të lehtësojnë tregtinë me Iranin.

Mike Pompeo: Mbledhja kishte për qëllim krijimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë Lindjen e Mesme. Për këtë arsye më shumë se 60 vende erdhën për të diskutuar, për të punuar në zgjidhjen e problemeve në Jemen, Siri, rreziqet e sigurisë që ndërlidhen me konfliktin mes palestinezëve dhe Izraelit, pra jemi mbledhur bashkë për gjitha këto tema. Çështja është se kur flitet për Hezbollahun, duhet të flasësh me Iranin, kur flasim për ligësinë e Huthisit në Jemen, duhet të flasësh për Iranin. Pra, Irani ishte sigurisht një nga temat që u diskutua në konferencë. Por, unë do të ju them se koalicioni është i fortë. Askush dhe asnjë shtet nuk e mohoi se kërcënimi nga Irani është i vërtetë, pavarësisht a ishin vende arabe apo nga Azia, Amerika e Jugut apo Lindja e Mesme. Të gjithë e kuptuan rrezikun që paraqet Irani për qytetarët e vendeve të tyre. Pra punuam në këtë drejtim. Qartazi ka dallime se si të përballemi me problemin. Evropianët i janë përkushtuar “Planit të Përbashkët të Veprimit” (Marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore), ndërsa ne kemi bërë një vendim shumë të ndryshëm. Ne mendojnë se secila monedhë që shkon në Republikën Islamike të Iranit, përfundon në duart e Qassem Soleimanit (kreu i Gardës Islamike Revolucionare të Iranit) dhe do të përdoret për qëllime të këqija dhe më e rëndësishmja, do të përdoret për të krijuar vështirësi për popullin iranian. Jemi të përkushtuar që të sigurohemi se po dëgjohet zëri i popullit iranian. Ne u mblodhëm këtu dhe jam i bindur se dolëm nga këtu më të bashkuar dhe të aftë për tu marrë me gjitha kërcënimet që ekzistojnë në të gjithë Lindjen e Mesme.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja u bën thirrje evropianëve të tërhiqen nga traktati me Iranin

Radio Farda: Si do të trajtohen këto kërcënime që po përmendni? Kjo konferencë është parë nga shumë njerëz si pjesë e një përpjekje të vazhdueshme të Uashingtonit për të ndryshuar regjimin në Iran. Cili është mendimi juaj lidhur më këtë?

Mike Pompeo: Më duhet të them se kjo ishte historike. Kishit izraelitët dhe arabët të ulur së bashku duke biseduar për kërcënimin që paraqet Irani. Kjo nuk ishte një perpjekje e drejtuar nga Uashingtoni. Ne sigurisht që i kemi bërë të qarta shqetësimet tona lidhur me Iranin, jemi të përkushtuar ndaj disa burimeve të konsiderueshme drejt zvogëlimit të këtyre rreziqeve. Ne do të vazhdojmë kështu sepse në fund të fundit dëshirojmë që të dëgjohet zëri i popullit iranian. Ne duam një ndryshim në sjelljen e regjimit, ne duam që ata të veprojnë si një vend normal. Në maj (2018), unë parashtrova 12 gjëra thelbësore që Republika Islamike e Iranit duhej të bënte për t'u bashkuar me komunitetin e kombeve. Ne po drejtojmë çdo ditë një sërë politikash që shpresojmë se do t’ia arrijnë kësaj, dhe kur të arrihet, e gjithë Lindja e Mesme dhe në të vërtetë bota do të jetë një vend më i sigurtë.

Radio Farda: Këto kushte, pra ndryshimi sjelljes nga ana e Iranit dhe parakushtet tjera janë përmendur shpesh nga ana e juaj dhe të tjerëve në administratën amerikane. Por, çështja qëndron në atë se sjellja që ju e keni në mendje është aq integrale me identitetin e Republikës Islamike të Iranit sa që ndryshimi i saj në thelb do të jetë një lloj ndryshimi i regjimit. Dua të them, nëse Irani do të braktisë çdo sjellje të vetme që ajo ka në të gjithë Lindjen e Mesme, në të gjithë botën, si dhe ndaj popullit të Iranit, atëherë asgjë nuk ka mbetur nga Republika Islamike.

Mike Pompeo: Në fund të fundit “si”, pra se si këto sjellje të ndryshohen është çështje që trajtohet nga populli iranian. Ata do të dëgjojnë zërat e tyre, ata do të pohojnë fuqinë e tyre. Këta janë njerëz të zgjuar, njerëz të aftë me një histori të thellë dhe të pasur - ata janë tërësisht të aftë për të menaxhuar punët e kombit të tyre dhe këto ndryshime të sjelljes që po kërkojmë kanë për qëllim krijimin e sigurisë në të gjithë Lindjen e Mesme dhe krijimin e një jete më të mirë për popullin iranian, dhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur ato zëra iranianë brenda vendit të tyre, në mënyrë që ata të fitojnë një jetë që e duan. Pra, një jetë që nuk përbën kërcënim dhe rrezik për njerëzit në të gjithë Lindjen e Mesme dhe pjesën tjetër të botës.

Radio Farda: Z. Sekretar, ju e dini se të mërkurën (13 shkurt) një sulm vdekjeprurës ndodhi në Iran ndaj një autobusi që i përkiste Gardës Revolucionare Islamike e Iranit, duke vrarë 27 vetë. Mohammad Javad Zarif, ministri i Jashtëm iranian, shkroi në një Twitter, dhe unë citoj: "A nuk është rastësi që Irani goditet nga terrori në ditën kur fillon" cirku i Varshavës "? Cili është reagimi juaj ndaj kësaj?

Mike Pompeo: Po, mirë, amerikanët absolutisht nuk kanë të bëjnë asgjë me këtë. Unë do të them këtë: Ju e dini, shumë vende, duke përfshirë edhe vendet evropiane, takohen me këtë njeri - ai në fakt është në drejtim të Mynihut ku shumë vende evropiane do të takohen me të. Unë do t'iu kërkoja atyre vendeve që kur të takohen me z. Zarif ta pyesin pse ai do të thoshte një gjë kaq fyese? Ndonjëherë ai është pozicionuar si i moderuar. Nuk është e moderuar për të akuzuar izraelitët dhe amerikanët për vrasje - kjo nuk është e moderuar. Unë mendoj se kjo tregon shenja se Z. Zarif dhe Z, Rohani [Presidenti iranian, Hassan Rohani] janë revolucionarë në të njëjtën mënyrë si edhe udhëheqësit e tjerë brenda Iranit.

Përgatiti: Kestrin Kumnova