Zëvëndëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, u bëri thirrje aleatëve evropianë të tërhiqen nga pakti bërthamor me Iranin.
Pence tha se Irani paraqet “rrezik të madh për paqen dhe sigurinë” në Lindjen e Mesme.
Zëvëndëspresidenti amerikan tha gjatë një konference ndërkombëtare për Lindjen e Mesme që po mbahet në Varshavë, se “disa partner kryesorë evropianë” nuk kanë qenë bashkëpunues kur është fjala në përballjen me Iranin.
"Në fakt, ata kanë krijuar mekanizma për të thyer sanksionet tona", tha Pence.
SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë në kundërshtim lidhur me vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t'u tërhequr nga marrëveshja bërthamore mes Iranit dhe fuqive botërore, e cila kërkon që Irani të kufizojë programin e tij bërthamor në shkëmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.
Shtetet e BE-së kanë kërkuar të mbajnë disa pjesë të marrëveshjes në fuqi.
Franca, Britania dhe Gjermania dy javë më parë nisën një mekanizëm të ri për të tregtuar me Iranin duke anashkaluar sanksionet e SHBA-së.
"Është një hap i keq-këshilluar që vetëm do ta forcojë Iranin, do të dobësojë BE-në dhe do të krijojë më shumë distancë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara", tha zëvëndëspresidenti, Mike Pence, në samitin e Varshavës.